Zëdhënësi i PNV-së në Kuvendin e Spanjës, Aitor Esteban, ka kërkuar nga presidenti i qeverisë, Pedro Sanchez, këtë të mërkurë që Spanja ta njohë Kosovën si shtet.
“Njihni Kosovën një herë e përgjithmonë, pasi jeni përballur edhe në futboll me të”, tha Estebani Sánchez-it gjatë seancës plenare të Kongresit.
Ai shtoi se Spanja nuk duhet të frikësohet as nga ndarjet duke iu referuar kërkesave të vazhdueshme për pavarësi të dy komuniteteve autonom, pra asaj të Katalonjës dhe Baskë.
“Ajo që duhet të ndodh do të ndodh”, ka shtuar Esteban.
Lidhur me këtë, analisti Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se për fatin e mirë të vendit, kanë filuar gjërat të lëvizin në mënyrë progressive dhe që japin shpresa edhe për njohjen e Kosovës.
Qarri shtoi tutje se tani përveç Greqisë, tani edhe Esteban ka kërkuar që Spanja ta njohë Kosovën.
“Për fatin e mirë të vendit tonë, edhe në pesëshen e Bashkimit Evropian të cilat deri më tani zyrtarisht nuk kanë pranuar pavarësinë e vendit tonë, kanë filluar të lëvizin gjërat në mënyrë progresive, gjë që nuk ka ndodhur deri më tani, të cilat japin shpresa për veprime pozitive dhe njohjen e pavarësisë së Repubikës së Kosovës edhe nga ato. Për aq më tepër, përveç Greqisë, së fundmi ka reagime shpresdhënëse edhe nga Spanja, madje sipas medias spanjolle Eldiario.e, të mërkurën që lam pas, Aitor Esteban, zëdhënësi i PNV-së në Kuvendin e Spanjës, ka kërkuar nga presidenti i qeverisë spanjolle, Pedro Sánchez, që përfundimisht ta njohë pavarësinë e shtetit të Kosovës”, tha ai.
Më tej ka potencuar se zëdhënësi Esteban kërkoi nga kryeministri që të mos frikësojnë Spanjën, për ta njohur Kosovën, kërkesat e komunitetit autonom të Baskëve dhe Katalonjësve.
“Madje duke pasur parasysh faktin se pavarësia e Kosovës, është vulosur edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë së OKB-së, zëdhënësi Esteban në seancën plenare të Kongresit, përveç përballjes në futboll, kërkoi nga kryeministri i vendit të vet, që kërkesat e komunitetit autonom të Baskëve dhe Katalonjës të mos e frikësojnë Spanjën që ta njoh pavarësinë e Kosovës, që është rast sui-generis dhe akt i pakthyeshëm, me pavarësi shtetërore tanimë të njohur nga vendet më të fuqishme të BE-së dhe shumica e vendeve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, shtoi Qarri.
Tutje tha se njohja nga Spanja dhe Greqia, do ta ndihmonte edhe Sllovakinë, Rumaninë dhe Qipron që ta njohin pavarësinë e Kosovës.
“Kështu që duke qenë se Spanja si pjesë e Bashkimit Evropian është njëra nga pesë vendet, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, përveç kumtit të mirë, për lëvizje pozitive në Spanjë e Greqi, njohja nga këto dy vende me ndikim në BE, do të ndihmonte edhe Sllovakinë, Rumaninë dhe Qipron, që përfundimisht ta njohin pavarësinë e Republikës së Kosovës, akt i cili përveçse do ta forconte edhe më shumë shtetësinë tonë, do ta avanconte pranimin e Kosovës në organizata të rëndësishme ndërkombëtare si dhe anëtarësimin e Republikës së Kosovës me të drejta të plota edhe në OKB, që është edhe synimi ynë kresor nacional dhe shtetëror”, ka përfunduar Gani Qarri.