Ish i dërguari i Presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka vizituar Kosovën, shkruan “Bota sot”.
Kjo gjë ka ngjallur reagime dhe debate të shumta, pasi vizita erdhi menjëherë pas vizitës në Serbi.
Grenelli vlerësohet si një diplomat i cilin mbështet interesat dhe politikat e Serbisë dhe kundërshton Kosovën.
Profesori universitar, Enver Bytyçi në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi këtë vizitë të Richard Grenellit në Kosovë.
Fillimisht, ai tha se marrëdhëniet e Grenellit me Ballkanin, veçanërisht me Kosovën dhe Serbinë. Duke, tentuar që të realizojë idenë e shkëmbimit të territoreve.
“Historia e marrëdhënieve të ambasadorit Richard Grenell me rajonin tonë, sidomos me Kosovën dhe Serbinë, është histori kontraverse. Ai ishte i ngarkuar i Presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi dhe së paku në fillimin e këtij misioni tentoi të realizonte idenë e shkëmbimit të territoreve dhe ndarjes së Kosovës. Për ta realizuar këtë bëri presion jo diplomatik për të rrëzuar qeverinë e ligjshme Kurti 1, pas së cilës u krijua një qeveri e paligjshme, nëse i referohemi vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, deklaroi ai.
Gjithashtu, Bytyçi e përmendi edhe marrëveshjen e Uashingtonit, ku në një pikë u detyruan që ta largojnë pikën 10, ku obligohej Serbia ta njoh Kosovën.
“Zoti Grenell është autor i marrëveshjes së fillimit të qershorit 2020 në Uashington midis Kosovës e SHBA-ve dhe midis Serbisë e gjithashtu SHBA-ve, sepse ajo marrëveshje ishte e ndarë. Në krahasim me marrëveshjen e fillim qershorit, marrëveshja e shtatorit ishte një mrekulli. Megjithatë në këtë marrëveshje pala e Kosovës pranoi kërkesa të papranueshme që i imponoi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ndërkohë që ish-kryeministri Hoti as që rezistoi kur presidenti serb kërkoi heqjen e pikës 10, me të cilën Beogradi do të obligohej për njohjen e Kosovës pas një viti”, theksoi profesori.
Në vazhdim, ai e vlerësoi Grenellin si një mik të ngushtë të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Mirëpo, profesori u shpreh skeptic për lidhjen e tyre, pasi në Beograd besojnë se edhe nëse në SHBA vjen në pushtet Donald Trump pas më shumë se tri vitesh, do të jetë vonë për interesat serbe në Ballkan.
“Grenell është shfaqur si mik i ngushtë i politikanëve autoritarë të Serbisë, sidomos i presidentit Vuçiq. Por në këto momente nuk shoh se ka një ngjizje aq të madhe midis tyre, sepse mesa duket në Beograd besojnë se edhe nëse në SHBA vjen në pushtet Donald Trump pas më shumë se tri vitesh, do të jetë vonë për interesat serbe në Ballkan. Ka shumë mundësi që administrata Biden në mos ia daltë të zgjidhë konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë, do t’ia dalë që ta pranojnë shtetin e ri pesë shtetet anëtare të BE-së, ndër të cilat katër vende anëtare të NATO-s”, tha Bytyçi.
Tutje, profesori parashikoi edhe mundësinë e rikthimit të Trumpit në pushtet në vitin 2024, duke treguar edhe qëllimet strategjike të Grenellit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Kjo do të sjellë atë që administratës Trump, nëse ai vjen në pushtet në vitin 2024, të mos ketë mundësi të merret më me këtë konflikt. Por ambasadori Grenell, mesa gjykoj, vjen në rajon për shkak se ai ka interesa edhe politike në llogari të republikanëve në SHBA, e ndoshta personale, sa i përket zbatimit të marrëveshjes së katër shtatorit 2020. Por, për këtë nuk janë gati as Beogradi, as Prishtina. Serbia nuk është e gatshme ta transferojë ambasadën e Serbisë nga Tel Avivi në Jeruzalem. Nëse do ta bënte këtë, atëherë Serbia do të humbiste mbështetjen e vendeve arabe”, potencoi ai.
Sipas, Bytyçit edhe i ashtuquajturi Minishengen është një arsye e vizitës së Grenellit në Ballkan.
Pasi, këto çështje kaotike e sjellin Grenellin në këtë rajon, por kjo gjë e shtyn më shumë administratën Biden që të bëjë indiferentin në zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
“Por edhe Kosova nuk ka interes të bëhet pjesë e minishengenit. Ka shtyrë në kohë lidhjen e marrëveshjes për furnizimin me gaz përmes linjës amerikane gjithashtu.
Këto ngërçe e sjellin zotin Grenell shpesh në rajon, përkatësisht në Kosovë dhe në Serbi. Se sa sukses do të ketë në realizimin e marrëveshjes së nënshkruar nga Abdullah Hoti dhe Aleksandër Vuçiq, do të shohim. Por sa më shumë Grenell angazhohet në këtë aspekt, aq më shumë do të motivohet administrata Biden që të bëjë indiferentin në zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Sepse shikon që zbatimi i saj do të interpretohet si sukses i Donald Trump. Presidenti Biden dhe askush tjetër në pushtet nuk do të donte që t’i jepte pikë politike plus kundërshtarit të tij politik, kur e ka mundësinë që të mos e bëjë këtë”, deklaroi ai.
Këto deklarata, Bytyçi i bazoi edhe në postimin e Trumpit në Tëtter, ku e konsideron Trumpin si ambassador të tij.
"Kur them këtë, kam parasysh edhe publikimin në Tëitter të ish-presidentit Trump, I cili e konsideron si ambasador të tij zotin Grenell. Ai publikim është parë me shqetësim nga ana e administratës Biden, përfaqësues të së cilës thonë se SHBA-të kanë diplomat zyrtarë të saj që i aktivizojnë në rajone të ndryshme. Me këtë ata kundërshtonin prezencën e zotit Grenell në Kosovë dhe Serbi”, tha ndër të tjera profesori.
Në fund, ai u befasua nga qëndrimi i Grenellit kundër Kurtit, për sa i përket luftimit të korrupsionit.
Gjithashtu, një sinjal tjetër e mori nga pika kufitare në Merdare, ku e vlerësoi si kufiri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Por në vizitën e fundit në Kosovë ndodhi diçka interesante. Zoti Grenell për herë të parë përmendi diçka pozitive në adresë të kryeministrit Kurti. Tha se qëllimi i tij për të luftuar kundër korrupsionit është i lavdrueshëm. Megjitjatë kërkoi rezultate konkrete dhe kjo është normale. Nga ana tjetër ai shkoi në Merdare dhe e deklaroi pikën kufitare të saj si kufi midis Kosovës dhe Serbisë, ndërkohë që Beogradi nuk e ka njohur ende këtë kufi si kufi shtetëror. Pra kemi sinjale të një kthese të zotit Grenell në favor të Kosovës. Nëse ky qëndrim do të vijojë e do të thellohet, atëherë do të thotë se ai po përpiqet të afrojë qëndrimet e tij me ato të administratës Biden. Ndoshta ka dhe arsye se nuk sheh më të Beogradin si partner të besueshëm. Të shohim si do të përfundojë kjo”, përfundoi Enver Bytyçi për “Bota sot”.