Ishte 5 nëntori i vitit 2020, dita kur Gjykata Speciale i kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, atë kohë president i Republikës së Kosovës. E po atë ditë, Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit të vendit, duke u transferuar menjëherë në qendrën e paraburgimit në Hagë të Holandës, ku edhe gjendet selia e Gjykatës Speciale.
"Janë momente jo të lehta për mua dhe familjen time. Unë do të bashkëpunojë ngushtë më drejtësinë dhe nga ky moment jam në dispozicion të drejtësisë. Unë besoj në të vërtetën pajtimin dhe të ardhmen e shoqërisë tonë. Ju lus dhe ju bëjë thirrje që mos e humbasni shpresën besimin dhe durimin. Kemi fituar lirinë dhe pavarësisë dhe tash po zhvillojmë shtetin tonë. Ju lus për maturi qetësi dhe për unitet. Të qëndrojmë të bashkuar dhe duam të ruajmë besimin. Para gjyqit nuk do ta dal si president dhe për të mbrojtur integritetin e Kosovës, unë sot jap dorëheqje nga pozita e presidentit të Kosovës. Ftoj forcat politike që mos të thellohemi në krizë kushtetuese dhe institucionale”, kishte thënë Thaçi më 5 nëntor të vitit të kaluar me rastin e dorëheqjes së tij.
Por si është sot Kosova pa Hashim Thaçin, një vit që kur ish presidenti u akuzua nga Gjykata Speciale dhe u transferua në Hagë?
Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.
“Askush nuk do t'ia uronte Hashim Thaçit ndalimin dhe shkuarjen prapa hekurave. Dhe gjithashtu askujt tjetër. Në fund të fundit Thaçi do të duhej të ishte i nderuar dhe respektuar, sepse me të mirat dhe të këqijat e veta, ai u angazhua për luftën. Herë nga afër e herë nga larg, dha kontribute. Pastaj e caktuan përfaqësues politik. Në këtë post bëri gabime, por ato i justifikohen sidomos për moshën që kishte. Por edhe bashkëpunoi me NATO-n. Kjo e bëri faktor. Fillimisht një faktor pozitiv. Nëse Hashim Thaçi në liri do të përmirësonte gabimet e veta të luftës si ekstremist ideologjik, nëse ai do të ndërtonte shtetin e së drejtës dhe demokracinë në Kosovë, nëse ai do të kishte luftuar vetëm kundër Serbisë, të jeni të sigurt se askush nuk do ta dëshironte një fund të tillë të tij”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/November/07/auto_enver_bytyci1636305993.jpg)
Thaçi e plaçkiti Kosovën
Sipas tij, Hashim Thaçi pas luftës e plaçkiti Kosovën së bashku me organizatën e tij mafioze.
“Por fakti se gjatë luftës e drejtoi gishtin për t'i lënduar edhe shqiptarët. Fakti tjetër se pas luftës e plaçkiti Kosovën së bashku me organizatën e tij mafioze. E mbi të gjitha qëndrimet e Hashim Thaçit ndaj shtetit e shtetësisë, ndaj territorit dhe lëshimet e tij ndaj Serbisë bënë që qytetarët e Kosovës në shumicë ose t'i gëzohen, ose të jenë indiferentë se çfarë ndodh me Hashim Thaçin”, shprehet Bytyçi.
Ai thotë se Hashim Thaçi e përgatiti vetë me dorën e tij qelinë në Hagë.
“Nëse ish-presidenti I Kosovës nuk do të kishte bërë pazare me Serbinë për t'i ikë ndëshkimit për ato që kishte bërë. Nëse ai nuk do të kishte dorë në vrasjen e aktivistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës në përfundim e pas luftës në Kosovë, zoti Thaçi do të mbrohej nga qytetarët e vendit të vet. Por fatkeqësisht ish-kryeministri dhe ish-presidenti i Kosovës e përgatiti vetë, me dorën e tij qelinë në Hagë. Madje edhe kur imponoi votimin e Gjykatës Speciale në Parlamentin e Kosovës”, deklaron profesor Bytyçi.
Ai shton se një vit pas dorëheqjes së Thaçit, Kosova po përpiqet që të shërojë trashëgiminë e ish-presidentit të Republikës.
“Në këto kushte unë besoj se Kosova pa Hashim Thaçin është më e mirë, më e sigurt, më e paqtë, më prosperuese. Kosova sot pa Hashim Thaçin nëpër këmbë po përpiqet që të shërojë trashëgiminë e ish-presidentit të Republikës. Dhe kemi parasysh, ajo ishte trashëgimi I PRONTO-s, e krimit të organizuar. Ishte trashëgimi e blerjes nga shteti 5 euro dhe e shitjes po shtetit 5000 euro të një ari toke. Ishte pra, trashëgimi e grabitjes së pasurive të Kosovës. Ishte trashëgimi i bashkëpunimit me Aleksandër Vuçiq dhe Edi Ramën për zhbërjen e territorit dhe të shtetit të Kosovës. Ishte trashëgimi i urrejtjes dhe e luftës politike pa princip kundër atdhetarëve dhe njerëzve që e duan Kosovën e atdheun. Më në fund u dëshmua edhe si trashëgimi e likuidimit të kundërshtarëve politikë”, thekson Bytyçi për “Bota sot”.
“Nëse do të ishte Hashim Thaçi në Kosovë, qoftë dhe fizikisht, pa poste e funksione politike, të jeni të sigurt se rruga e Kosovës drejt prosperitetit do të ishte më e vështirë. Shumë njerëz e vlerësojnë lidershipin e Thaçit. Sidomos për guximin e tij për rritjen e pagave në administratë, arsim etj. Mos harrojmë se Kosova e kishte këtë mundësi në fillim. Ishte shtet i ri, pa borxhe të jashtme e të brendshme, pa ndonjë rrezik inflacioni e krize, me mundësi reale për rritjen e të ardhurave. Çdo kush do ta bënte këtë. Por pas rritjes së parë ai vazhdoi të jetë në pushtet dhe nuk bëri ndonjë rritje tjetër”, shpjegon më tej profesor Bytyçi.
Lobimi për ndarjen e Kosovës
Ai deklaron se Hashim Thaçi kishte përdorur buxhetin e shtetit për të lobuar për ndarjen e Kosovës.
“Ndërkaq ajo rritje pagash sidomos në arsim i shërbeu Thaçit dhe aleatëve të tij në qeverisje që të strehonte në universitete militantët e partisë dhe arsimin të shihte si strehë të një stafi akademik me diploma falso në universitet fantazmë të Maqedonisë e Bullgarisë. Shkurt, rriti pagat, por shkatërroi cilësinë e mësimdhënies akademike. Duhet thënë se me buxhetin e shtetit u soll si sulltanët e këqij të perandorisë osmane. Sepse kishte sulltanë që ishin të përgjegjshëm dhe nuk silleshin me taksat siç sillej Hashim Thaçi. Unë nuk e di se çfarë do të zbulojë gjykata. Por përdorimi I parasë publike për lobim për ndarjen e Kosovës është një fakt, i cili na dëshmon se taksat e qytetarëve të Kosovës kanë shkuar për tjetërsimin e territorit të saj. Këtë mund ta bëjë vetëm një armik i vendit të tij. Hashim Thaçi e ka urdhëruar këtë operacion anti-kombëtar”, deklaron Bytyçi.
Për fund, Bytyçi shprehet se për gjitha këto e shumë arsye të tjera, shqiptarët nuk janë aspak të dëshpëruar pse Thaçi gjendet prapa hekurave në Hagë.
“Fatkeqësisht gjithçka e përgatiti me duart e veta. Iu duk vetja mbret i Kosovës, madje sundues i tokës dhe qiellit të saj, ndaj dhe mori përgjegjësi të tilla anti-Kosovë deri te ndarja dhe shkëmbimi i territoreve. Nuk di ndonjë arsye përse dikush do të duhej të ishte i dëshpëruar pse ai gjendet në Hagë!”, përfundon për “Bota sot” profesor, doktor Enver Bytyçi.