Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti para se të zgjidhej kryeministër kishte premtuar ndaljen e korrupsionit dhe burgosjen e të gjithë të përfshirëve në korrupsion. Madje ishte paralajmëruar se gjatë qeverisjes Kurti, “peshqit” e mëdhenj do të përfundonin në burg.
Por deri më tani nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Për mos burgosjen e ‘peshqve’ të mëdhenj të përfshirë në korrupsion gjatë qeverisjes së PAN-it, kritika për qeverinë Kurti ka analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Gani Qarri.
Njohësi i zhvillimeve politike, Gani Qarri.
“Në fakt, siç dihet tanimë publikisht, gjatë fushatës paraelektorale dhe para se vet z. Kurti të vinte në krye të qeverisë si kryeministër i vendit, kishte premtime të mëdha, për rivendosjen e rendit e të ligjit, arrestimin e peshqve të mëdhenj si dhe burgosjen e kriminelëve, pushtetarëve të inkriminuar e politikanëve të korruptuar, por në realitet deri me tani, nuk ndodhi ajo që pritej e u premtua aso kohe me pompozitet dhe askush nga peshqit e “mëdhenj”, nuk janë akuzuar, arrestuar as dënuar tash e 6-7 muaj”, thotë Qarri për gazetën “Bota sot”.
Sipas tij, është e çuditshme edhe ngecja në konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar.
“Ndaj dhe habit fakti se çfarë po ndodhë në realitet me ligjin antimafia dhe ligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar, të personave të inkriminuar, përderisa përveç ndonjë alarmi të rrejshëm, askush nga peshqit e mëdhenj, nuk është arrestuar as paraburgosur dhe as që ka shenja të fillojë ndonjë lloj gjykimi i kësaj natyre”, thekson Qarri.
Ai thotë se Qeveria Kurti duhet ta shkarkojë kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezin, në rast së dëshiron t’i godas ‘peshqit’ e mëdhenj.
“Kështu që përpos asaj se që nga ardhja e Qeverisë aktuale në pushtet, jo vetëm që nuk duket në horizont, se së shpejti, ligji në fuqi do ta çojë në burg cilindo nga peshqit e mëdhenj, , por as ta akuzojë dhe burgos askënd për korrupsion e krim të organizuar edhe pse deklarohet publikisht, se janë zbuluar shumë afera skandaloze nga figura të njohura si peshq të mëdhenj me emër e mbiemër. Goditja e peshqve të mëdhenj nuk mund të ndodhë asnjëherë, siç nuk mund të vije as deri te konfiskimi i pasurisë së paligjshme të tyre, nëse Qeveria Kurti nuk arrin, jo më të premtoj, por t’i bëjë përfundimisht ndryshimet e nevojshme të ligjit dhe emërimet e figurave të pa komprometuara në prokurori dhe gjyqësi, deri te zëvendësimi i vet kryeprokurorit të shtetit Aleksandër Lumezi, aferat e të cilit me bashkëpunëtorë, vetëm disa kohë më herët, janë publikuar edhe në mediat publike”, deklaron analisti Qarri.
Për fund, Qarri thotë se burgosja e të inkriminuarve në krim, është sfida kryesore për Albin Kurtin, pas dialogut me Serbinë.
“Ndaj arrestimi i peshqve të mëdhenj, duhet medoemos të ndodhë, menjëherë dhe jo të pritet edhe 4-5 vite tjera, derisa të përfundojë Vetting-u, i paralajmëruar, pak ditë më parë, për vet faktin se pas dialogut me Serbinë, kjo është sfida kryesore, jo vetëm për Kryeministrin Kurti, por për gjithë Kosovën dhe qytetarët e saj”, përfundon për gazetën “Bota sot”, analisti politik, Gani Qarri.