Paralajmërimi nga SHBA-të/Kërkesa thelbësore për konfliktin Kosovë-Serbi dhe ‘kërcënimi’ i Vuçiqit

Politika

Paralajmërimi nga SHBA-të/Kërkesa thelbësore për konfliktin Kosovë-Serbi dhe ‘kërcënimi’ i Vuçiqit

Nga: G.B Më: 30 tetor 2021 Në ora: 11:36
Albin Kurti, Gabriel Escobar dhe Aleksandër Vuçiç, foto ilustrim nga "Bota sot"

Ndihmës-sekretari i Shtetit Amerikan, njëkohësisht i ngarkuari i SHBA-ve për Ballkanin, Gabriel Escobar, i ka përsëritur Serbisë se dialogu me Kosovën duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë.

Deklarata e tillë i ishte thënë shtetit serb edhe më herët, por ai insiston që nuk do ta njohë shtetin e Kosovës.

Escobar ka deklaruar se SHBA-të mbështesin dialogun ku të dyja palët janë të barabarta.

“Së bashku e kemi bërë të qartë se dialogu është forum në të cilin të dyja palët, si të barabarta, duhet të punojnë për të zgjidhur dallimet e tyre dhe për të normalizuar marrëdhëniet, në mënyrë ideale përmes një njohjeje reciproke”, ka thënë ai.

Lidhur me deklaratën e Esobar për dialogun dhe insistimin e Serbisë për mosnjohje të Kosovës, për gazetën "Bota sot" ka folur profesori universitar, Enver Bytyçi.

Ai ka thënë se Esobar ka paralajmëruar disa gjëra, fillimisht që palët të jenë të barabarta në dialog pasi nuk është trajtuar si i tillë dhe kjo do të thotë që pavarësia e Kosovës nuk mund të diskutohet e as territori i saj nuk është i cenueshëm.

"Ndihmës-sekretari i Shtetit Amerikan, njëkohësisht i ngarkuari i SHBA-ve për Ballkanin, Gabriel Escobar, këto ditë ka përsëritur paralajmërimet e Presidentit Biden për zgjidhjen e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë, përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE! Ai paralajmëron dhe kërkon që:

Palët në dialog të jenë të barabarta, gjë që dëshmon se në të shkuarën ka pasur pabarazi në trajtimin e tyre e ndoshta kjo kërkesë i drejtohet edhe përfaqësuesve të BE-së, të cilët jo rrallë herë i mbajnë anë e iso Aleksandër Vuçiq. Por kryesore është se me kërkesën për barazi, Kosova zë vend si shtet i pavarur përballë shtetit të Serbisë. Barazia në bisedime nënkupton se statusi i Kosovës nuk mund të vihet në diskutim. Pavarësia nuk mund të diskutohet. Dhe kjo do të thotë se territori i Kosovës është i pacenueshëm", është shprehur ai.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Sipas profesorit, Escobar po ashtu ka thënë se nuk pajtohen me ndryshim kufijsh, shkëmbim territoresh e krijime të mikroshtetit serb brenda Kosovës.

Bytyçi po ashtu ka theksuar se kjo kuptohet se Serbia duhet ta pranojë Kosovën si shtet dhe të kërkojë falje para opinionit publik për gjenocidin.

"Escobar kërkon që palët të tejkalojnë dallimet midis tyre. Që do të thotë, të pajtohen me parime dhe vlera të qëndrueshme. Nëse i konsiderojmë këto vlera, atëherë duhet thënë se ato nuk pajtohen me ndryshime kufijsh e shkëmbime territoresh, as më krijimin e mikroshtetit serb brenda territorit të Kosovës. Nëse do të duhet të tejkalohen dallimet duke u bazuar në vlerat euro-atlantike, atëherë kuptohet qartë se Serbia do të duhet ta pranojë Kosovën si shtet sovran e të pavarur, duke kërkuar ndjesë para opinionit publik për krimet dhe gjenocidin kundër shqiptarëve në Kosovë. Dhe kjo do të thotë se pas kësaj, liderët politikë të Kosovës mund të diskutojnë e të vendosin që pavarësisht çka ndodhur në të kaluarën, të ndërtojnë marrëdhënie normale me Serbinë", ka vlerësuar Enver Bytyçi për "Bota sot".

Si të tretën dhe kryesoren, profesori e vlerëson përmbylljen e dialogut me njohje reciproke, që sipas tij kjo kërkesë e përbën thelbin dhe kjo deklaratë vjen disa ditë pas sekretari i Shtetit Amerikan Antony Blinken u takua dhe bisedoi për të ardhmen e rajonit të Ballkanit Perëndimor me homologun e tij evropian, Borrellin.

