Me 3 euro e gjysmë, në Kosovë është vlerë një ari tokë.
198 hektarë tokë në procesin e privatizimit në Kosovë, me spin-off speciale, ishin privatizuar nga kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Në vitin 2010, ish-kryeministri i Kosovës, Haradinaj kishte paguar 70 mijë euro 298 hektarë tokë bujqësore me një plantacion të vishnjave dhe lajthive, në fshatin Isniq të Deçanit.

Përveç Haradinajt, tokë me një çmim të lirë kishte blerë edhe ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku.
Ai kishte treguar se ka 50 hektarë tokë nga blerja që ka bërë përmes privatizimit.
“E kam një tokë 50 hektar që e kam përgjysmë me një mik, në Komoran. Tani e kam shit shtëpinë në Skenderaj. Vitin kur e kam ble tokën nuk e di. E kam ble me privatizim. E kemi privatizu diku 200 e diçka mijë euro, sa ka kushtu ari nuk e di. Jemi hy në kredi për me ble. Ma kanë dhanë kredinë 200 mijë euro”, kishte treguar vet Sami Lushtaku.
Toka që Lushtaku e kishte privatizuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit ishte shpronësuar disa vite më vonë për ndërtimin e autostradës, madje me çmim shumë herë më të shtrenjtë.

“Toka është afër autostradës. Një pjese e tokës është shpronësuar. Diku rreth 50 euro arin e kemi ble. Kur është shpronësuar, nuk e di saktë, po diku 5, 6 ose 7 mijë euro ka qenë çmimi”, ka thënë Lushtaku.
Nuk janë vetëm këto dy figura të luftës, dhe të politikës që kanë privatizuar tokë.
Ka edhe shumë të tjerë, që tokën e Kosovës e kanë blerë me pak para.
Mirëpo, së fundmi Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kishte shkruar në lidhje me shpronësimet në rrugën Prishtinë-Pejë.
Ai ka treguar çmimet me të cilat janë shpronësuar tokat, e të cilat sipas tij, u shumëfishuan nga qeverisja të cilës i printe, Ramush Haradinaj.

“Toka që AKM/AKP e kishte privatizuar për 6 euro/arin, në tabelat e vlerësimit të dorëzuara me 17 maj në MMPH, ishte vlerësuar me 3,700 euro/ari, pra rreth 600-fishi i çmimit të blerjes. Por sikur të mos mjaftonte kjo, Qeveria Haradinaj kishte marrë vendim me 17 dhjetor 2019, që të njejtën tokë t’a shpronësojë për 7,500 euro/ari, pra 1,200-fishi (me fjalë: njëmijë e dyqind fishi i çmimit të privatizimit)”, ka shkruar ministri Murtati në Facebook.
Sipas tij, nga shuma e përgjithshme e shpronësimeve, prej 43 milionë euro, një person do t’i përfitonte 4.9 milionë euro.
“Sipërfaqja e tërësishme e tokës, e cila për t’u privatizuar kishte kushtuar 4,000 (katër mijë) euro, tani do të shpronësohej për 4,866,000 (katër milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë) euro. Pra nga 43 milionëshi i tërësishëm, një person i vetëm do të merrte 4.9 milionë euro, nëse keqpërdorimi do të shkonte deri në fund. Fatmirësisht, e stopuam me kohë”, tha ai.
Në lidhje me procesin e privatizimin, blerjen e tokave me pakë para, dhe me mundësinë e një hetimi për konfiskimin e kësaj pasurie ka folur prof. d. Sulejman Mehazi.
Mehazi në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se, të kota janë hetimet e funksionarëve shtetëror që kanë krijuar pasuri marramendëse, pasi vetë qeveria ua ka mundësuar këtë pasuri, rallë ndodh në botë të ketë qenë nën hetime e të ishte dënuar e burgosur ndonjë prej funksionarëve të larte shtetëror për shkak pasurisë se tyre private.

“Ligji i blerjes së tokës me 3.5 euro ari në Kosovë është nxjerrë nga vetë gllabëruesit e tokave private, nga vetë parlamenti i Kosovës dhe është legjitim sa për të arsyetuar juridikisht interesat personale të Haradinajve e të tjerëve. Pas luftës së 2001 edhe në RMV, pushtetarët e BDI-së nxorën ligj për blerjen e tokës private në vendin e njohur turistik të Kodrës së Diellit vetëm me 1 euro ari dhe thuajse të gjithë funksionarët e BDI-së i fituan këto toka në Mavrovë e Kodrën e Diellit me kaq para sa që sot kushtojnë me çmime maramendëse”, thotë Mehazi.
Ai shton se, të gjithë blerësit e tokave me 3.5 euro ari në Kosovë janë të mbrojtur me ligj dhe nuk egziston gjyq i tillë që mund t'ua konfiskojë, dënojë e burgos këta zotërinj të parave të majme.
“Lloji më i mirë i hetimeve e dënimeve të këtyre tipave të funksionarëve të korruptuar është që populli t'i kap e t'i hudhë në një humnerë të thellë 10 metërshe e të ngushtë gjysëm metërshe e qytetarët të vinin një nga një mbi humnerë duke ju hudhur euro të hekurta mbi kokat e tyre derisa nga pesha e parave të mbyteshin me të tilla euro të hekurta në fund të humnerës”, përfundon prof. dr. Sulejman Mehazi.