Edi Rama me idenë për “Bashkimin Kombëtar” i bën argatin Serbisë me “Botën serbe”

Politika

Edi Rama me idenë për “Bashkimin Kombëtar” i bën argatin Serbisë me “Botën serbe”

Nga: M.H. Më: 31 tetor 2021 Në ora: 23:09
Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se bashkimi me Kosovën ka më shumë mundësi të ndodhë nëse mbesin të dy shtetet pa u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, sesa pasi të anëtarësohen.

Po ashtu, Rama deklaroi se konfliktet e mundshme në Ballkanin Perëndimor do të ndaleshin në rast të anëtarësimit në BE të shteteve që bëjnë pjesë në këtë rajon.

Mirëpo, është e çuditshme se një deklaratë e tillë vjen vetëm pak muaj, pasi kryeministri Rama bashkëpunoi me presidentin serb Aleksandër Vuçiq për “Ballkanin e Hapur”.

E për këtë, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka folur analisti politik, Skënder Mulliqi.

Ai përmend “Ballkanin e Hapur” e që thotë kjo është nismë e Ramës, Vuçiqit dhe Zaevit dhe se deklarimi i fundit i Ramës është një tjetër nismë rajonale e tij.

Dihet se "Ballkani i Hapur" është nisma e re e bashkëpunimit rajonal mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Pastaj, deklarimi i fundit i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Njëra është nismë rajonale, kurse tjetra është deklaratë për bashkim kombëtar si aspiratë e kahmotshme e të gjithë shqiptarëve. Por, kemi edhe një deklarim të Serbisë, për “Botën Serbe”, e cila edhe pse deklarim nga një shtet tjetër, sikur ka lidhshmëri më këto dy të parat të Edi Ramës. Ballkani i Hapur është ide e Edi Ramës, Vuçiqit dhe Zaevit”, shprehet ai.

Më tej, ai shton se Serbia nuk ka hequr dorë nga planet hegjemoniste në rajon, dhe ndaj veriut të Kosovës.

Deri më tash janë mbajtur disa takime të nivelit më të lartë të këtyre shteteve, e i fundit është mbajtur në Shkup në mbyllje të punimeve të pjesës zyrtare të Forumit Ekonomik, ku edhe u nënshkrua memorandumi dhe marrëveshja ndërshtetërore për lëvizje të lirë dhe bashkëpunim ekonomik. Nuk do të kishte asgjë të keqe nga një nismë e tillë sikur të bëhej kjo nga njerëz të tjetër, dhe në rrethana krejt të tjera politike. Serbia nuk ka hequr dorë nga planet hegjemoniste në rajon, dhe ndaj veriut të Kosovës. Lansimi i tezës së “Botës Serbe” është ide fashiste, ku haptazi kërkohet ndikimi i Serbisë, aty ku jeton vetëm një serb”, thekson Mulliqi.

Analisti thotë se synimi i gjithë shqiptarëve është BE-ja dhe se nga ky aspekt duhet shikuar edhe deklarimin që mund ta ketë bërë me pezëm Edi Rama.

Rama nuk po është konsistent në reagimet dhe deklarimet e tij politike të karakterit kombëtar, por edhe të karakterit ndërkombëtar. Synimi i gjithë shqiptarëve është BE-ja, edhe pse e cila po bukur shumë po përdorë arshin dualist politikë, kur bëhet fjalë për të ardhmen e Kosovës, por edhe të Shqipërisë, duke hezituar që më shpejt t’i pranon në gjirin e saj. Ndoshta edhe nga ky aspekt duhet shikuar edhe deklarimin që mund ta ketë bërë me pezëm Edi Rama, për bashkimin e Kosovës dhe të Shqipërisë”, potencoi analisti.

Mulliqi thotë se bashkimi nuk është lojë fjalësh “herë aspiratë”, e herë “lojë mendore”, siç po shprehet Edi Rama.

Ai gjithashtu thotë se këtë deklaratë e ka bërë për të rritur imazhin politik të tij.

“Kur bëhet fjalë rreth temës së bashkimit, duhet secili politikan të këtë seriozitet të madh, se bëhet fjalë për një çështje kapitale dhe synim të të gjithë shqiptarëve. Edi Rama deklarohet për bashkim, e në tjetrën anë më 3 nëntor, është planifikuar të takohet me Vuçiqin dhe Zaevin, për vazhdimin aty ku kanë mbetur të bisedimeve, e dihet se Bosnja, Kosova dhe Mali i Zi nuk janë duke përkrahur idenë për “Ballkan të Hapur”. Teza e bashkimit nuk përputhet me asgjë me “Open Ballkan”, kur dihet se Vuçiqi është duke kërcënuar Kosovën në vazhdimësi me intervenim ushtarak në veri. Bashkimi nuk është lojë fjalësh “herë aspiratë”, e herë “lojë mendore”, siç po shprehet Edi Rama. Sikur këto deklarata kanë të bëjnë më duket mua, më shumë për rritjen e rejtingut politik të tij, në njërën anë, kurse në anën tjetër pretendimi i Ramës për tu bërë lider i shqiptarëve”, potencoi ai.

Në fund analisti shton se nëse duan Rama dhe Kurti të kenë bashkim, ata mund të bashkëpunojnë mes veti në mënyra të ndryshme të tregojnë afërsinë e tyre.

Dyert e BE-së më shumë hapen duke punuar mirë si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, e jo me forma të presionit politik. Integrimi në BE po i mungon Kosovës dhe Shqipërisë që shumë kohë. Nëse vërtetë Shqipëria e kryeministrit, Edi Rama dhe Kosova e kryeministrit, Albin Kurti e dëshirojnë bashkimin, që të dytë e kanë mundësinë, të ecin përpara në aspektin e bashkëpunimit politik, ekonomik, kulturor, ushtarak etj”, përfundoi Mulliqi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat