Numri i madh i votave të pavlefshme është fenomen i zakonshëm i zgjedhjeve në Kosovë, si ato lokale apo parlamentare, shkruan “Bota sot”.
Edhe në zgjedhjet lokale të 17 tetorit ka vijuar trendi jashtëzakonisht i lartë i votave të pavlefshme.
Numri i madh i votave të pavlefshme është fenomen i zakonshëm i zgjedhjeve në Kosovë, si ato lokale apo parlamentare, shkruan “Bota sot”.
Edhe në zgjedhjet lokale të 17 tetorit ka vijuar trendi jashtëzakonisht i lartë i votave të pavlefshme.
Kështu, në bazë të rezultateve të deritanishme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), kemi gjithsej 90,289 fletëvotime të pavlefshme dhe të zbrazëta në nivel vendi.
Prej tyre, 70 mijë janë vetëm për kuvendet komunale.
Komunat me përqindjen më të lartë të votave të pavlefshme janë Ranillugu (18.75%), Graçanica (15.70%), Drenasi (11.48%), Parteshi (11.36%), Mitrovica e Jugut (10.48%) dhe Obiliqi (10.43%). Në anën tjetër, komunat me përqindjen më të vogël janë Leposaviqi (2.72%), Zveçani (2.82%) dhe Mamusha (4.08%).
E për të analizuar këtë dukuri negative që po e përcjell procesin zgjedhor, për gazetën “Bota sot”, kanë folur juristë dhe njohës të çështjeve politike.
Kelmendi: Me mbi 90 mijë vota të pavlefshme u dënua sistemi i votimit, kandidatët dhe partitë politike
Njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar numrin e lartë të fletëvotimeve të pavlefshme në zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Sipas tij, një nga faktorët kryesor për këtë dukuri negative në procesin zgjedhor është ligji jo i duhur i votimit.
“Gjendja e krijuar me votat e pavlefshme është rezultat i Ligjit jo adekuat të votimit. Forma e tillë nuk i shkon për shtati vendit ku gjendet Republika e Kosovës, për këtë kërkohet të bëhet një ndryshim i organizimit të pushtetit lokal në bashkësi të komunave”, deklaroi Kelmendi.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/November/06/auto_foldllff1636184238.jpg)
Krahas kësaj, ai përmendi edhe bashkësinë e komunave si formë e organizimit që shumë shtete të BE-së e kanë, ndërsa Kosova jo.
Kelmendi tha se sistemi me 38 komuna në vendin tonë e bënë të vështirë formën e duhur të votimit.
“Bashkësia e komunave është formë e organizimit që ekziston kudo nëpër shtetet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë. Në Kosovë jo. Ndërsa, me sistemin aktual në Kosovë, është krijuar një sistem me mbi 38 komuna që në fakt e bëjnë të paarritshëm formën e votimit dhe të funksionimit të pushtetit. Në Kosovë kërkohet të organizohen 7 bashkësi me komuna që i takojnë bashkësisë së komunave. Çdo formë tjetër është e dëmshme”, theksoi njohësi i çështjeve kushtetuese.
Ndër të tjera, Kelmendi kritikoi edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për shpjegimin e mënyrës së votimit. Në këtë rast, ai e bëri KQZ-në një nga përgjegjëset kryesore për numrin e lartë të votave të pavlefshme.
“Po kështu duhet thënë se KQZ-ja nuk ka kuadro të mira dhe të përgatitura për shpjegimin e formës së votimit. Në këtë mënyrë është krijuar një gjendje e rënde me mbi 90 mijë vota të pavlefshme”, vlerësoi ai.
Në fund, njohësi i çështjeve kushtetuese potencoi se votat e pavlefshme janë edhe një ‘protestë’ ndaj subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre. Andaj, kërkoi reflektim nga KQZ-ja dhe partitë politike.
“Dhe, në fund, pavlefshmëria e votës si e tillë është protestë e votuesve kundër partive politike dhe kandidatëve në zgjedhje. Qytetarët treguan kështu se nuk i duan këta politikanë dhe as këto parti politike. Këtej duhet të nxirret mësim, mësim nga partitë politike, kandidatët dhe nga KQZ-ja. Ndryshimet duhet të bëhen”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.
Burjani: Pakënaqësia dhe ‘lufta’ ndërmjet kandidatëve të partive politike
Pavlefshmërinë e lartë të votave e ka komentuar edhe juristi Blerim Burjani për gazetën “Bota sot”. Ai përmendi tri shkaqet që i përcjellin këto dukuri të votimeve në zgjedhjet lokale dhe parlamentare.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/November/06/auto_dsklklff1636184288.jpg)
Sipas tij, një nga shkaqet kryesore është pavlefshmëria e qëllimshme, pra prishja e qëllimshme e fletëvotimeve.
“Ky është një fenomen që përcillet me këto shkaqe: E para, pavlefshmëria e qëllimshme, pra prishja e fletëvotimeve nga komisionerët ose kur numërimi i votave me kusht bëhet në QNR, e dyta prishja nga pakujdesia apo mos dija se si të votohet dhe e treta prishja nga votuesi”, deklaroi Burjani.
Gjithashtu, ai tha se kjo tregon edhe pakënaqësinë e madhe ndërmjet kandidatëve të subjekteve politike.
“Numri është i madh që nënkupton pakënaqësitë dhe luftën në mes kandidatëve të partive politike”, theksoi Blerim Burjani.
Duhanaj: Pavlefshmëria e lartë e votave kërkon zgjidhje urgjente
Kurse, analisti politik, Leon Duhanaj tha se pavlefshmëria e lartë e votave është një ‘plagë e rëndë’ për procesin zgjedhor. Fillimisht, ai tha se kjo na bënë të mendojmë se ka shumë qytetarë që nuk janë të informuar mjaftueshëm për procesin e votimit.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/November/06/auto_auto_auto_Leon-Duhanaj-850151838301015632585301636184317.jpg)
“Çështja e fletëvotimeve të pavlefshme nëpër proceset zgjedhore në vazhdimësi, është vërtetë shqetësuese dhe një plagë e rëndë e çdo procesi zgjedhor demokratik. Në radhë të parë duhet të konkludohet se ka shumë qytetarë të cilët nuk janë plotësisht të informuar mbi procesin e votimit dhe bëjnë gabime”, deklaroi Duhanaj për gazetën “Bota sot”.
Në vazhdim, analisti përmendi disa nga shkaktarët kryesor të pavlefshmërisë së votave. Një nga arsyet, sipas tij është ngatërresa e votuesve, pasi në zgjedhjet lokale në listën e kandidatëve votohet vetëm një kandidat, kurse në zgjedhjet parlamentare votohen 5 kandidatë.
“Një gjë që mund të ishte si shkas në zgjedhjet lokale, është se në listën e kandidatëve votohet vetëm një kandidat, derisa në zgjedhjet e përgjithshme votohen 5 kandidatë dhe këtu mund të ketë ngatërresa e keqkuptime. Pjesa tjetër, sigurisht janë edhe fletëvotimet e zbrazëta apo të dëmtuara, të cilat mund të kenë ndodhur si pasojë e shumë faktorëve. Dhe një gjë tjetër që zakonisht ndodhë, janë keqpërdorimet e qëllimshme përmes komisionarëve, ku përpos vjedhjeve që ndodhin vazhdimisht, mund të ndodhin edhe prishjet e votave”, potencoi ai.
Mirëpo, pavarësisht arsyeve, Duhanaj tha se ky fakt është shqetësuese dhe kërkon zgjidhje të menjëhershme. Në fund, ai kërkoi që KQZ-ja dhe partitë politike të bashkëpunojnë dhe të gjejnë shkaqet e numrit të lartë të votave të pavlefshme.
“Sido që të jetë, gjendja është shumë shqetësuese, alarmante do thosha edhe kërkon zgjidhje urgjente. Subjektet politike në bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve duhet të veprojnë, t'i identifikojnë shkaqet dhe të bëjnë me të mirën që në të ardhmen të kemi votime të rregullta. Çdoherë mund të ketë qytetarë të papërgjegjshëm, të cilët prishin votat e tyre, por nuk guxojnë të lejohen keqpërdorimet si dhe duhet të ketë informata të mjaftueshme për votuesit”, përfundon Leon Duhanaj për “Bota sot”.