Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia, ka treguar nëse do të kthehet në pozitën e ministrit të Shëndetësisë nëse e humb garën për Prishtinën. Vitia tha se në asnjë variant nuk do të kthehet më në këtë post.
Lidhur me këtë, analisti Hidajet Ahmeti në një prononcim për “Bota sot”, ka potencuar se Vitia jep një imazh të një politikani të ndershëm, andaj, në bazë të profesionalizmit të tij, sipas Ahmetit, Vitia do të ishte mirë që të jetë prapë në pozitën e ministrit të Shëndetësisë.
Ai shtoi tutje se kandidimi për kryetar është përgjegjësi, gjë që edhe nëse humb duhet ta mbajë atë përgjegjësi, andaj edhe duhet penalizuar nga partia.
“Vendimi i zotit Vitia është për tu vlerësuar, pasi jep një imazh të politikanit të ndershëm, e jo karrierist. Nëse e gjykojmë në aspektin etik, atëherë mendoj më mirë do të ishte të mos kthehej, por nëse e gjykojmë në bazë të profesionailizmit, parimeve do të ishte mirë të ishte prapë në atë pozicion. Por, mbi të gjitha kandidimi për të parin e Prishtinës është përgjegjësi e jo privilegj, dhe nëse humb atëherë duhet të bartë edhe përgjegjësi. Prandaj, çdo politikan duhet ta ndjekë shembullin e tij e jo të ndihet komod pa asnjë përgjegjësi, dhe nëse humb prapë të kthehet në atë pozitë. Mendoj që duhet me u penalizu nga partia, nuk po them përgjegjësi individuale, por prapë i pari duhet ta bartë peshën më të rëndë të përgjegjësisë”, ka përfunduar Ahmeti.