Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), kohën e fundit kanë rrjedhur informacione të niveleve të ndryshme.
Lidhur me këtë ka pasur edhe arrestime nga ana e organeve shtetërore. AKI-ja është bërë qendër e skandaleve të shumta, për shkak të rrjedhjes së informacioneve shtetërore që kanë cenuar edhe sigurinë kombëtare.
Lind dyshimi se brenda këtij institucioni mund të ketë edhe elemente të dyshimta.
Ndërkohë që Komisioni Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së, vazhdon të bëjë punën e tij, duke monitoruar këtë institucion, njohësit e çështjeve juridike dhe të sigurisë kanë vlerësuar për “Bota sot”, se të gjitha institucionet në Kosovë duhet të pastrohen nga elementet të dyshimta.
Kelmendi: Pushteti në Kosovë (AKI, Policia e Kosovës, gjykatat dhe prokuroritë) duhet të spastrohet nga elementet e dyshimta
Muhamet Kelmendi
Profesori dhe juristi Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se jo vetëm në AKI por elemente të tilla kemi edhe në institucionet tjera vendore.
Sipas tij, ata përpiqen që të fusin elemente të veta brenda AKI-së dhe ta kontrollojnë atë dhe çdo organ tjetër të pushtetit.
“Organet e pushtetit në Kosovë kanë shumë elemente jo të nivelit të detyrës që e kërkon organi dhe vendi i punës. Këso elemente kemi në administratë, nëpër ministri, në Kuvend, në sistem juridik, në polici dhe me siguri edhe në AKI, si organ i sigurisë së shtetit tonë. Tash a janë këta elementë të UBB-së është vështirë të dihet! Megjithatë, besohet se ka elemente të shërbimit edhe nga UDB-ja. Në fund të fundit, përpiqen shërbimet e huaja të fusin elementet e vet dhe të kontrollojnë nga brenda AKI-në dhe çdo organ të pushtetit”, ka thënë ai.
Ai për këto kërkon të hetohen mekanizmat e shtetit. Madje ai për gjendjen në veri thotë se mendohet se Lista Srpska ka njoftuar shtetin serb.
“Natyrisht se është e mirë të hetohen të gjitha mekanizmat e pushtetit. Kosova është shtet i ri dhe kjo ka mundësuar punësimin e elementeve që janë kundër Republikës. Kjo u pa edhe gjatë gjendjes në veri. Para aksionit të policisë së Kosovës kundër bandave kriminale serbe atje ishin informuar. Besohet se shteti serb është informuar dhe nga atje "Lista Srpska" që organizoi qëndresën dhe plagosi 7 të uniformuar. Vet ky fakt mjafton për të hetuar policinë, prokurorinë, gjykatat dhe AKI-në. Pa hetime nuk duhet të lihet as "Lista Srpska" si bazë e informimit të shtetit serb nga Kosova. Një informatë e tillë mund të përfundojë me jetë dhe për atë shkak kërkohen spastrime të mëdha në tëra organet. Këtej edhe të ndalohet "Lista Srpska", nëse dalin fakte. E këso dëshmi ka. Kuptohet se këtu formë e spastrimit është gjendja aktuale e të punësuarve, pozita nga vjen dhe e kaluara e tij, e babait dhe të familjes”, deklaron juristi.
Ai ka shtuar se punësimet nëpër këto organe nuk duhet të jenë me të kaluar dhe as te tashme të dyshimtë.
“Në organet e sigurisë së shtetit, sikurse është AKI, polici, prokurori dhe gjykata nuk duhet lejuar asnjë njeri me të kaluar dhe të tashme të dyshimtë. Për këtë mjafton shqyrtimi konkret për çdo të punësuar dhe këtej edhe duhet të merren masa. Këto procese duhet zhvilluar kudo. Atë duhet bërë nëpër ministri e në Qeveri, në Polici e në AKI, në Prokurori e në gjykata, në Kuvend e në administratë. Jam i sigurt se ka mjaft të tillë. Ata duhet të largohen dhe nëse ka prova edhe të dënohen”, përfundon juristi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.
Shala: Kontrolli i brendshëm i AKI-së, duhet të veprojnë dhe reagojnë për pretendimet e tilla
Drizan Shala
Ndërsa, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, duke folur për “Bota sot” për këtë temë, ka thënë se AKI ka edhe kontrollin e brendshëm dhe nëse ka pretendime të tilla atëherë ata janë të thirrur të veprojnë dhe reagojnë sa më shpejt që mos të dëmtohet imazhi i këtij institucioni.
"Unë mendoj se komisioni parlamentar për AKI duhet që të ndërmarrë veprime të cilat i ka në mandatin e saj, ndërsa në anën tjetër ky mekanizëm i sigurisë ka edhe kontrollin e brendshëm dhe nëse ka pretendime të tilla atëherë ata janë të thirrur të veprojnë dhe reagojnë që mos të dëmtohet imazhi i këtij institucioni”, ka thënë ai.
Sipas tij, për rrjedhjen e mundshme të informacioneve për situatën në veri, duhet të merren hapa për ta hetuar deri në fund çështjen.
“Sa i përket çështjes së operacionit në veri dhe gjithë procesit ashtu siç ka deklaruar Drejtori i PK-së, që duhet të ndërmarrin hapa për të hetuar çdo rrjedhje të mundshme të informacioneve të cilat e kanë dëmtuar atë operacion”, ka deklaruar Drizan Shala për “Bota sot”.