“Beteja vazhdon”/Zbulohet qëllimi i Grenell ndaj kryeministrit – këto janë arsyet që u rrëzua Qeveria Kurti 1

Politika

“Beteja vazhdon”/Zbulohet qëllimi i Grenell ndaj kryeministrit – këto janë arsyet që u rrëzua Qeveria Kurti 1

Nga: G.B Më: 13 nëntor 2021 Në ora: 11:07
Richard Grenell dhe Albin Kurti, foto ilustrim "Bota sot"

Richard Grenell është rikthyer së fundmi në qendër të vëmendjes. Ai ishte në vizitë në Serbi, Shqipëri e Kosovë.

Ditë më parë shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi tha se rrëzimi i Qeverisë Kurti ishte kërkuar nga Grenell.

Por, kjo u hodh poshtë së fundmi nga ish lideri i LDK-së, Isa Mustafa, i cili tha se Qeveria Kurti ishte rrëzuar për shkak të shkarkimit të ministrit të brendshëm në atë kohë, Agim Veliu dhe jo se këtë e kishte kërkuar Grenell.

Edhe ky i fundit mohoi të ketë kërkuar rrëzimin e qeverisë, derisa kërkoi nga Gashi që të publikonte mesazhet për këtë nëse kishte.

Lidhur me gjithë këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesori Enver Bytyçi.

Ai thotë se Gashi dhe Mustafa e përgënjeshtruan njëri-tjetrin, derisa thotë se nuk mund të ketë dokumente për këtë kërkesë por që nuk beson se kjo ka ndodhur.

“Arben Gashi para dhjetë ditësh dhe Isa Mustafa sot përgënjeshtruan njëri-tjetrin. Në fakt, zoti Gashi njihet një nga besnikët e ish-kryetarit, madje i rrjeshtuar në zgjedhjen e presidentes me opozitën, pavarësisht vendimit të LDK-së për të qëndruar në sallë. Por mesa duket deklarata e tij se „Richard Grenell kërkoi rrëzimin e qeverisë Kurti brenda 7 ditësh“ nuk i ka pëlqyer zotit Mustafa. Prandaj ai u përpoq ta përgenjështrojë. Në fakt e pranoi, nuk e përgenjështroi Arben Gashin. Ish kryetari Mustafa i bënte thirrje Benit që të japë ndonjë document për këtë. Por zoti Gashi nuk tha se Grenell e ka kërkuar rrëzimin e zotit Kurti përmes ndonjë urdhëri me shkrim. Ai thjesht pohoi se ai e ka kërkuar. Kushdo e di se kërkesat verbale nuk provohen me dokumente, vetëm nëse ajo kërkesë është regjistruar. Por nuk besoj të ketë ndodhur kjo. Prandaj dhe reagimin Isa e bëri si gjithnjë në rolin e skiles! Skilllëku duket se i shkon atij për së mbari! Ndërsa bashkëpunëtori i tij, Arben Gashi, së paku dëshmoi se nuk është skile”, është shprehur ai.

Sipas profesorit, LDK e rrëzoi qverinë e Kurtit për arsye të tjera, ku pati gisht dhe Grenell e për këtë gjë shkruan dhe mediat ndërkombëtare, derisa përmend dhe ftesën e Thaçit që Kurti të shkonte me të në SHBA dhe ta nënshkruanin marrëveshjen me Serbinë.

