Bashkësia Lokale Karaçevë e Poshtme u ka dërguar letër krerëve të institucioneve të shtetit, presidentes Osmani, kryeministrit Kurti, kryeparlamentarit Konjufca dhe ministres së arsimit, Nagavci.
Përmes kësaj letre, është bërë e ditur se banorët e fshatit Karaçevë e Poshtme kanë filluar zhvendosjen nga atje, për shkak të mbylljes së disa shkollave.
Këtë e ka bërë të ditur për gazetën “Bota sot” kryetari i Bashkësia Lokale Karaçevë e Poshtme, Selver Lenjani.
“Familjet po i mbyllin shtëpitë dhe po ikin drejt qendrave urbane. Me largimin e banorëve dhe nxënësve fshati po merr heshtjen vrastare e cila po i venit shpresat se Karaçeva e Poshtme do të mbetet vetëm emër në hartë dhe vend i banuar me egërsira”, ka thënë ai.
Ai ka bërë thirrje që të merren masat e fundit për ta parandaluar këtë dukuri që po ndodhë.
Letra e plotë:
Bashkësia Lokale Karaçevë e Poshtme
Për Kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca
Presidenten Vjosa Osmani
Kryeministrin Albin Kurti
Ministren e MASHT Arbrije Nagavci
Të nderuar bartës të institucioneve të rëndësishme të vendit informacionin e shkurtër dhe të qartë i cili ka të bëjë me zhvendosjen e banorëve të fshatit Karaçevë e Poshtme për shkak të mbylljes së objekteve shkollore tashmë e kemi realitet.
Familjet po i mbyllin shtëpitë dhe po ikin drejt qendrave urbane. Me largimin e banorëve dhe nxënësve fshati po merr heshtjen vrastare e cila po i venit shpresat se Karaçeva e Poshtme do të mbetet vetëm emër në hartë dhe vend i banuar me egërsira.
Derisa në mjedise urbane familjarët zgjedhin shkollën dhe mësuesit fëmijët e Karaqevës së Poshtme po ngelin analfabet ose të çvendosen në mjedise të ndryshme urbane. Të nderuar udhëheqës të institucioneve të rëndësishme është koha e fundit të merrni masa për parandalim të dukurisë së zhvendosjes së banorëve nga pronat dhe shtëpitë e tyre. Ndërsa nëse duam të ruajmë pjesët e Atdheut kjo arrihet vetëm me banorë në trojet e tyre.
Keni barrë të përgjegjësisë karshi nxënësve dhe banorëve të Karaqevës së Poshtme që ata mos të mbeten rrugëve dhe podrumeve në zona urbane të vendit apo analfabet e të pa shpresë në fshatin e tyre.
Me nderime Selver Lenjani Kryetar i BL Karaçevë e Poshtme.