Kosova vazhdon ta ketë të ulët numrin e personave të prekur me virusin korona. Gjithashtu, edhe vdekshmëria në vend është me e ulët se në vendet e rajonit.
Evropa tashmë është epiqendra e pandemisë COVID-19. Kështu kanë njoftuar zyrtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën.
Vetë drejtori i OBSH-së, Hans Kluge ka thënë se rastet e reja po i afrohen niveleve rekord dhe se rastet e shtrimeve në spitalet e Evropë janë rritur më shumë se dyfish për një javë.
Pas këtij njoftimit të OBSH-së, ka reaguar edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Në këtë reagim, ky Institut ka njoftuar se janë në përcjellje të situatës në epidemiologjike në vend, në rajon dhe në botë.
Po ashtu, ISHKP-ja ka kërkuar nga institucionet që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave.
“Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mosgrumbullim. Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë”, thuhet në njoftimin e IKSHP-së.
Këto janë fokuset e MSH-së
Nga Ministria e Shëndetësisë, thonë se jenë të mobilizuar gjatë gjithë kohës për shkak të prezencës së COVID-19.
Gjithashtu, nga kjo ministri shprehen se kapacitetet spitalore janë në gatishmëri dhe mund të riorganizohen sipas nevojës.
“Institucionet janë të obliguara që të jenë të mobilizuara gjatë gjithë kohës për shkak të prezencës së COVID-19, ndonëse në Kosovë në shifra më të vogla se në vendet e rajonit.
Kapacitetet spitalore janë në gatishmëri dhe mund të riorganizohen sipas nevojës, përveç QKUK-se janë edhe 7 spitalet e qyteteve më të mëdha që ofrojnë shërbime për pacientet me COVID-19 si dhe kujdesi Parësor në Komuna që jep shërbime ambulatore”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për “Bota sot”.
Më tej, MSH-ja ka njoftuar se furnizimet me barna, material shpenzues dhe mjete mbrojtëse profesionale për personalin janë të qëndrueshme.
“Furnizimet me barna, material shpenzues dhe mjete mbrojtëse profesionale për personalin janë të qëndrueshme, ndërkohë që po vazhdon vaksinimi i popullatës me qëllim të frenimit të përhapjes së virusit në përmasa problematike siç ishte në valën e fundit”, thuhet nga MSH-ja.
Në fund, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë treguar se cili është fokusi kryesor i tyre.
“Ajo që duhet bërë në vazhdimësi është zbatimi i masave në fuqi, shmangia e grumbullimeve të panevojshme dhe vaksinimi i atyre që nuk janë vaksinuar ende. Ne këto drejtime është fokusi kryesor tani”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Avdyli: Kosova ka kapacitet për të përballuar fluksin e rasteve me Covid-19
Haxhi Avdyli
Ndërkaq, anëtari i komisionit për Shëndetësi e mirëqenie sociale të Kuvendit të Kosovës, deputeti Haxhi Avdyli, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka thënë se përkundër që Kosova e ka shkallën më të ulët të infektimeve dhe vdekshmërisë, në të njëjtën kohë duhet ngritja e përgatitja e kapaciteteve trajtuese në klinika.
“Kosova është shteti për momentin me shkallën më të ulët të rasteve të reja të infektime e vdekshmërisë në regjion e me gjerë. Por kjo assesi nuk bën të na relaksojë. Veçanërisht kur dihet që Covid në regjion e Europë ka shifra të larta. Duhet vazhduar me ritme të larta vaksinimi dhe në të njëjtën kohe ngritja e përgatitja e kapaciteteve trajtuese në klinika”, ka theksuar ai.
Më tej, Avdyli ka shtuar se kapacitet spitalore në vend mund të përballojnë flukset e mëdha të pacienteve, si dhe ka cekur se ka furnizim të qëndrueshëm me barna e oksigjen.
“Duhet punuar më shumë që të inkurajohen hezituesit e vaksinimit që të marrin atë. Kapacitetet spitalore duhet të jenë të gatshme të përballojnë ndonjë fluks eventual të rasteve të reja. Muajt e kaluar kanë treguar që kapacitet tona spitalore , dhe furnizimi me barna e oksigjen mund të përballojnë çdo flukset e mëdha të pacienteve dhe ka furnizim të qëndrueshëm”, ka thënë deputeti Avdyli.
Po ashtu, ai ka vlerësuar se IKSHP duhet ta përcjellë situatën epidemiologjike, si dhe ky institucion të rekomandojë masat e nevojshme parandaluar rritjen e rasteve.
“Përkundër kësaj vigjilenca e gatishmëria duhet të jetë e larte Institucionet tona paralajmëruese si IKSHP duhet të jenë syçelë në përcjellje të situatës epidemiologjike dhe të rekomandojnë masat e nevojshme parandaluese në mënyrë që të ulet kurba e rasteve të reja. Shpresojmë me këto ritme vaksinimesh situata do jetë më e përballueshme për sistemin tonë shëndetësor”, ka përfunduar Avdyli për “Bota sot”.