Flet për Bota Sot vëllai i Besim Dajakut: I jemi mirënjohës presidentes që nuk i la në harresë Bekimin e Besimin

Politika

Flet për Bota Sot vëllai i Besim Dajakut: I jemi mirënjohës presidentes që nuk i la në harresë Bekimin e Besimin

Nga: M.L. Më: 3 nëntor 2021 Në ora: 14:40
Kastratin e Dajakun, presidentja Osmani i dekoroi për kontributin dhe veprimtarinë e tyre atdhetare

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dekoroi sot me Urdhrin “Hasan Prishtina, gazetarin e gazetës “Bota sot”, Bekim Kastrati dhe Truprojën e Presidentit historik, Ibrahim Rugova që u vranë 20 vjet më parë në një pritë të organizuar në hyrje të Skenderajt.

Kastratin e Dajakun, presidentja Osmani i dekoroi për kontributin dhe veprimtarinë e tyre atdhetare.

Vendimin e presidentes e ka komentuar për gazetën “Bota sot”, Xhevat Dajaku, vëllai i ish truprojës së Presidentit Rugova, Besim Dajaku.

Xhevat Dajaku thotë se dekorimi i njerëzve që dhanë kontribut për atdheun dhe shoqërinë është vlerë fundamentale dhe e çmueshme.

Sipas tij, me vendimin e sotëm presidentja Osmani tregoi seriozitetin e saj.

Dekorimi i njerëzve të devotshëm që kanë dhënë për atdheun e për shoqërinë në përgjithësi, është një vlerë fundamentale dhe shumë e çmueshme.

E nderuara Presidente, me vendimin e sotëm, ka treguar edhe njëherë seriozitetin, ndjeshmërinë e saj shpirtërore e institucionale, të lidhura ngushte dhe me përkryeshmëri njerëzore”, u shpreh Dajaku për “Bota sot”.

Ai tha se si familje janë ndjerë shumë të emocionuar për dekorimin që iu bë Bekim Kastratit e Besim Dajakut.

Jam ndjerë shumë i emocionuar, që na ka bërë të ndjehemi edhe më lehtë me këtë dekorim, duke mos i lënë në harresë Institucionale Besim Dajakun dhe Bekim Kastratin, që e deshën dhe dhanë aq shumë për këtë vend. I jemi mirënjohës dhe e falënderojmë për vullnetin e saj! Zoti e bekoftë popullin e Kosovës, Zoti i bekoftë Besim Dajakun dhe Bekim Kastratin, Zoti e bekoftë presidenten Vjosa Osmani!”, përfundoi ai.

Kujtojmë që 20 vjet më parë, pas një atentati të organizuar mirë nga grupet kriminale, kanë mbetur të vrarë Bekim Kastrati, gazetar i gazetës kombëtare “Bota Sot” dhe Besim Dajaku, pjesëtar i sigurisë së Presidentit Ibrahim Rugova.

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat