Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk ka datë për nisjen e dialogut me Serbinë. Ai ka thënë se kjo është në dorën e BE-së, e po ashtu në dialog do të bisedohet për çështjen e boksierëve që ka ndodhur së fundmi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk ka datë për nisjen e dialogut me Serbinë. Ai ka thënë se kjo është në dorën e BE-së, e po ashtu në dialog do të bisedohet për çështjen e boksierëve që ka ndodhur së fundmi.
“Së pari me bllokimin që ua bëri boksierëve tanë Serbia në kufi e shpërfaqi edhe njëherë fytyrën dhe thelbin e saj si shtet për ata që kanë pasur dilema. Natyrisht që të gjitha këto çështje adresohen edhe në Bruksel, këto do të adresohen edhe para se të ketë takim në Bruksel sepse ne jemi vazhdimisht në komunikim me ta përmes letrave që ua dërgojmë dhe takimi do të mund të ndodhte diku në gjysmën e dytë të nëntorit sa i përket përfaqësuesve të dy shteteve tona ndërkaq sa i përket udhëheqësve të dy shteteve tona nuk ka ndonjë datë për këtë gjë por besoj që kjo varet në masë të konsiderueshme prej ndërmjetësuesit apo lehtësuesit që është përfaqësuesi i lartë zotëri Borrell përkatësisht emisarit të tij zotit Lajçak”, ka thënë ai.
Por nga ana tjetër, presidenti serb Aleksandër Vuçiq, po këmbëngulë në formimin e asociacionit dhe po pret përgjigje nga BE lidhur me deklaratën e presidentes Osmani, se Asociacioni nuk do të formohet dhe se ai është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese.
Për mos formimin e Asociacionit është deklaruar vazhdimisht edhe kryeministri Kurti, i cili ka thënë se nuk do ta formojë atë.
Duke qenë kështu, çfarë mund të pritet nga takimi i ardhshëm i Kurtit dhe Vuçiqit, që ende nuk dihet se kur do të ndodhë?
Mehazi: Albin Kurti nuk e lutë BE-në për të dialoguar me Serbinë
Lidhur me këtë profesori Sulejman Mehazi, në një përgjigje për "Bota sot", ka thënë se po vërehet se kryeministri Kurti ka ndryshuar kahjen e dialogut.
Madje, sipas tij, Albin Kurti jo që lut BE-në për të dialoguar me Serbinë, por edhe mohon takimet të tilla të pafrytshme me Lajçakun e BE-së e Vuçiqin e Serbisë në Bruksel.
"Vërehet se kryeministri Albin Kurti ka ndryshuar kahjen e dialogu me Serbinë që nga ardhja e tij në krye të qeverisë, tani më nuk mund as Vuçiqi e as BE-ja të diktojnë tempo e të vendosin datë takimesh në Bruksel. Albin Kurti jo që lut BE-në për të dialoguar me Serbinë, por edhe mohon takimet të tilla të pafrytshme me Lajçakun e BE-së e Vuçiqin e Serbisë në Bruksel. Me ardhjen e Albin Kurtit në krye të qeverisë humbën idetë e Vuçiqit për shkëmbime territoresh, aq sa kryeministri Kurti dalëngadalë e me kohë do të shkrijë edhe idetë e fundit politike të presidentit serb Aleksandër Vuçiq për "zajednicat" të qyteteve serbe në Kosovë. Ky mohim i dialogut me Serbinë, kurrsesi nuk e dëmton Kosovën, po BE-së do t’i dalë në shesh neglizhenca e mos angazhimi të zgjidhjes së problemin Kosovë - Serbi", ka thënë ai.
Tutje, ai ka thënë se deklarata e Kurtit domethënë se kur BE-ja do disiplinonte presidentin e Serbisë e do të stabilizohej me kërkesat kushtetuese të Kosovës, atëherë kryeministri i Kosovës do të pajtohej të dialogonte me Serbinë.
"Po të analizojmë deklaratën e Albin Kurtit i cili tha se nuk ka datë takimi me Vuçiqin në Bruksel dhe se takimi i ardhshëm do të "varet nga BE-ja" se si do të sillej ndaj Serbisë e cila nuk pranoi edhe boksierët kosovarë në Serbi e jo më të dialogohet me Vuçiqin, dhe se BE-ja në momentin kur do disiplinonte presidentin e Serbisë e do stabilizohej me kërkesat kushtetuese të Kosovës atëherë kryeministri i Kosovës do pajtohej të dialogonte me Serbinë", është shprehur profesori.
Sipas tij, Vuçiqi para se të kërkojë asociacionet serbe në Kosovë, duhet të ndërrojë Kushtetutën për t'i larë duart nga Kosova, të kërkojë falje për krimet e serbe në Kosovë dhe të njoh pavarësinë e Kosovës.
"Kur Lajçaku e Borrelli do t’i jepnin shtypje e tensione politike Vuçiqit për të hequr dorë nga asociacionet serbe në Kosovë e në vend kërkesave të mini-republikës serbe, qeveria e Kosovës të pajtohej me do Organizata Jo Qeverisëse Serbe në Kosovë, hiç më pak e hiç më shumë po të llojeve kushtetuese të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës në Serbi. Vuçiqi para se të kërkojë asociacionet serbe në Kosovë duhet të ndërrojë Kushtetutën për t'i larë duart nga Kosova, të kërkojë falje për krimet e serbe në Kosovë dhe të njoh pavarësinë e Kosovës. Pa këto tri pika politike kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kurrë nuk duhet të pajtohet me Vuçiqin", ka deklaruar Sulejman Mehazi për gazetën “Bota sot”.
Kelmendi: Serbia angazhohet për pushtimin e Kosovës me luftë
Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi, ka thënë edhe pse dihet që ende nuk ka një datë, nuk priten hapa konkret sa i përket dialogut.
"Në takimin e ardhshëm midis Kosovës dhe Serbisë nuk priten hapa konkret në dialogim. Natyrisht se nuk dihet se edhe kur do të ketë takim. Kosova dhe Serbia janë shumë larg mundësive që të realizojnë apo zgjidhin ndonjë çështje domethënëse midis Kosovës dhe shtetit kriminal serb me dialogim. Pikëpamjet dhe qëndrimet e shteteve janë larg", ka thënë ai për “Bota sot”.
Ai thotë se me të drejtë Kosova po kërkon njohje të shtetit, mbi të cilën ecet pastaj në gjetjen e kufomave të të zhdukurve.
"Kosova kërkon njohje të shtetit. Mbi këtë dëshiron dhe është që të ecet pastaj në gjetjen e kufomave të shqiptarëve të zhdukur në Serbi. është gjithashtu dëmshpërblimi, përgjegjësia penale dhe shumë çështje tjera, të cilat në reciprocitet mund të zgjidhen", ka vlerësuar ai.
Kelmendi ka theksuar se Serbia ka agjendë tjetër, andaj sipas tij, pa SHBA, vetëm me BE dhe politikanët e kalibrit Borrell - Lajçak, si njerëz tipik anti pavarësisë dhe shtetit të Kosovës, çështja nuk zgjidhet.
"Serbia ka agjendë tjetër. Pushtimin e Kosovës apo ndarjen e saj, në fund Asociacionin serb në Kosovë. Këto dy anë janë shumë larg njëra-tjetrës. Afërsia do të varet kryesisht nga SHBA-të. Me SHBA ka mundësi të zgjidhen çështjet me Serbinë me dialogim. Pa SHBA, vetëm me BE dhe politikanët e kalibrit Borrell - Lajçak, si njerëz tipik anti pavarësisë dhe shtetit të Kosovës, çështja nuk zgjidhet. Konfliktet mbesin dhe natyrisht se varet e tërë çështja pastaj nga forcat ushtarake në terren. Mund të shkojë situata deri të konfliktet e armatosura. Për këtë po punon Serbia", ka deklaruar profesori Muhamet Kelmendi për gazetën “Bota sot”.