“Nëse Edi Rama mendon si Vuçiqi, kriza për një luftë të re në Ballkan mund të thellohet”

Politika

“Nëse Edi Rama mendon si Vuçiqi, kriza për një luftë të re në Ballkan mund të thellohet”

Nga: A.Sh. Më: 2 nëntor 2021 Në ora: 18:28
Edi Rama, Aleksandër Vuçiq

Nesër Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në një organizim për nismën “Ballkani i hapur”.

Në këtë ngjarje që do të mbahet në Beograd do të marr pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Rama e Vuçiq, kësaj radhe do të jenë pa ish kryeministrin maqedonas Zoran Zaev.

Aty Maqedonia do të përfaqësohet vetëm nga një zyrtar.

Kujtojmë këtu se Kosova e ka kundërshtuar “Ballkanin e hapur”.

Lidhur me këtë, analisti politik, Skënder Mulliqi, ka thënë se Edi Rama nuk ka pse të marrë pjesë në një takim të tillë, kur dihet se Serbia nuk ka kërkuar falje për krimet që ka bërë në Kosovë.

“Nëse Serbia nuk ka kërkuar dhe nuk po kërkon falje për viktimat u luftës, nuk po e pranon pavarësinë dhe po kërcënohet me luftë, nuk e di se si kryeministri i Shqipërisë ka marr një nismë së bashku më Vuçiqin dhe Zaevin e dorëhequr për “Open Ballkan”! Serbia pretendimet territoriale ndaj Kosovës nuk i ka hequr, madje ajo po kërcënon me luftë, që Asociacionin ta bëjë faktik”, ka thënë ai.

Më tej, Mulliqi thotë se Rama e di mirë historinë e Kosovës dhe nuk po heqë dorë nga nisma për “Ballkanin e hapur”.

“Deklarimet politike të Edi Ramës për bashkim të Kosovës më Shqipërinë, me Serbinë e Vuçiqit mund të vjen në shprehje vetëm nëse veriu i takon Serbisë me shumë enklava të tjera serbe. Nëse këtë gjë e mendon edhe Rama e që nuk dua ta besoj, atëherë kriza për një luftë të re në Ballkan, mund të thellohet. Këtë e kishte kërkuar edhe ish presidenti serb, Boris Tadiq. Ai kishte kërkuar ndarjen e Kosovës, dhe pastaj deklarimi i tij, se mund të vjen në shprehje formimi i Serbisë së Madhe në njërën anë, dhe Shqipërisë të Madhe në anën tjetër. Këtë logjikë e kanë pasur të gjithë udhëheqësit e Serbisë, duke filluar nga babai i kombit serb, Dobrica Çosiqi. Të gjithë këto i dinë mirë, Edi Rama, dhe nuk po heq dorë nga nisma e Ballkanit të Hapur, edhe pse në këtë nismë kanë mbetur vetëm me Vuqiqin, pas dorëheqjes të Zaevit nga posti i kryeministrit të Maqedonisë Veriore. Çdo vazhdim i implementimit të kësaj nisme është kompremetuese për Shqipërinë dhe për vetë kryeministrin Rama”, thotë analisti.

Ai deklaron se ky takim mes kryeministrit Rama me Vuçiqin në Beograd, nuk do të sjellë asgjë të re, pa dakordimin e Kosovës, Bosnjës dhe Malit të Zi, dhe tash duhet pritur edhe qëndrimin zyrtar të pasardhësit të Zaevit.

“Serbia e pasardhësit të Millosheviqit nuk ka e ka dert punën e integrimeve, por ka pretendime me ndihmën e aleatit të saj Rusisë, edhe të daljes në portin e Durrësit. Takimi i radhës të kryeministrit Rama me Vuqiqin në Beograd lidhur më këtë temë, nuk do të sjellë mendojë unë asgjë të re, pa dakordimin e Kosovës, Bosnjës dhe Malit të Zi, dhe tash duhet pritur edhe qëndrimin zyrtar të pasardhësit të Zaevit. Çdo nismë rajonale për integrime ekonomike që lidhen edhe me ato politike, do të jetë e pa realizishme. Si të kemi integrime rajonale kur nuk kemi integrime ashtu si duhet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë? Tjetër”, shprehet Mulliqi.

Ai shton se gjatë bisedimeve me palën serbe, duhet punë e madhe në koordinim me Amerikën dhe BE-në, që mos të pranohet Asociacioni me kompetenca ekzekutive, që bie ndesh edhe me 21 nene të Kushtetutës.

“Edhe këtë fakt ishte dashur ta këtë parasysh Edi Rama, për të ndërprerë një nismë të tillë absurde. Jo që Serbia ka mbetur shtet i pa reformuar, por ka plasuar idenë për “Botën Serbe”, që është ide fashiste. Kjo nismë serbe është kthim i proceseve në kohën e viteve të 90-ta, të shekullit të kaluar, kur edhe plasi lufta në ish-Jugosllavi. Faktorit politik shqiptarë i duhet uniteti më shumë së kurrë më parë, që të ndalët hegjemonia politike, por edhe ushtarake ruso-serbe ndaj tokave shqiptare..!”, përfundon për “Bota sot”analisti Skënder Mulliqi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat