Një grup i kongresistëve amerikanë kanë kërkuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, t’u vihen sanksione atyre që destabilizojnë Ballkanin Perëndimor dhe kanë akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për thellim të korrupsionit dhe presion ndaj mediave.
Në letrën drejtuar Bidenit, ata shprehen se janë të shqetësuar për situatën politike në Serbi dhe ndikimin që një situatë e tillë mund të ketë në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë.
“Siç thatë gjatë vizitës tuaj në Beograd në gusht 2016, ‘është kryesisht në interesin e vetë Shteteve të Bashkuara që populli i Serbisë të rritet dhe të përparojë’. Prandaj, dëshirojmë të inkurajojmë administratën tuaj që të angazhojë Vuçiç në luftën kundër korrupsionit dhe sulmeve ndaj lirisë së shtypit, dy fusha që janë kritike për një Serbi të begatë dhe demokratike dhe aspiratat e saj për anëtarësim në BE"thuhet në dokument.
Lidhur me këtë, analisti Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se në Serbi liria e medies është më keq se në kohën e Millosheviqit, sepse sipas tij, populli serb ushqehet me propaganda qeveritare, andaj nga një shoqëri e tillë ka rrezik eskalimi ndaj fqinjëve.
“Në rrafshin mediatik, përkatësisht lirisë së medias dhe mundësisë së shprehjes së lirë në Serbi, nuk besoj që ka qenë me keq edhe në Kohën e Millosheviqit. Në Serbi, pothuaj se ka terr informativ rreth zhvillimeve reale nëpër botë dhe kështu arrihet të mbahet peng një popull i tërë duke u ushqyer me përjashtime të vogla, ekskluzivisht me propagandë qeveritare. Natyrisht që nga një shoqëri e tillë ka rrezik eskalimi ndaj fqinjëve dhe në ketë kontekst, kujtoj se është më se urgjente ndikimi me i madh i SHBA-së, duke ndihmuar në qartësimin e situatës”, tha ai.
Tutje ka shtuar se klasa politike në Serbi njeh vetëm kërcënime, andaj edhe është i mirëseardhur nisma e kongresamenëve amerikanë, sepse vuçiqi pa u përballur me forcën, nuk do e lejojë stabilizimin e Ballkanit perëndimor.
“Tani më është botërisht e njohur se klasa politike në Serbi, nuk njeh gjuhë tjetër pos asaj të kërcënimin aktiv dhe sanksioneve. Në ketë kontekst, e shoh të mirëseardhur dhe tepër të domosdoshëm nismën e kongresmënëve amerikan rreth kësaj teme. Mendoj se Vuçiq dhe kolegët e tij, pa u përballur me forcën, nuk do të lejojnë stabilizimin e Ballkanit perëndimorë dhe se rreziku veç sa shkon duke u rritur, duke pasur parasysh ndikimet lindore në regjion, qoftë nga Rusia, qoftë nga çarqe e organizata tjeta”, shtoi Duhanaj.