"Së treti dhe kryesore, Gabriel Escobar, ashtu si edhe presidenti Biden kërkon që dialogu të përfundojë me njohje reciproke. Pra, që Serbia ta njohë Kosovën në kufijtë e saj legjitimë të sotëm dhe Kosova ta njohë shtetin e Serbisë në kufijtë e saj pa territorin Kosovar. Kjo kërkesë përbën thelbin e asaj çfarë pozicioni kanë krijuar në raport me dialogun dhe konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo deklaratë vjen vetëm pak ditë pasi sekretari i Shtetit Amerikan Antony Blinken u takua dhe bisedoi për të ardhmen e rajonit të Ballkanit Perëndimor me homologun e tij evropian, Borrellin. Gjithkush do të thoshte se një deklaratë si kjo pas kësaj vizite do të thotë edhe një kurs i ri qëndrimesh të Brukselit në raport me dialogun dhe me zgjidhjen përfundimtare të konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë. Unë jam skeptik se do të ketë një ndryshim radikal të Borrell dhe Lajçak ndaj Serbisë dhe se këta do të rritin presionin ndaj Beogradit. Ata kanë një afeksion shpirtëror të afërt me Serbinë dhe interesat e saj", ka potencuar profesori.

Ai është shprehur i bindur se evropianët do t'i bëjnë presion Kosovës për formimin e Asociacionit, derisa deklaron se nuk i ka pëlqyer deklarata e presidentes Osmani për formimin e asociacionit si OJF.

"Jam gjithashtu i bindur se ndërmjetësuesit evropianë do t’i bëjnë presion qeverisë së Kosovës sidomos për ta pranuar Asociacionin. Nuk e di nëse amerikanët kanë ofruar ndonjë zgjidhje kompromisi për këtë. Presidentja Osmani sikur paralajmëroi një lloj lëshimi, duke pranuar formimin e një asociacioni në formën e OJF-ve. Në fakt OJF-të apo OJQ-të krijohen pa nevojën e ndonjë marrëveshjeje midis dy palëve. Prandaj dhe e shoh pa vend këtë deklaratë të presidentes së vendit. Ndërkaq Aleksandër Vuçiq po kërcënon: „Nëse ju nuk ndryshoni kushtetutën për formimin e asociacionit, ne, d.m.th Serbia, nuk do të ndryshojë kushtetutën për ta nxjerrë Kosovën jashtë saj, si kusht për njohje reciproke"", ka theksuar eksperti.

Sipas tij, Vuçiq e ka kushtëzuar njohjen e Kosovës me formimin e asociacionit dhe për këtë ka mbështetjen e Brukselit e për këtë thotë se SHBA duhet ta kenë një opinion.

"Presidenti i Serbisë duket se njohjen e ka kushtëzuar me krijimin e asociacionit. Jam i bindur se për këtë version ai ka mbështetjen e Brukselit. Por a e ka mbështetjen amerikane BE për asociacionin? Besoj se jo. Megjithatë administrata amerikane do ta ketë një opsion. Por autoriteteve të Kosovës u takon që të shpjegojnë qartë për ndërmjetësuesit se asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë është intrigë e destbalizimit të Kosovës dhe rajonit në një kohë të dytë", ka thënë ai.

Bytyçi ka shtuar se deklarata e Escobar është deklaratë e autoritet kryesor për zgjidhjen e krizave në Ballkan ndërsa që tani suksesi i bisedimeve dhe marrëveshjes është në duar të politikanëve të Kosovës.

"Deklarata e ndihmës-sekretarit të Shtetit Amerikan, Escobar është serioze, është një deklaratë në gojën e autoritetit kryesor për zgjidhjen e krizave të shumta në Ballkan. Mendoj se suksesi i bisedimeve dhe i marrëveshjes tashmë është në duart e politikanëve të Kosovës. Kjo nuk do të thotë që disa eksponentë që janë përgjegjës për indiferencën e tyre ndaj aktit të ndarjes së Kosovës, t’i bëjnë presion qeverisë që të marrë vendime të dëmshme për Kosovën", është shprehur.

Krejt në fund, Bytyçi ka bërë thirrje që opozita të bashkëpunojë me qeverinë për të shpëtuar Kosovën nga krijimi i asociacionit, pasi nëse nuk e bën këtë, është përpjekje për të shpëtuar Thaçin dhe Mustafën nga nënshkrimi i marrëveshjes në vitin 2015.

"Opozita duhet të bashkëpunojë me qeverinë për ta shpëtuar Kosovën nga krijimi i një shteti serb brenda shtetit të Kosovës. Nëse nuk e bën këtë, por i bën presion asaj për nënshkrimin e një marrëveshje me asociacion, është përpjekje për të shfajësuar Hashim Thaçin dhe Isa Mustafën për aktin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Asociacionit në vitin 2013 e 2015", ka përfunduar profesori Enver Bytyçi për gazetën "Bota sot".

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat