Kosova larg integrimit në BE dhe NATO, Kelmendi tregon se kush janë fajtorët

Politika

Kosova larg integrimit në BE dhe NATO, Kelmendi tregon se kush janë fajtorët

Nga: A.Z Më: 2 nëntor 2021 Në ora: 21:14
Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës

Mosnjohja e Kosovës nga katër shtete evropiane që janë edhe pjesë NATO-s, është pengesa kryesore për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, u tha në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kuvendin e Kosovës.

Lidhur me anëtarësimin e Kosovës në NATO, para anëtarëve të këtij komisioni raportoi të martën ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj.

Kosova, siç tha ai, ka nënshkruar dhjetëra memorandume bashkëpunimi dhe marrëveshje të ndryshme me shtetet anëtare të NATO-s, kurse “127 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës po ndjekin studime dhe trajnime jashtë vendit”.

Megjithatë, ka hapësirë që bashkëpunimi me NATO-n të thellohet, tha Mehaj.

Lidhur me këtë, juristi Muhamet Kelmendi në një prononcim për “Bota sot”, deklaroi se anëtarësimi në NATO është shumë larg, madje sipas tij, jepen edhe deklarata që nuk kanë të bëjnë me realitetin.

Kelmenti thekson se kjo largësi vjen nga kundërshtimet dhe interesat e ndryshme gjeostrategjike të shteteve në UE.

“Anëtarësimi në NATO është shumë larg, në politike sidomos në Kosovë, nga ministrat, si i mbrojtjes dhe i punëve të jashtme, jepen lloj-lloj deklarata, të cilat fare me realitetin nuk kanë të bëjnë. Marrëveshje bashkëpunimi ka dhe do të ketë edhe në të ardhmen. NATO është me KFOR në Kosovë. Kosova është shumë larg integrimeve në UE dhe në NATO. Kjo largësi vjen jo pse Kosova nuk i ka plotësuar kushtet për liberalizim të vizave, anëtarësim në Këshillin e Evropës, në OKB e në organizata tjera, por vjen kryesisht nga kundërshtimet dhe interesat e ndryshme dhe të kundërta gjeostrategjike të shteteve në UE, dhe jashtë këtij mekanizmi etj”, tha ai.

Ai tutje shtoi se kundër kësaj janë edhe shtete e fuqishme.

“Këtu janë kundër jo vetëm 5 shtetet që nuk e kane pranuar shtetin e Kosovës, por janë edhe shtetet e fuqishme, si Franca, Holanda, Danimarka etj, që janë kundër. Nuk po përmendi këtu shtetet ( shih: Rusia e Kina) që tradicionalisht janë kundër pavarësisë së Kosovës. Deklaratat e pamatura të dy ministrave, sidomos të punëve të jashtme, për gjoja strategjinë që kanë në çështjet e integrimeve janë qesharake. Kosova nuk ka strategji. Edhe nëse përpiqet të ketë, çështja varet shumë, në integrime, nga SHBA-të, UE dhe Anglia”, shtoi Kelmendi.

Më tej ka theksuar se Kosova duhet të punojë me çdo subjekt relevant politik dhe me në një strategji me miqtë e saj, po ashtu Kosova duhet të punoj në zhvillim ekonomik dhe në një politikë stabile dhe antikriminale.

“Këtu ka ndikim edhe Rusia dhe Kina. Kosova duhet të punojë në unitet me çdo subjekt relevant politik në një strategji të koordinuar me miqtë strategjik të sajë. Deklaratat e përgatitjes dhe të strategjisë së këtyre ministrave për integrime, nuk e integrojnë Kosovën. Ato janë deklarata për ushqim të brendshëm. Kosova duhet të punoj në zhvillim ekonomik, në fuqizimin e mekanizmave mbrojtjes të vendit dhe në një politikë stabile dhe antikriminale", ka përfunduar Kelmendi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat