Shefi i grupit parlamentar të LDK-ës, Arben Gashi befasoi me deklaratën e tij për rrëzimin e Qeverisë Kurti I.
Ai zbuloi prapaskenat e këtij rrëzimi të qeverisë, ku tregoi se diplomati amerikan Richard Grenell i dha ultimatum LDK-së që për 7 ditë ta rrëzojnë kryeministrin Albin Kurti.
Gashi tregoi se ka pasur mesazh të qartë nga Grenell drejtuar LDK-së për këtë çështje dhe se sa herë kalonin ditët pa ndodhur gjë, presioni rritej.
“Ne kemi pasur në mënyrë të saktë dhe të qartë të shkruar se kemi 7 ditë për të rrëzuar qeverinë. Dhe çdo ditë ka ardhur mesazh, 7, 6, 5 nuk ka asgjë të re dhe mezi i kemi nxjerrë tri ditë të reja. E ka thënë vetë ambasadori amerikan se ata kanë bërë presion për ta rrëzuar”, deklaroi deputeti i LDK-së.
Analisti shqiptar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ramazan Bekteshi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” e ka komentuar këtë deklaratë të deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.
Ai këtë veprim e ka quajtur grusht shteti me porosi nga Grenelli.
“Grusht shteti me porosi nga Grenell ishte një atentat ndaj demokracisë dhe një lufte për ndarje të Kosovës Qeveria Hoti erdhi në pushtet në rrethana të turpshme që do të hy në analet e shtetit të Kosovës si një pike e errët. LDK-ja e Isa Mustafës e uritur për pushtet nuk zgjodhi mjetin edhe herën e fundit kur erdhi në pushtet qoftë edhe me faqe të zezë. Ata zgjodhën rrugën e kuislingut për tu bërë vegël Grenellit e që me kërkese të tij të rrëzojnë qeverinë Kurti I, qeverinë më jetëshkurtër të Kosovës edhe pse me vota legjitime”, deklaroi Bekteshi.
Ai u shpreh se, LDK-ja, partia që identifikohet si simbol i pavarësisë së Kosovës nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës, që ardhja e Isa Mustafës në krye të saj, ajo jo vetëm që nuk shijoi asnjë fitore të vetme, por u shndërrua në një vasale e turpshme e Thaçit dhe PDK-së.
“Gjithë atë trashëgimi për shtet formim e shtet ndërtim, Isa ia kalon PDK-së dhe Thaçit dhe nuk është rastësi se në kohën e qeverisjes së tij me Thaçin ndodhin edhe tradhtitë e mëdha kombëtare si dhe plaçkitjet e shekullit. LDK, tani pa Isën, duhet të vazhdoj me reforma dhe mos t’i lë ata që e dëmtuan partinë, sërish të flasin në emër të saj, sepse ajo është në rrugë të rikthimit. Rishfaqa e Arben Gashit tani me një deklaratë të re që e zëvendëson atë të parën kur thoshtë se Albin Kurtin e rrëzuam sepse ai shkarkoi Agim Veliun, me një deklaratë më të re thotë se “Grenell na tha që ta rrëzojmë Kurtin për 7 ditë”. Pra, pranimi i tradhtisë publikisht i udhëheqësit të grupit parlamentar të LDK-së nuk është një lajm befasues por një pranim i komplotit që ndodhi në kohë pandemie, të shtyre nga një politikan anti-shqiptar siç është Grenell”, shton ai.
Sipas Bekteshit, LDK nuk arriti ta kuptojë kurthin e Grenell-it, i cili përkrahte Vuçiqin në njërën anë dhe donte rrëzimin e Kurtit në anën tjetër.
“LDK-së sikur nuk i mjaftuan të gjitha poshtërimet që ia bënte Kosovës Grenell, me bullizmin e tij neveritës, frikësimin me tërheqje trupash nga Bondsteel-i duke e angazhuar edhe djalin dhe dhëndrin e Trump-it në këtë aferë, duke u kërcënuar me sanksione dhe mohimin e fondit të mileniumit, duke e barazuar viktimën me agresorin, duke e përkrahur haptas Vuçiqin në njërën anë, por rrëzim të Kurtit në anën tjetër. Kurthin e Grenell-it s’deshi ta kuptoj autokrati Isë, i uritur për pushtet të përhershëm, e bënë grusht shtetin me porosi në kohë të zymtë pandemie për ti siguruar vetes pushtet edhe me ndihmën e dy ish-komandantëve, me kryetarin Thaçi dhe ish-kryeministrin Haradinaj, ku të dy natën vonë, si hijet e natës, vizituan deputetin e Nisma-s, për të siguruar votën e vetme për të bërë Hotin kryeministër të turpit, që do të rrezohej po ashtu shpejtë e me faqe të zezë, duke i shkaktuar LDK-së dëme të mëdha e deri te rrudhja në 12%, padrejtësisht”, nënvizoi ai.
Bekteshi potencon se Thaçi ashtu siç e kishte instrumentalizuar më herët Isën dhe Haradinajn, duke i bërë të dy kryeministra edhe pse si humbës, vetëm për t`i shty agjendat e tij makabre, edhe në rastin e tretë punoi fort që edhe një tjetër humbës i zgjedhjeve (Hoti) sërish ta bënte kryeministër të vendit për ta përfunduar misionin e tij në Shtëpi të Bardhe, ku politikisht do të përfitonte edhe Thaçi edhe Trump.
“Por, këmbëngulësia e opozitës kosovare, BE-së dhe Senatit amerikan bënë që i gjithë ky skenar i rrezikshëm të abortojë mbi qiellin gjerman, e Thaçi, Vuçiqi e Trumpi të mbesin pa marrëveshje dhe pa çmimin Nobel për paqe që e kishin lakmuar aq fort. Edhe gazetarja Sabrina Çudiq pohon se edhe Palmer (dhëndër serb) punonte për ndarje, ajo thotë se derisa ishte në bisedë të pakëndshme me z. Palmer ambasadorja Vlora Çitaku i del në mbrojtje atij duke thëne: “Pse po ndërhyja në marrëveshjen që Kosova dhe Serbia duhet ta arrijnë”. Megjithëse, Grenell, Palmer, Bolton u munduan fort ta fshehin këtë realitet nga publiku, vazhdimisht rrodhën informata për biseda të fshehta, si kjo e gazetares boshnjake Çudiq”, nënvizoi ai.
Bekteshi u shpreh se në politikë presione të të gjitha natyrave ndodhin dhe me të dobëtit dorëzohen lehtë siç ka qenë rasti me PDK-në e LDK-në gjatë negociatave fatale për Kosovën.
“Politikanet tanë, tani më në opozitë, gjithmonë luajnë me sentimentin e qytetarëve tanë për Amerikën. Sa herë që refuzohet një politikan amerikan, politikanët nga PDK e LDK në emër të pro-amerikanizmit i kundërshtojnë dhe i shajnë ata që veprojnë e i kundërshtojnë veprimet e politikanëve amerikan si ne rastin e bullizmit të Grenellit, apo kur Jared Kushner, dhëndër i Presidentit Trump apo Trump Jr., djali i Presidentit e kërcënonin Kosovën me Fondacionin MCC si dhe me tërheqje trupash. Në politikë presione të të gjitha natyrave ndodhin dhe me të dobëtit dorëzohen lehtë siç ka qenë rasti me PDK-në e LDK-në gjatë negociatave fatale për Kosovën”, potencoi analisti nga Amerika.
Në fund, ai tha se në Shtetet e Bashkuara të Amrikë nuk është çdo gjë pro-shqiptare, siç mendojnë shumë politikanë shqiptarë.
Ai tregoi edhe për lobimet e shqiptaro-amerikanëve në dekadat e fundit, ku në këtë luftë triumfuan shqiptarët.
“Për të qenë real, sot në Amerikë nuk është çdo gjë pro-shqiptare dhe pro-kosovare si që mendojnë disa politikanë tanë shkurtë pamës e servil, Amerika është një shtet demokratik dhe të gjitha grupet etnike që jetojnë këtu mund të lobojnë për rrënjët dhe vendin e origjinës, ashtu si që bënë shqiptaro-amerikanët me dekada, dhe me krenari mund të themi se, në këtë luftë shqiptarët triumfuan, jo vetëm pse e drejta ishte në anën e tyre, por sepse u organizuan dhe sakrifikuan shumë”, përfundoi Ramazan Bekteshi, përcjell “Bota sot’.