Çështja e Asociacionit vazhdon të jetë mjaft aktuale. Kjo pasi serbët kërkojnë që ta formojnë atë, derisa Kosova është kundër formimit të tij.
I nënshkruar në vitin 2015, ai ishte hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, si jokushtetues.
E presidentja e vendit, Vjosa Osmani, derisa ka folur për këtë çështje, ka përmendur ish presidentin Hashim Thaçi dhe ish kryeministrin Isa Mustafa, të cilët e kanë shkruar Asociacionin.
Sipas Osmanit, të dy ata e rrezikuan Kosovën dhe miqësinë e saj me miqtë ndërkombëtarë, derisa ka shtuar se Asociacioni nuk do të formohet dhe se ai është jokushtetues nga Gjykata Kushtetuese.
Por këtë e ka quajtur “interpretim rruge” ish lideri i LDK-së, Isa Mustafa, i cili ka thënë se Osmani është rastësisht presidente.
Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti politik, Islam Krasniqi.
Ai ka thënë se Mustafa në kohën e tij e konsideronte veten të paprekshëm, ndërsa që me presidenten Osmani ka inat personal, pasi ajo ia prishi matematikat.
“Ish lideri i LDK-së për kohën e tij në parti si kryetar i saj e ka konsideruar veten si të pa prekshëm duke përdorur ndikimin e tij vetëm për interesa të veta personale apo një grupi të vogël klanore e që populli i dha ndëshkimin, duke ia treguar edhe vendin sepse LDK-në e çoi në një parti minore. Por ai ka një inati personal me presidenten Osmani sepse ajo i vrau ëndrrën që ai të ulet ndonjëherë në postin e Presidentit, d.m.th ia prishi matematikat, sepse kështu priste. z.Mustafa”, është shprehur ai.
Sipas Krasniqit, ai e nënshkroi Asociacionin që u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese por këtë ai e quan interpretim rruge të presidentes.
“Ai e nënshkroi Asociacionin me kompetenca ekzekutive e që doli në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës apo nuk janë në pajtim me Kushtetutën e R. Së Kosovës, e që është e njëjtë edhe vlerësimi apo edhe pesha, e që kushtetuesja ia hodhi poshtë dhe ai e quan fjalor rruge këtë interpretim që e përmend presidentja Osmani”, ka vlerësuar analisti.
Sa i përket deklaratës se Osmani është rastësisht presidente, Krasniqi ka thënë se Mustafa është mësuar që t’i bëjë vetë matematikat, pavarësisht votave, ndërsa që u mundua ta djeg Osmanin kur doli më e votuara si bartëse e listës.
“Deklarata e z. Mustafa se Vjosa Osmani është rastësisht presidente është e vërtetë e tij, pasi që ai është mësuar vetë t’i bëjë matematikat pavarësisht votave që i merr kandidati, siç ishte rasti me qeverinë e z. Hoti, ku u mundua ta djeg znj.Osmani e cila ishte bartëse e listës dhe mburrej më atë fjalën e famshme së populli nuk e zgjedh kryeministrin, duke menduar së është më i fuqishëm se sovrani, gjersa e ndëshkoi sovrani atë dhe partinë e tij duke e poshtëruar deri në atë masë sa që ja fundosi karrierën”, ka deklaruar Islam Krasniqi për gazetën “Bota sot”.