Kosova është me fat që e ka aleat Amerikën

Politika

Kosova është me fat që e ka aleat Amerikën

Nga: A.M. Më: 30 tetor 2021 Në ora: 19:59
Flamuri i Kosovës dhe Amerikës

I ngarkuari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin, Gabriel Escobar, ia ka bërë me dije Serbisë se dialogu me Kosovën duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë.

Kjo gjë iu është bërë Serbisë me dije edhe më herët. Escobar ka deklaruar se SHBA-të mbështesin dialogun ku të dyja palët janë të barabarta.

“Së bashku e kemi bërë të qartë se dialogu është forum në të cilin të dyja palët, si të barabarta, duhet të punojnë për të zgjidhur dallimet e tyre dhe për të normalizuar marrëdhëniet, në mënyrë ideale përmes një njohjeje reciproke”, ka thënë ai.

E lidhur me këtë temë në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka folur analisti politik, Leon Duhanaj.

Ai tha se marrëdhëniet Kosovë-Serbi po shkojnë drejt degradimit, madje serbët që nga themelimi i Listës Srpsak nuk guxojnë as të deklarohen fare.

Image
Analisti politik, Leon Duhanaj.

“Për mendimin tim, tashmë edhe komuniteti ndërkombëtarë, përkatësisht SHBA, e kanë kuptuar se situata në status quo, veç sa shkon drejtë degradimit. Serbët që nga themelimi i Listës Srpska janë dezintegruar totalisht dhe edhe ata të cilët mendojnë për të ardhmen e tyre, nuk guxojnë të deklarohen fare”, deklaroi analisti.

Gjithashtu, Duhanaj vlerësoi se ka rritje të madhe të ndikimeve të shteteve lindore në regjionin e Ballkanit dhe marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Dhe, duke parë këtë gjë, ai kërkoi që të rritet presioni ndaj Serbisë për njohjen e pavarësisë së vendit tonë.

“Në anën tjetër, kemi rritjen enorme të ndikimeve lindore në regjion dhe duke qenë se marrëdhëniet Kosovë-Serbi llogariten si çelës i stabilitetit në rajon, është më se urgjente të lëvizin gjërat drejtë marrëveshjes. Në kontekstin e marrëveshjes finale, është më se e rëndësishme që Serbisë t'i bëhet e qartë se Kosova është temë e mbyllur për ta dhe njëkohësisht të rritet presioni ndaj tyre”, theksoi ai.

Në fund, analisti tha se për Kosovën më e rëndësishme është njohja e 5-shes evropiane, se sa njohja e Serbisë, pasi do t’i hapte rrugë anëtarësimit në OKB.

Po ashtu, ai potencoi se jemi me fat që e kemi Amerikës aleate, pasi me politikën e tyre karshi Ballkanit, lë shumë për të shpresuar në një rregullim të shpejt të situatës.

“Është me rëndësi të cilësohet njohja reciproke dhe anëtarësimi në OKB, sepse edhe nëse si kompromis ndodhë vetëm anëtarësimi në OKB dhe njohja de-facto, për Kosovën nuk do të përbënte problem. Për ne është me rëndësi njohja nga 5-shja evropiane dhe anëtarësimi në OKB, në mënyrë që të ecim me integrim, dhe nëse Serbia mendon ta mbajë si një trofe mosnjohjen de-jure të Kosovës, le ta mbajë.

Jemi me fat që e kemi SHBA-në aleat dhe se zhvillimet e kohëve të fundit në politikën e tyre karshi Ballkanit, lë shumë për të shpresuar në një rregullim të shpejt të situatës”,
përmbylli Leon Duhanaj, përcjell “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat