Një nga temat e diskutuara së fundmi është bashkimi Kosovë-Shqipëri.
Këtë ide e kanë përmendur shumë liderë të vendit, përfshirë këtu kryeministrin Kurti dhe kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Mirëpo, së fundmi ai që përmendi këtë ide ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përcjell “Bota sot”.
Rama ka thënë se bashkimi me Kosovën ka më shumë mundësi të ndodhë nëse BE nuk na pranon.
Rama në një intervistë me të përditshmen gjermane “Merkur” thotë se konfliktet e mundshme në Ballkanin Perëndimor do të ndaleshin në rast të anëtarësimit në BE të shteteve që bëjnë pjesë në këtë rajon.
Ai përmendi si shembull Irlandën.
“Tensionet e fundit në veri të Kosovës nuk krahasohen me tensionet e kohëve të mëparshme. Madje faktikisht sot kundërshtarët e dikurshëm duan të anëtarësohen të gjithë së bashku në BE. Konfliket ushtarake lindin kur shtetet janë të izoluara e jo kur janë në një bashkësi. Kujtoni zhvillimet pozitive që sollën marrëdhëniet franko-gjermane apo dhe rastin e Irlandës. Rreziku që BE-ja të importojë konflikt brenda shtëpisë është thuajse zero. Bashkimi me Kosovën? Lojëra të tilla mendore janë shumë më të mundshme jashtë BE-së sesa brenda saj”, deklaroi Rama.
Kujtojmë që ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë ka acaruar gjithmonë Serbinë.
Mehazi: Deklarata e Ramës për bashkimin kombëtar, loja e radhës e tij
![Image](/media/botasot.info/images/2021/November/03/auto_auto_mehaz15951872881635960629.jpg)
Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Sulejman Mehazi, i cili ka thënë se kjo deklaratë është vetëm një lojë tjetër e Ramës dhe njëkohësisht e dëmshme për politikën.
“Deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, se "nëse mbesim pa u anëtarësuar në Bashkimin Evropian" Shqipëria do bashkohet me Kosovën, më shumë është frazë e dëmshme politike që shkon në mullirin politik të Ballkanit të Hapur të Serbisë e kurrsesi të shqiptarëve, sidomos është shumë e dëmshme për Republikën së Kosovës amerikane. Atë që e thotë me dekada elita politike serbe tani e thotë edhe vëllai politik i serbëve, Edi Rama, i cili inspiron Vuçiqin të gllabëronte pjesën më vitale të Kosovës. Deklarata e Ramës për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë është lojë për të shtuar apetitet e mediave serbe e asgjë më shumë”, thotë ai.
Profesori shton se Rama e di që SHBA-të, BE-ja dhe NATO-ja, nuk e dëshirojnë bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë, pasi kur e kanë çliruar Kosovën ata, kanë dëshiruar të krijojnë shtetin e dytë të pavarur shqiptar në Ballkanin Perëndimor.
“Edi Ramë e di dhe e ka të qartë se SHBA-ja, BE-ja e NATO-ja nuk e bënë luftën me Serbinë për të bashkuar Kosovën me Shqipërinë, por luftuan për ta krijuar Kosovën shtet të pavarur e sovran kundër Serbisë, dhe të gjitha kërkesat tjera politike të shqiptarëve janë në kundërshtim me SHBA-në, BE-në e NATO-n e në dobi të Serbisë e Rusisë. Të kishte dashur SHBA-ja e BE-ja me fluturaket e NATO-s që më 1999 e kishin bashkuar Kosovën me Shqipërinë, po qëllimi i fuqive globale në botë ka qenë që të krijojnë shtetin e dytë e të pavarur shqiptar në Ballkanin Perëndimor me emrin Republika e Kosovës e hiç më shumë”, thotë profesori.
Në bisedë e sipër, ai thotë se Rama do të na hidhërojë me SHBA-të e BE-në për të na kthyer planet e Vuçiqit dhe Hashim Thaçit për shkëmbime territoresh.
“Edi Rama do të na hidhërojë me SHBA-në e BE-në për të na kthyer planet e Vuçiqit dhe i Hashim Thaçit për shkëmbime territoresh. Edi Rama, para se të bashkojë Shqipërinë me Kosovën, le të bashkohet me vëllain e vetë që rri ndarë. Vëllai me vëllain nuk mund të jetojnë bashkë e ky kërkon bashkimin e Shqipërisë me Kosovën”, nënvizoi Mehazi për “Bota sot”.
Kapiti: Bashkimin kombëtar Rama e ka përdorur vetëm si retorikë për interesa personale pushteti
![Image](/media/botasot.info/images/2021/November/03/auto_kapiti1635960631.jpg)
Ndërsa, analisti politik tjetër, Skënder Kapiti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që Rama ka përmendur bashkimin kombëtar vetëm për interesa personale pushteti.
Ai thotë se Rama më shumë i ka kushtuar rëndësi marrëdhënie me serbët se sa me shqiptarët.
“Pothuajse në këtë plan patriotiko-retorik të gjithë shtetarët e Tiranës kanë qenë dhe mbeten identikë në hipokrizi e spekulime. Për çfarë bashkimi kombëtar mund të besohet kryeministri Rama, kur dihet tashmë se çfarë patrioti është ai, kur ai më shumë rëndësi u ka kushtuar marrëdhënieve shqiptaro-serbe se sa atyre shqiptaro-shqiptare, më shumë i afërt është treguar me Beogradin se sa me Prishtinën, më shumë i intereson minishengeni ballkanik se sa ai shqiptaro-shqiptar”, thekson ai.
Kapiti kujton një deklaratë të Ramës gjatë fjalimit të tij ku tha se bashkimi kombëtar do të ndodhë vetëm në Bashkimin Evropian.
“Bashkimin kombëtar e përmend vetëm sa për hipokrizi e për të mbuluar e justifikuar dështimet e qeverisë së tij në përmbushjen e standardeve, detyrave e kushteve të vendosura nga BE-ja që ai dhe qeveria e tij duhet që t’i plotësojnë. Në qershor 2016 Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e dy qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë ka thënë: “Ëndrra jonë për Bashkimin Kombëtar do të ndodhë në Bashkimin Evropian”, thotë Kapiti.
Gjithashtu analisti përmend edhe një tjetër deklaratë të Ramës i cili ka përjashtuar çdo mundësi që të ketë bashkim të dy vendeve.
“Tjetra për Ramën: Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për Al Jazeera Balkans ku ka folur edhe lidhur me bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës. Ai ka përjashtuar çdo mundësi që Tirana zyrtare ka për qellim bashkimin e dy vendeve dhe sipas tij, kjo gjë nuk ka qenë kurrë qëllim”, thekson analisti.
Në fund, ai shton se politika e Tiranës ka rënë viktimë e politikës së Beogradit dhe se gjithmonë ajo i ka shërbyer Serbisë.
“Gjithmonë politika e Tiranës ka rënë viktimë e politikës së Beogradit pasi termi “Shqipëri e Madhe” është sajesë e Serbisë për t’i shërbyer Serbisë së Madhe, pasi shqiptarët nuk kërkojnë Shqipëri të Madhe ,nuk kërkojnë troje të shteteve dhe as troje me popullsi joshqiptare, por është e drejta e shqiptarëve që të kenë shtetin e tyre etnik shqiptar”, përfundoi Kapiti për “Bota sot”.