Më 16 nëntor, pritet të zhvillohet raundi i ri i takimeve mes Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Takimi është konfirmuar sot nga zyrtarët e Qeverisë së Kosovës dhe autoritetet e Beogradit.
Nga zyra e Kryeministrit të Kosovës, kanë thënë se tema të takimit më 16 nëntor, do të jenë çështja e të zhdukurve, e energjisë dhe lëvizja e lirë.
Por, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka thënë se sipas marrëveshjes së mëparshme, tema kryesore në këtë takim do të jetë Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Kundërshtimin e autoriteteve të Kosovës për çështjen e Asociacionit e ka komentuar eksperti i politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Oksfordit Richard Caplan. Ai për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Kosova po përballet me presion nga palët e treta për të themeluar Asociacionin.
“Kosova po përballet edhe me presion nga palët e treta për të themeluar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Në korrik, zyrtarë të lartë të SHBA-së dhe BE-së deklaruan se Kosova ka obligim të themelojë Asociacionin. Matthew Palmer, Zëvendës Ndihmës Shtetëror i SHBA-së për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, deklaroi në atë kohë: “Asociacioni i Komunave Serbe është një obligim që Kosova e ka marrë përsipër dhe duhet ta përmbushë””, ka thënë Caplan.
Ai nuk ka përjashtuar mundësinë që BE-ja të vendos themelimin e Asociacionit si kusht për përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën.
“Është e mundur që BE-ja të insistojë në themelimin e Asociacionit si kusht për përmirësimin e marrëdhënieve me Prishtinën”, ka theksuar profesori.
Sipas tij, funksionimi i mirëfilltë i shtetit të Kosovës varet nga bashkëpunimi me serbët në Kosovë dhe jo nga themelimi ose jo i Asociacionit.
“Nuk ka asnjë arsye pse vet Asociacioni të rrezikojë integritetin territorial të Kosovës apo të pengojë funksionimin e shtetit. Funksionimi i mirëfilltë i shtetit varet nga bashkëpunimi me serbët e Kosovës, i cili mund të arrihet me ose pa themelimin e Asociacionit”, ka shtuar Richard Caplan për “Bota sot”.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova nuk do të zbatojë marrëveshjen e arritur në vitin 2013 pasi ajo është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës./Botasot