Para pesë ditësh ishte përvjetori i vrasjes së Ukë Bytyçit, hero i luftës dhe i demokracisë. Njëri nga bashkëpunëtorët lokalë më besnik dhe më me ndikim të presidentit Rugova. Konsiderohej si njeri i pathyeshëm, që nuk mund ta blinin, as ta përkulnin forcat e errëta, dhe kundërshtare të presidentit Rugova. Uka është vrarë duke festuar fitoren e dytë në zgjedhjet lokale të vitit 2002, me 27 tetor.
Sot, e ka 22 vjetorin e vrasjes Haki Imeri. Përveç se një intelektualë, shkrimtarë, përkthyes e veprimtarë i guximshëm e i pathyeshëm, mua më lidhë një moment emocional. Para 22 vitesh sapo kisha filluar gazetarinë. Me të dëgjuar lajmin, u përpoqa të bëja një shkrim, madje duke intervistuar edhe qytetarë, studentë dhe të tjerë, se si ndiheshin nga kjo lloj fryme, që shoqërohej me vrasje politike. Ishte thuaja përgjigje unanime, se këto vrasje nuk duhej të ndodhnin, një solidaritet i plotë me viktimat.
Atëherë nuk e njihja askë nga kjo familje, dhe gjithçka dija, ishte se ai kishte qenë një veprimtarë i LDK-së, dhe edhe pse arsimtar (i gjuhës angleze), ishte vrarë teksa po kthehej në shtëpi, pasi e kishte kryer mësimin.
Sot, ajo që dihet është se ai ka qenë arsimtar edhe i ish kryeministrit dhe presidentit Hashim Thaçi, asokohe kryetar i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës (QPK).
Sot, familja e tij, vazhdon t’i vuajë, jo vetëm vrasjen e prindit, bashkëshortit, vëllait..., por edhe ndasinë që ua ka shkaktuar po Hashim Thaçi, nëpërmjet një takimi në një shtëpi të familjarëve të të vrarit, pasi ishte betuar se ai nuk kishte gisht.
Por, pas sa vitesh, sërish kjo familje beson, se nuk ka një njeri më të dyshuar apo më përgjegjës për jetën e Hakiut, se vetë të akuzuarit nga Gjykata speciale.
Në letrën publike të kësaj familje ku ndër të tjera i drejtohen gjykatësve të speciales, që në një mënyrë i kanë ngushëlluar këto familje me arrestimet, por janë të shqetësuar se të arrestuarit, nëse kthehen në liri, do të mund të arratisen dhe kurrë më të mos dalin para drejtësisë: “Të nderuar Prokurorë të Dhomave të Specializuara dhe gjyqtarë të Gjykatës Speciale iu falënderojmë për profesionalizmin, vendosmërinë e juaj që më në fund po shëroni plagët e shoqërisë sonë me përpjekjet e juaja për të sjellë drejtësi për viktimat....
Një duhet ta keni të qartë se lirimi i tyre me kusht që të mbrohen në liri mund të jetë një goditje për ju (drejtësinë).Tashmë ata janë në dijeni të përmbajtjes së aktakuzës dhe lirimi i tyre që të mbrohen në liri mund t’u kushtojë me arratisjen e tyre”.
Ndërsa, pas tri jave bëhen 21 vjet nga vrasja e Xhemail Mustafës, këshilltarit të presidentit Ibrahim Rugova, një njeri i jashtëzakonshëm, me të cilin sapo kishim filluar një miqësi, ndërsa ai po vazhdonte të botonte shkrime në “Bota sot”.
Datat e viktimave të vrasjeve politike, e mbushin thuaja gjithë vitin, por përgjegjësi thuaja nuk ka dhënë askush, apo vetëm pjesërisht sikurse në rastin e Ukë Bytyçit.
Askush nuk është arrestuar as për shokun tim gazetarin Bardhyl Ajeti, i vrarë tashmë prej më se 16 vitesh, as për shokun tjetër gazetarin Bekim Kastratin e vrarë, para 19 vitesh, që të dy kolegë në “Bota sot”, as për Besim Dajakun, truproje e presidentit Rugova, as për bashkëpunëtorin e ngushtë të tij Enver Malokun, dhe me dhjetëra të tjerë, figura e personalitete të njohura si komandant “Drini”, apo plagosja e trefishtë e profesor Sabri Hamitit.
Ndërsa, nuk mund t’i shpëtojnë drejtësisë ata që e vranë ministrinë e Luftës, kolonel Ahmet Krasniqin, 23 vjet më parë.
Por, e vetmja shpresë për këto familje është gjykata speciale, ani pse ende shumë familje vazhdojnë të heshtin, dhe të vuajnë në mosbesim, vrasjet e më të dashurve të tyre.
Prandaj, gjykata speciale, duhet të ketë parasysh para së gjithash shqetësimet e këtyre familjeve, para se të vendosë, nëse vërtetë policia e Kosovës dhe strukturat tjera mund t’i ofrojnë siguri asaj, se të arrestuarit nga ajo, do të mbahen të izoluar, dhe se nuk do të kenë mundësi të ikin.
Ka informacione të besueshme, se disa dëshmitarë të kësaj gjykate janë ekzekutuar, dhe po ashtu për vrasjet e tyre nuk ka asnjë të arrestuar.