Image
Prof. Dr. Asoc Enver Bytyçi

“E vërteta është se Lidhja Demokratike asokohe (2020) e rrëzoi qeverinë e zotit Kurti, sepse doli nga koalicioni përkatës me arsyetime absurde dhe në bashkëpunim me ish-presidentin e ndarjes së Kosovës, Hashim Thaçin. Dhe asokohe u tha hapur se kjo ndodhi me kërkesën dhe ndihmën e ambasadorit Richard Grenell, i cili që prej atëherë shprehej hapur kundër zotit Kurti. Ambasadori Grenell pati gisht në rrëzimine qeverisë Kurti dhe këtë e pohuan mediet dhe personalitete të Evropës, duke dënuar ndërhyrjen nga jashtë për rrëzimin e qeverive sovrane. Pas rrëzimit të Kurtit u provua kjo aksiomë me organizimin në qershor 2020 të takimit në Uashington të delegacioneve të Kosovës e Serbisë. Thaçi e kishte paralajmëruar Kurtin: „Hajde, i pati thënë, shkojmë në Uashington ta firmosim marrëveshjen me Serbinë dhe e heqim qafe atë“! Por nuk i thoshte se cila është marrëveshja që do të firmosej, cili ishte projekti i saj. Në fakt atë marrëveshje do ta firmoste Thaçi dhe Vuçiq, nsërsa Kurti ftohej të ishte dekor i saj. Por Thaçit iu komunikua akuza e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë. Kësisoj ai u ndal dhe nuk e vazhdoi rrugën e tij drej Uashingtonit. Kjo ndodhi pas rrëzimit të qeverisë Kurti, të cilin e kishte zevendësuar Abdullah Hoti. Ky kishte pranuar të bëhej dekori i Thaçit në firmosjen e asaj marrëveshjeje, e cila është komentuar nga ekspertë amerikanë si marrëveshje e ndarjes së Kosovës”, ka theksuar ai.

Bytyçi më tej shton se rënia e Qeverisë Kurti 1 ishte e lidhur me një marrëveshje të dështuar në Washington dhe ndërhyrjen e Grenellit në dëm të Kosovës.

“Është e provuar pra, se rënia e Qeverisë Kurti 1 ishte e lidhur me një marrëveshje të dështuar në Uashington, me ndërhyrjen e mbështetjen e zotit Grenell në dëm të Kosovës. Më pas ndodhi ajo që dihet. Pas disa muajsh, më 4 shtator 2020, delegacioni i Kosovës me pasuesin e Kurtit, zotin Hoti shkoi në Uashington dhe firmosi tashmë një marrëveshje tjetër, të njohur tashmë. Për atë marrëveshje jemi shprehur. Zoti Grenell ishte organizatori kryesor i këtij takimi dhe kësaj marrëveshjeje”, ka vlerësuar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas tij, beteja e Kurtit me Grenell vazhdon, derisa thotë se ky i fundit e lavdëroi kryeministrin për luftën kundër korrupsionit dhe kështu kërkon ta joshë për ndonjë bashkëpunim.

“Unë besoj se beteja e zotit Kurti edhe më zotin Grenell vazhdon. Megjithëse në një deklaratë të këtyre ditëve ambasadori Grenell e vlerësoi objektivin e kryeministrit të Kosovës për luftën kundër korrupsionit dhe kjo do të thotë se ai po kërkon ta joshë atë për një bashkëpunim. Dora që nuk kafshohet, puthet, thuhet. Është mirë kështu apo jo! Nëse zoti Grenell i bashkohet opsioneve të zotit Kurti për Kosovën, është mirë padiskutim”, ka potencuar ai.

Profesori mendon se Grenell është rikthyer në rajon dhe po merret me politikanë dhe forca që ishin kundër ndarjes së Kosovës dhe në mbështetje të Kurtit, derisa shton se është sinajl i mirë që ai shkoi në Merdare dhe e quajti kufi me Serbinë.

“Ambasadori Grenell po rikthehet vazhdimisht në rajon, në Tiranë, Prishtinë dhe Beograd. Ndryshe nga Aleks Soros, ai ka filluar të merret edhe me politikanë dhe forca, të cilat ishin dhe janë kundër ndarjes së Kosovës dhe në mbështetje të Albin Kurtit. Nuk e di nëse do të ketë zhvillime pozitive të kundërta me disa qëndrime ndryshe të zotit Grenell. Ndryshimi në qëndrimet e tij është i mirëpritur natyrisht. Një sinjal i mirë ishte fakti që ai shkoi në Merdare dhe e quajti kufi me Serbinë. Unë e shoh si një shenjë të respektimit të shtetit dhe të sovranitetit të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Krejt në fund, Bytyçi është shprehur se deklaratat kundërthënëse të Gashit dhe Mustafës na bëjnë të bëjmë analizë të së shkuarës dhe t’i gjejmë pikat e avantazheve të sotme.

“Deklaratat kundërthënëse të Arben Gashit dhe Isa Mustafës e kanë një të mirë! Na bëjnë ne të gjithëve të bëjnë një analizë korrekte të së shkuarës dhe të gjejmë pikat e avantazheve të sotme për t’i ndryshuar gjërat”, ka përfunduar Enver Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat