Policia e Kosovës “vihet” në peshore, pse nuk i beson Gjykata Speciale?

Politika

Policia e Kosovës “vihet” në peshore, pse nuk i beson Gjykata Speciale?

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 13 nëntor 2021 Në ora: 21:55
Hashim Thaçi dhe të tjerët në Hagë

Shpeshherë është vlerësuar se Policia e Kosovës është më e mira në rajon. Por një gjë e tillë nuk e ka bindur Kryeprokurorin e Speciales, Jack Smith.

Sipas një parashtrese të Smith, Policia e Kosovës nuk i ka dhënë garancitë e mjaftueshme për lirimin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen në Hagë.

“Garancitë e fundit të PK-së mbeten të pamjaftueshme dhe si të tilla nuk përbëjnë ndryshim të rrethanave”, ka thënë Smith në parashtresat e tij.

Në parashtresën e tij, Kryeprokurori i Speciales ka qartësuar se pse Policia e Kosovës nuk ka ofruar garancitë e mjaftueshme.

“Së pari, përgjigjet e PK-së ndaj mbikëqyrjes së kushteve të banimit parashikojnë një përdorim të burimeve të kufizuara që nuk është qartësisht në proporcion me peshën e rreziqeve. PK-ja propozon që të ketë një oficer të vetëm që ta ruajë banesën me një kamerë të vetme në derën e përparme të banesës. dhe një të dytë jashtë ndërtesës. Perimetri i banesës nuk mund të sigurohet pa më shumë burime, duke lënë të pa monitoruara pjesë të mëdha të pronës. Në veçanti, përveç atyre pjesëve të rezidencës që një roje mund të shohë nga dera e përparme, pjesa e brendshme e pronës do të ishte e pavëzhgueshme. Kjo është në kontrast të qartë me Qendrën e Paraburgimit, e cila ka një ekip oficerësh të paraburgimit, detyrat kryesore të të cilëve përfshijnë ruajtjen e një mjedisi të sigurt paraburgimi”, thuhet tutje.

Po ashtu, në ketë parashtresë të Smith vlerësohet se dështime të vazhdueshme paraqesin një paaftësi të thjeshtë për të zbatuar masa.

”Kosova ende nuk ka ofruar garanci adekuate për të zbutur rreziqet serioze të paraqitura nga të Akuzuarit. Këto dështime të vazhdueshme paraqesin një paaftësi të thjeshtë për të zbatuar masa të mjaftueshme”, thuhet në parashtresën e Smith.

Por, jo të gjithë pajtohen me mendimet e kryeprokurorit të Speciales. Ekspertëtë e fushës juridike vlerësojnë se Policia e Kosovës ka për të garantuar monitorimin e të liruarve me kusht të Gjykatës Speciale.

Burjani: Kjo është arsyeja pse nuk beson Gjykata Speciale

Image
Blerim Burjani

Njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar deklaratën e kryeprokurorit Smith.

Burjani ka treguar se a ka kapacitet Kosova për të garantuar monitorim.

Ai ka treguar arsyen se pse Gjykata Speciale nuk beson se mund të garantohet lirimi me kusht i ish krerëve të UÇK-së.

“Kosova ka kapacitete për të garantuar monitorimin e të gjithëve, përveç njerëzve që janë të politikës dhe që kanë ndikim të madh politikë në Kosovë. Andaj për ketë arsye nuk beson Gjykata Speciale se mund të garantohet se nuk do të ketë ndikim dhe do të ketë monitorim si duhet”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Burjani ka treguar se ku qëndron problemi dhe se kush është mbi shtetin e Kosovës.

“Pra, tek ne mbetet problem rendi dhe ligji. Politika që bëhet në këtë shtet është mbi ligjin dhe pasuritë publike”, ka theksuar Burjani për “Bota sot”.

Krasniqi: Deklarata e Smith është mbulesë

Image
Islam Krasniqi

Në anën tjetër, njohësi tjetër i çështjeve juridike, Islam Krasniqi, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka deklaruar se deklarata e Kryeprokurorit të Speciales nuk qëndron.

“Deklarata e Kryeprokurorit të Speciales, Jack Smith nuk qëndron dhe nëse mund të quajmë është një arsyetim të cilin nuk e fakton me asnjë realitet”, ka thënë ai.

Krasniqi e ka theksuar se Kosova ka Policinë më të mirë në rajon.

Ndërkaq, ai shprehet se deklarata e Kryeprokurorit Smith është thënë për të mbuluar deklaratën e Trendafillovës për paraburgimet.

“Policia e Republikës së Kosovës është ndër policitë më të mira të rajonit e që deklarata e Kryeprokurorit ka qenë për të mbuluar deklaratën e kryetarja së Dhomave të Specializuara të Kosovës znj. Ekaterina Trendafillova, e cila ka thënë se paraburgimi nuk mund të zgjatet më shumë se një vit, përveç se në rrethana të jashtëzakonshme”, ka vlerësuar Krasniqi.

Në fund, Krasniqi ka treguar se cili mund të ishte opsioni tjetër për të garantuar monitorimin e të liruarve me kusht nga Gjykata Speciale.

“Gjykata Speciale apo Kryeprokurori Speciales, Jack Smith ka mundur që kujdesin apo sigurinë për të mbajturit në paraburgim të kërkojnë nga policia e EULEX-it, nëse te e jona ju mungon besimi, po ajo deklaratë ka qenë vetëm sa për sy e faqe asgjë më shumë”, ka përfunduar Krasniqi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat