Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se bashkimi i Kosovës me Shqiperinë, ka më shumë gjasa të ndodh nëse këto dy vende nuk futen në Bashkimin Evropian. Në një intervistë për të përditshmen gjermane “Merkur”, Rama ka deklaruar se konfliktet në Ballkanin Perëndimor do të ndaleshin nëse shtetet bëhen pjesë e familjes së madhe evropiane.
Për krejt këtë, analisti dhe publicisti Rexhep Shahu thotë se Edi Rama po hedh tym, në mëyrë që të mashtrojë shqiptarët.
“Edi Rama nga shkon hedh tym që të mjegullohet e ardhmja dhe njerëzit të çorientohen prej tymit.Ai kritikon BE-në duke dashtë me ia lënë fajet BE-së pse Shqipëria e Edi Ramës nuk futet në BE. Në fakt Shqipëria e qeverisur prej Edi Ramës, me kanabizim masiv, me delegim të funksioneve të shtetit tek PPP e tij, me krijim të pamundësive për qytetarët që detyrohen të emigrojne masivisht, nuk ka merituar të jetë në BE. Por nisur nga parime me humane, për të shpëtuar shqiptarët dhe për ta kufizuar pushtetin e qeverisë shqiptare e për ta kontrolluar këtë pushtet abuziv, BE duhej ta pranonte Shqiperinë në kopshtin e saj”, thotë Shahu për “Bota sot”.
Sipas tij, Kosova kurrë nuk mund të bashkohet me Shqipërinë nën udhëheqjen e Edi Ramës.
“Kërcënimi i Edi Ramës me bashkim të Shqipërisë me Kosovën është shakaja me banale. Nuk bashkohet kurrë Shqipëria me Kosovën nën udhëheqjen e Edi Ramës sepse Kosova nuk i beson asnjëherë Edi Ramës dhe Shqipëria socialiste nuk e pranon bashkimin me Kosovën, partia e Edi Ramës nuk pranon të mos ketë pushtetin. E në rast të një bashkimi me Kosovën partia e Edi Ramës nuk mund ta ketë pushtetin edhe pse mund të rriten enveristët në Kosovë.Me Edi Ramën ndoshta nuk hyjmë edhe 50 vjet në BE, por e sigurtë që me Edi Ramën nuk bashkohet kurrë Shqipëria me Kosovën”, shprehet Shahu.
Më tej, ai thotë se bashkimi i Shqipërisëme Kosovën nuk është në dorë të shqiptarëve aktualisht.
“Ndërsa sa thotë se konfliktet në Ballkan do të ndaleshin po të hynin në BE vendet e Ballkanit, kjo është e vërtetë, pasi pastaj do të administronte politikat e mëdha vetë BE.Bashkimi i Shqipërisëme Kosovën nuk është në dorë të shqiptarëve aktualisht. Vetem pasi Kosova të bëhet shtet në OKB, vetëm pasi të sigurohet mbështetja e sigurtë e Amerikës dhe e Fuqive të mëdha, vetëm pasi të bëhen referendumet për bashkim kombëtar në Shqipëri e Kosovë, vetëm pasi të vendoset forma e mënyra e bashkimit, në formë konfederate apo në mënyrë tjetër, vetëm atëherë mund të ndodhë bashkimi kombëtar i dy shteteve sovrane shqiptare”, shpjegon më tej Shahu.
“Të gjitha përfoljet e tjera për bashkim kombëtar janë përralla me bisht të gjatëdhelpre, janë biznese politike dhe financiare, janë përralla me mbret si këto që tregon Edi Rama në gazetën gjermane apo që kanë treguar mjaft politikanë periferike folklorike sit e VV e te ndonjë klubi tjetër politik”, përfundon për “Bota sot”, analisti dhe publicisti Rexhep Shahu.