Lajm i keq për partinë e Ramush Haradinajt/ Pas këtij skandali, kërkohet përjashtimi nga zgjedhjet lokale

Politika

Lajm i keq për partinë e Ramush Haradinajt/ Pas këtij skandali, kërkohet përjashtimi nga zgjedhjet lokale

Nga: A.M. Më: 30 tetor 2021 Në ora: 18:21
Blerina Sallaj, Ramush Haradinaj dhe Agron Kuçi

Mbrëmë është raportuar se në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës është kapur në flagrancë zyrtarja e Komunës së Junikut, B.S, bashkëpunëtore e kandidatit të AAK-së për kryetar të kësaj komune, Agron Kuçit.

Sipas raportimeve, ajo dyshohet se ka tentuar që të dërgojë në Munih të Gjermanisë material të falsifikuar zgjedhor.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe dega e AAK-së në Junik, e cila ka shkruar se distancohet nga “çdo veprim i kujtdo që në çdo formë tenton ta njollosë procesin zgjedhor!”

Njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në një prononcim për gazetën “Bota sot” tha se ky rast tregon manipulimet që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka bërë në zgjedhjet lokale të tetorit.

Gjithashtu, ai u shpreh se nisur nga fakti se Lëvizja Vetëvendosje nuk arriti të fitojë asnjë komunë në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, mund të dyshohet në zgjedhje demokratike dhe korrekte.

Image
Njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi

"Se sa demokratike ishin zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Kosovë, tregon vetë partia e LVV-së në pushtet e cila jo që nuk manipuloi me votat e qytetarëve e të mos fitojë asnjë komunë gjatë raundit të parë, po dhe të lejojë AAK-në e Haradinajt të falsifikojë votat në komunën e Junikut.

Se sa manipulime ka bërë AAK-ja argumentohet kapja e zyrtares së komunës së Junikut B.S. në flagrancë zgjedhore në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, e cila njihet si bashkëpunëtore e kandidatit të AAK për kryetar të kësaj komune, Agron Kuçi”,
deklaroi Mehazi.

Në vazhdim, analisti potencoi se manipulimet e tilla na bëjnë të dyshojmë që një gjë të tillë AAK e ka bërë edhe në komunat që ka fituar (Deçan dhe Suharekë).

Madje, ai tha se jo vetëm AAK, por edhe PDK dyshohet për manipulime të votave, për faktin se kishin rezultate tejet befasuese dhe është shumë e çuditshme se VV nuk arriti të fitojë asnjë komunë.

“Manipulimet e tilla zgjedhore na japin të drejtë të dyshojmë se edhe dy komunat e fituara të AAK-së, Deçani dhe Suhareka, që nga raundi i parë mund të diskutohen për pandershmëri fitoreje zgjedhore nga AAK-ja. Kapja në flagrancë në aeroportin e Prishtinës tregon sa manipulime të shumta kanë bërë partitë opozitare, kjo shihet në fitoret dhe balotazhet e disa komunave të PDK-së e AAK-së.

Është për t'u çuditur se partia që fitoi mbi 50% të zgjedhjeve parlamentare, LVV-ja e Albin Kurtit, në raundin e parë të zgjedhjeve lokale nuk fitoi asnjë komunë, kurse në anën tjetër AAK-ja jo që fitoi Deçanin e Suharekën, por është edhe në balotazhe zgjedhore në disa komuna të Kosovës. Mos ndoshta AAK-ja çdo kund ka falsifikuar votat?”, vlerësoi ai.

Në fund, Mehazi reagimin e AAK-së ndaj këtij skandali e cilësoi si të kot dhe kërkoi nga KQZ-ja që të përsërit zgjedhjet në Junik apo ta eliminojë tërësisht partinë e Haradinajt nga gara e zgjedhjeve lokale.

“Nëse raporti ka dëshmuar se ka falsifikime zgjedhore nga bashkëpunëtorja e kandidatit të AAK-së për kryetar të Juniku, Agron Kuçit atëherë të pabesueshme e të kota janë reagimet e AAK-së për të mbrojtur ndershmërinë e rrejshme të votave në Junik, dhe KSHZ-ja duhet ripërsëritur vendvotimet e Junikut apo duhet eliminuar AAK-në nga garat e mëtutjeshme të zgjedhjeve lokale”, përfundoi Sulejman Mehazi, përcjell “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat