Gjykata Speciale i ka dhënë afat kohor prej dy javësh Policisë së Kosovës për t’i siguruar ose jo të akuzuarit e Hagës që të mbrohen në liri. Këtë e kanë bërë të ditur Gjykata përmes faqes së tyre zyrtare.
Drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti ishte pyetur nga deputetët, konkretisht nga bashkëshortja e Rexhep Selimit, nëse policia është e gatshme për të ofruar këtë siguri. Megjithatë, drejtori Mehmeti ka shmangur këtë pyetje.
Gazeta ka kontaktuar policinë, mirëpo të njëjtit nuk kanë dhënë ndonjë informacion lidhur me këtë çështje.
“Nëse dhe kur ndonjë informacion i mëtejshëm për këtë çështje është i disponueshëm dhe publik, ai do të publikohet në faqen e internetit të DHSK-së”
‘Bota sot’ po ashtu ka kontaktuar edhe Gjykatën Speciale, nëse kanë marrë ndonjë përgjigje nga Policia e Kosovës për kërkesën e parashtruar. Përgjigja e tyre është si vijon:
“Nëse dhe kur ndonjë informacion i mëtejshëm për këtë çështje është i disponueshëm dhe publik, ai do të publikohet në faqen e internetit të DHSK-së duke pasur parasysh se të gjitha dokumentet publike janë të disponueshme në faqen e internetit të DHSK-së”, thuhet në përgjigjen nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.
Ndërsa në të njëjtën faqe, nuk ka ndonjë informacion të ri për këtë ҫështje.
Mehazi: Gjykata Speciale e Hagës nuk ka të drejtë të kushtëzojë me siguri Policinë e Kosovës për mbrojtjen në liri
Mirëpo sa mund të ofroj Policia e Kosovës siguri për të akuzuarit e Hagës, njohësi i ҫështjeve politike, Sulejman Mehazi ka folur për këtë ҫështje. Ai thotë se Gjykata Speciale e Hagës nuk ka të drejtë të kushtëzojë me siguri Policinë e Kosovës për mbrojtjen në liri të akuzuarve Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Selimin.
Sulejman Mehazi
“Vetë Gjykata Speciale e Hagës i ka akuzuar me krime të rënda dhe këtë mbrojtje lirie e sigurie të tyre duhet ta merr vetë Gjykata Speciale e jo Policia e Kosovës që përgjigjet enkas para gjyqeve të Republikës së Kosovës e jo para Gjykatës Speciale të Hagës, pasi policisë së Kosovës i jepet një detyrë përgjegjësie të rëndë për t'u kujdesur për personalitetet të cilët jo që kanë marrë pjesë në krijimin e Republikës së Kosovës, por edhe njëzetvjet radhazi kanë udhëhequr qeverinë e këtij shteti”, thekson Mehazi.
Sipas tij, të akuzuarit e Gjykatës së Hagës në krahasim me krimet e bëra serbe janë minore, prandaj dhe Policia e Kosovës nuk premton mbrojtje të sigurtë për themeluesit e Republikës së Kosovës të cilët me ardhjen e tyre në Kosovë do të ketë trazira e protesta përkrahjesh me rastin e lirimit të të akuzuarve në Kosovë.
“Të akuzuarit e Gjykatës Speciale të Hagës kanë armatë simpatizantësh e adhuruesish të cilët mund të destabilizojnë jo vetëm Policinë e Kosovës, por edhe qeverinë e Albin Kurtit. Nëse Gjykata Speciale dëshiron mbrojtjen e të akuzuarve të tyre në liri atëherë le të kërkojnë siguri nga vetë personat e akuzuar e jo nga Policia e Albin Kurtit, pasi këta nuk kanë të drejtë të mbrojnë të akuzuar jashtë Ministrisë së Drejtësisë e gjykatave të Kosovës. Policia e Kosovës s'është kompetente për Gjykatat Speciale Ndërkombëtare të Hagave, por kompetente për të siguruar mbrojtjen e të akuzuarve të Kosovës në liri”, vlerëson analisti Mehazi për ‘Bota sot’.
Ai në këtë rast merr shembull kryekriminelin, Slobodan Millosheviҫ, duke thënë se u dënua nga kjo gjykatë, mirëpo populli serb ende e duan atë, ndërkaq edhe komandantët politikë të Kosovës, ka shumë qytetarë që i duan e kjo mund ta destabilizojë Qeverinë dhe Policinë e Kosovës.
“Edhe Millosheviqin Gjykata Speciale e Hagës e akuzoi dhe e burgosën, po populli serb edhe sot e kësaj dite e duan, edhe komandantët politikë të Kosovës edhe pse të akuzuar nga Haga, shumica e qytetarëve të Kosovës i duan, e kjo dashuri ndaj tyre mund të destabilizojë qeverinë së bashku me policinë e Kosovës. Duam, s'duam ta pranojmë, po një gjë dihet se këta komandantë politikë edhe pse të akuzuar së bashku me presidentin Ibrahim Rugovën historikisht do të mbeten themelues të Republikës së Kosovës”, thekson Mehazi.