Pavarësisht dorëheqjes së kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq nuk janë tërhequr nga ideja e tyre për “Ballkani i Hapur”.
Por një goditje e rëndë për Ramën dhe Vuçiqin, ka ardhur nga raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Isabel Santos, e cila tha se “Ballkani i Hapur” s’ka lidhje me procesin e integrimit evropian.
“Ballkani i Hapur nuk ka lidhje me procesin e integrimit evropian. Nuk më takon mua. Është një nismë që kërkon të ketë bashkëpunim më të mirë mes shteteve të Ballkanit Perëndimor, por e rëndësishme për mua është procesi i integrimit evropian dhe unë jam e fokusuar te ky proces. Dhe jam e sigurt që të gjithë janë të fokusuar te ky proces”, tha Santos.
E sipas analistit dhe publicistit Rexhep Shahu, Santos ka rrezuar për toke “Ballkanin e Hapur”.
Rexhep Shahu
“Pas vëzhgimit dy ditor në Shqipëri raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian Isabel Santos e rrëzoi aksionin apo kryeaksionin politik të Edi Ramës e të Aleksandër Vuçiqit – Ballkanin e Hapur”, shprehet Shahu për gazetën “Bota sot”.
Sipas tij, nga “Ballkani i hapur” përfiton më së shumti shteti i Serbisë.
“Nuk e di çfarë biznesi po bën Edi Rama dhe për kë e bën atë biznes, kujt i shërben me atë biznes për hapjen e Ballkanit ku do të përfitojë më i madhi e më i forti, në rastin konkret Serbia.Hapja e Ballkanit favorizon së pari Serbinë sepse produktet serbe dalin në treg me kosto më të lirë se produktet shqiptare. Produktet serbe janë të sponsorizuara, bujqësia serbe ka financime edhe nga BE edhe nga shteti serb shumë më tepër se sa ka bujqësia shqiptare. Të gjitha prodhimet serbe kanë avantazh para produkteve shqiptare”, thekson Shahu.
“Biznesmenët serbë janë më të fuqishëm dhe rreziku më i madh është se biznesmenët serbë mund të blejnë PPP shqiptare, mund të blejnë aktivitetet që qeveria shqiptare i ka shitur apo i ka dhënë me PPP, ose i ka dhënë me koncesione. Rreziku alarmant është se biznesi serb mund të blejë pasuri e objekte në Shqipëri dhe shqiptarët të bëhen shërbëtor të serbëve në tokën e tyre”, shpjegon më tej Shahu.
Ai shton se Edi Rama është shndërruar në shërbëtor të Aleksandër Vuçiqit.
“Edi Rama nuk mendon tjetër veç të bëjë Ballkanin e hapur por nuk ka bërë shpjegimet e duhura për publikun shqiptar dhe ka krijuar përshtypjen se është një zëvendës apo shërbëtor i Vuçiqit, pasi java shtatë ditë, Edi Rama tetë ditë në Beograd. Politikania evropiane, raportuesja ne Parlamentin evropian për Shqipërinë nuk është një autoritet i rëndomtë që bën deklaratën se Shqipërisë i duhet integrimi në Evropë e jo Ballkani i hapur”, thekson Shahu për “Bota sot”.
Për fund, Shahu shprehet se Edi Rama po e ndihmon Serbinë që të rris ndikimin në tregjet e Ballkanit Perëndimor.
“Edi Rama vepron me inat e me mëri kundër të gjithëve, sa më shumë e kritikojnë njerëzit aq më shumë lidhet me Vuçiqin. Për interesin e tij personal, Edi Rama ia vë flaken Shqipërisë dhe botes me pjekë vezët e tij, duke dashur të shitet trim, arrogant e jo servil e pa dinjitet me të huajt siç e kemi parë shpesh. Opinioni dyshon se ai nuk di të mbroje interesat e Shqipërisë dhe ndoshta edhe më keq, ai nuk interesohet për interesat e Shqipërisë por ndihmon Vuçiqin të demokratizojë Serinë dhe ta rrisë ndikimin serb, ndoshta pa dashje në tregjet e Ballkanit. Shpresoj qe Edi Rama të tërhiqet nga kjo gjë që nuk e dëshiron shumica e shqiptarëve. Fatkeqësisht edhe opozita nuk është ne nivelin e duhur për të reaguar fort”, përfundon për gazetën “Bota sot”, analisti dhe publicisti Rexhep Shahu.