Ish i dërguari i Presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka qëndruar në vizitë dy ditore në Kosovë.
Kjo vizitë ka ngjallur reagime dhe debate të shumta, ku edhe u konkludua qëllimi i kësaj vizite.
Lidhur me këtë çështje, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti nga Amerika, Ramzan Bekteshi.
Madje, ai parashtroi pyetjen se pse Grenell ka aq shumë miq në Ballkan por vetëm një armik, kryeministrin Kurti!?
“Pse fantazma Grenell vazhdon të rishfaqet në Ballkanin e trazuar keq, cili ishte dhe mbetet misioni tij në Ballkan, pse Ballkani i hapur është aq i rëndësishëm për Grenell-in, Ramën, dhe Vuçiqin, si mundet miqtë e Grenellit në Shqipëri të jenë tre figura kontroverse (Rama, Meta, Berisha). Pse i telefonoi Thaçit, pse Isa Mustafa e mbron Grenell-in me një deklaratë ndryshe nga bashkë partiaku i tij Gashi, pse Grenell ka aq shumë miq në Ballkan por vetëm një armik, Kurtin, pse Grenell e braktisi kandidaturën e tij për Guvernator të Kalifornisë për Ballkanin, pse u deshtë Trump ta potencoi ‘misionin’ e fundit të Grenell-it në Ballkan dhe pse i reagoi Shtëpia e Bardhë. Shumë dilema, spekulime, sot sillen rreth ‘fantazmës’ Grenell, një mik i dëshmuar i Serbisë dhe një armik i Kosovës”, deklaroi analisti nga Amerika.
Bekteshi tha se shumë pak persona në Kosovë i besojnë Grenellit, përveç Isa Mustafës.
Gjithashtu, ai vlerësoi se i dërguari special i Trump-it gjithë kohën e kërcënoi Kosovën, e frikësoi, përdori bullizmin si mjet nënshtrimi vetëm për t’ia arritur qëllimit, por këtë metodë s’e përdori edhe me Serbinë.
“Vetëm njerëzit që ishin në shërbim të Grenellit i besojnë ende atij, e në Kosovë janë të paktë pos Isa Mustafës dhe dy nxënësve të tij, dhe disa eksponentëve të PDK-së. Marrëveshjen ‘ekonomike’ të Uashingtonit tani më thuajse e ka braktis edhe LDK-ja e sotme për ndryshim nga ajo e djeshmja për shkak disa lëshimeve serioze.
Si veproi Grenell për Kosovën, para, gjatë, dhe pas marrëveshjes: Grenell, i dërguari special i Trump-it gjithë kohën e kërcënoi Kosovën, e frikësoi, përdori bullizmin si mjet nënshtrimi vetëm për t’ia arritur qëllimit, por këtë metodë s’e përdori edhe me Serbinë.
Njëanshmëria e tij u pa kur ai e barazoi kriminelin me viktimën, kur i vente kushte vetëm njërës palë dhe jo tjetrës, si në rastin kur i kërkoi Kosovës që të hiqej taksa por mos të aplikohej reciprociteti, kërkonte bashkëpunim me Vuçiqin por rrëzim të Kurtit.
Kur pandemia e kishte pllakos Kosovën, atëherë Grenell përdori të gjithë arsenalin e tij të turpshëm, duke përçarë faktorin shqiptar për t’ia arritur qëllimit. Kukullat primare të Grenell-it ishin Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, dhe këta të dy do të bënin çdo gjë që kërkonte Grenell qoftë edhe kundër interesave kombëtare, ashtu si që kishin vepruar edhe më herët me demarkacionin, Zajednicen, Specialen”, theksoi Bekteshi.
Në vazhdim, analisti nga Amerika përmendi edhe Marrëveshjen e Uashingtonit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Po ashtu, ai përmendi edhe disa pika të dëmshme që Grenelli i vendosi në marrëveshjen e Uashington.
Pika e parë është lidhja hekurudhore midis Prishtinës dhe Nishit.
“Grenell-it sikur nuk i mjaftoi kërcënimi me mohimin e Fondacionit MCC, e tërheqje trupash nga Bondstilli dhe sanksione tjera. Ai në Marrëveshjen e Uashingtonit i eliminoi pikat që s’i deshi Serbia, por inkorporoi pika që ishin të dëmshme për Kosovën. Nën presionin e Grenell-it ja si duken disa pika të dëmshme të marrëveshjes së Uashingtonit:
(1) Të dy palët zotohen për Lidhjen hekurudhore midis Prishtinës dhe Merdares, Lidhjen hekurudhore midis Prishtinës dhe Nishit.
Pse duhet pala kosovare të pajtohet për lidhje hekurudhore të re midis Prishtinës dhe Nishit. Kjo kërkesë djallëzore e Serbisë është bërë me qellim që të eliminohet qarkullimi ynë nëpër veriun e Kosovës, duke e ruajtur kështu kontrollin atje dhe duke e lehtësuar ndarjen e Veriut që është edhe një synim i regjimit të Vuçiqit. Negociatorët tanë të dobët, në vendëse të ngulin këmbë për versionin ekzistues të hekurudhës, F. Kosovë-Leposaviq-Leshak, këta i hapin Kosovës edhe një plagë të re”, nënvizoi ai.
Tutje, Bekteshi përmendi pikën e dytë, ku përfshihet një studim të fizibilitetit për qëllimet e ndarjes se Liqenit së Gazivodës/Ujmanit, si burim i besueshëm i ujit dhe energjisë.
Ai tha se kjo gjë ishte absurd nga ana e Hotit që e lejoi Serbinë të fus kthetrat Brenda Ujmanit.
“(2) Të dy palët do të bien dakord të punojnë me Departamentin e Energjisë në SHBA dhe subjekte të tjera të qeverisë së SHBA-ve në një studim të fizibilitetit për qëllimet e ndarjes se Liqenit së Gazivodës/Ujmanit, si burim i besueshëm i ujit dhe energjisë
Është absurde se si Hoti lejoi që Serbia të fusë kthetrat për “përdorim të përbashkët të Liqenit” kur 80% e liqenit ndodhet në Kosovë. Nga Ujmani furnizohen 7 komuna me ujë të pijes, furnizohen termocentralet në Obiliq, A dhe B, Feronikeli, Trepça, dhe përdoret për ujitje të rrafshit të Kosovës dhe po ashtu prodhohen edhe 32 megavat rrymë në hidrocentralin e Vallaçit, që trafoja e tij është bërë subjekt politik i retorikës së Vuciqit ditët e fundit. SHBA, ia ka paraqitur Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë studimin e fizibilitetit për Liqenin e Uj manit ku ndër të tjera thuhet. “Ne propozojmë që Kosova dhe Serbia të marrin në konsideratë aranzhimet teknike nga traktati ndërmjet SHBA-së dhe Kanadasë për lumin Kolumbia në lidhje me furnizimin me ujë…”. Por, deri tani asnjëra palë s’ka reaguar për këtë propozim amerikan”, potencoi analisti.
Kurse, pikat 3, 4 dhe 5 përfshijnë praninë ndërkombëtare e Korporatës Financiare për Zhvillim Ndërkombëtar me kohë të plotë në Serbi, projektin e Minishengen dhe zotimin për mbrojtjen dhe promovimin e lirive fetare, ku përfshihet edhe Kisha Ortodokse Serbe.
“(3) Një prani ndërkombëtare e Korporatës Financiare për Zhvillim Ndërkombëtar me kohë të plotë në Serbi.
Delegacioni ynë bëri dhe lëshimin e tretë duke mos e kundërshtuar idenë e hapjes se kësaj zyre vetëm në Beograd por jo dhe në Prishtine një degë (DFC&EXIM), Grenell premtoi se me këtë fond do të meremetonte edhe ndërtesën e RTS (Radio Televizionit Serb) të bombarduar nga NATO, një qendër komunikimi që gjatë luftës ishte edhe me mision policor e ushtarak.
(4) Të dy palët do të futen në “mini-Schengen”, të shpalosur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor të vitit 2019 dhe të shfrytëzojnë plotësisht përfitimet e saj.
Kjo ide e vjetër për qëllim ka dominimin ekonomik serb e më shumë, origjinën e ka nga qarqet më shoviniste serbe të ndihmuar edhe nga kryeministri shqiptar Rama, pra Kryeministri Hoti toleroi që Kosova të bëhej pjesë e Ballkanit të Hapur, edhe një veprim i turpshëm i radhës.
(5) Të dy palët zotohen të mbrojnë dhe promovojnë lirinë fetare, duke përfshirë komunikimin ndër fetar, mbrojtjen e vendeve fetare dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore që i përkasin Kishës Ortodokse Serbe”, u shpreh Bekteshi
Krahas kësaj, analisti tha se pika e 5 ka qëllime politike të kishës serbe për Manastirin e Deçanit.
“Ky formulim i përdredhur politik, qe është edhe lëshimi i pestë, ka për qëllim politikat ekspansioniste të kishës serbe që Manastiri i Deçanit t’i ruaj pronat e veta që s’i kanë takuar, duke e bërë këtë rajon të përjashtuar dhe kancer për pjesën tjetër të Kosovës. Gjykata Kushtetuese në vitin 2016 ia dha manastirit të drejtën e pronës e mbi 23 hektarë tokë duke e fuqizuar kështu një marrëveshje të administratës serbe, gjatë qeverisjes së Millosheviqit të vitit 1997 ku atëbotë padrejtësisht ia kalojnë manastirit dy prona të ndërmarrjeve publike. Pse ‘Gjykata kushtetuese e Thaçit’ vendosi më 2016 si ajo serbe e 1997-ës?”, deklaroi Bekteshi.
Krejt në fund, ai tha se Grenell është e vetmja shpresë e opozitës për rrëzimin e sërishëm të Qeverisë Kurti.
Mirëpo, analisti dyshon se Grenell e theu "Logan Act" shkaku që në mënyrë të paautorizuar ndikojë në qeveritë e huaja. Gjë që kjo mund ta nxis FBI të thërret ish-përfaqësuesin e Trumpit.
“As pika e moratoriumit nuk do të duhej të pranohej. Negociatorët tanë të (pa)vetëdijshëm për gabimet vazhdojnë të lëvdohen për ‘një marrëveshje historike’ që ka mbet e pazbatuar duke pohuar se çdo gjë e bënë me pëlqimin amerikan dhe se lëshimet i bënë gjoja për hatër të Amerikës, edhe kur shkelin planin e Martti Athtësuari-t, dhe interesat kombëtare. Sot, opozita irracionale dhe jo bashkëpunuese, me padurim pret që të dështojë Kosova, me një qëllim të vetëm të lig, që të vij sërish në pushtet, derisa, ‘fantazma’ Grenell mbetet e vetmja shpresë dëshiruese, që për momentin është vetëm një dëshpërim për ta.
A e theu Grenell "Logan Act", që i parandalon qytetarët e paautorizuar amerikan që të intervenojnë apo të negociojnë me qeveri të huaja. "Nëse Grenell e ka thyer ligjin ai mund të pres një thirrje nga FBI."”, përmbylli Ramazani Bekteshi për “Bota sot”.