Politikania e Bosnjë-Hercegovinës, Sabina Çudiq, ka zbuluar disa detaje se çfarë ka ndodhur gjatë viteve 2018-2020 me planin për ndarjen e Kosovës.
Në rrëfimin e saj Çudiq shpjegon që ajo dhe ambasadorja Çitaku kishin një takim në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve, por agjenda kishte ndryshuar në minutën e fundit dhe ajo nuk kishte marrë pjesë në takim.
Me këtë deklaratë, mund të vërtetojmë se edhe ish-ambasadorja e Kosovës në Amerikë, Vlora Çitaku kishte përkrahur planin për ndarjen e Kosovës.
Kurse, analisti nga Amerika, Binak Maxharraj në një prononcim për gazetën “Bota sot” u shpreh se nuk u befasua nga fakti se Çitaku kishte njohuri për planin e ndarjes së Kosovës.
Maxharraj tha se ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA ishte shumë e afërt me ish-presidentin Thaçi, prandaj edhe dihej se ka qenë e informuar për projektin serbo-rus.
“Politikania nga BH Sabrina Çudiq "zbuloi" që Vlora Çitaku si ambasadore në SHBA ishte pajtuar me projektin mafioz serbo-rus të Hashim Thaçit për ndarjen e Kosovës e cila kujtojmë, ishte shumë e afërt me Hashim Thaçin. Aspak e çuditshme, kur dihet botërisht se afërsia e Vlora Çitakut me Hashim Thaçin dhe se rasti nuk paraqet ndonjë lajm”, deklaroi analisti.
Krahas kësaj, ai tha se lajm do të ishte nëse nënkryetarja e PDK-së do ta refuzonte këtë projekt për ndarjen e Kosovës, gjë që nuk e ka bërë as ajo, as partia e saj, PDK-ja.
“Lajm do të ishte sikur ambasadorja Vlora Çitaku ta refuzonte, ta kundërshtonte këtë projekt të rrezikshëm për sovranitetin e Kosovës. Por, këtë ajo nuk e bëri, por as PDK nuk e bëri, nuk u deklarua kurrë hapatas për këtë projekt të kryetarit të tyre”, përfundoi Binak Maxharraj.