“Zgjedhjet fitore për LDK-në”/Këto janë arsyet pse qytetarët e votuan Përparim Ramën kryetar të Prishtinës

Politika

“Zgjedhjet fitore për LDK-në”/Këto janë arsyet pse qytetarët e votuan Përparim Ramën kryetar të Prishtinës

Nga: G.B Më: 15 nëntor 2021 Në ora: 16:05
Lumir Abdixhiku dhe Përparim Rama

Të dielën e 14 nëntorit në Kosovë është mbajtur raundi i dytë i zgjedhjeve lokale.

Në këtë raund është votuar në 21 komuna të cilat kanë shkuar në balotazh.

E nga rezultatet preliminare të KQZ-së, në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, fitues ka dalë kandidati i LDK-së, Përparim Rama.

Ai ka fituar ndaj kundërkandidatit Arben Vitia.

Sipas rezultateve, Përparim Rama ka marrë 51.07 për qind, ndërsa Arben Vitia 48.93 për qind të votave.

Për fitoren e Ramës LDK e shumë qytetarë kanë festuar mbrëmë në Prishtinë.

Lidhur me rezultatin e zgjedhjeve në Prishtinë dhe fitoren e Përparim Ramës, për gazetën “Bota sot” ka folur njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu.

Image
Rexhep Shahu

Ai ka thënë se fitorja e tij është një leksion demokracie për gjithë rajonin, derisa përmend dy kushtet që bënë që ai të fitonte.

“Fitorja e Përparim Ramës në Prishtinë është një leksion demokracie për gjithë rajonin. U bënë bashkë dy kushte, zgjedhja e tij si kandidat i LDK-së jo skllav i varur i politikës por as i pavarur, aq i lirë sa të jetë vetja e tij por jo i pa politizuar siç preferojnë shumë nga OJQ që janë shoqëri civile ushtarake”, është shprehur ai.

Sipas Shahut, Rama është fytyra e re e LDK-së, pa fyer e nënçmuar askënd.

“Ai është fytyra e re e LDK-së, që bazohet në traditën më të mirë politike, pa fyer as nënçmuar askënd. LDK si dhe PDK me figura të reja drejtimi janë më frymëzuese. Por Përparim Rama nuk anashkalon askënd e asgjë nga kontributet shtetformuese të Kosovës e LDK-së”, ka theksuar analisti.

Ai vlerëson se këto zgjedhje ishin fitore për LDK-në dhe opozitën, ndërsa humbje për VV-në e sidomos Kurtin dhe për këtë tregon arsyen.

“Këto zgjedhje aq sa janë fitore e LDK-së dhe opozitës, aq janë humbje e VV-së dhe sidomos Albin Kurtit që tentoi ta personalizojë fitoren siç bëri në zgjedhjet politike. Populli e pa se janë të vogla e të brishta supet e Albin Kurtit për të mbajtur shumë pushtet ndaj e liroi nga pushteti i tepërt. Që të ketë më pak pushtet e të mos e bëjë pushteti i madh arrogant”, ka potencuar Shahu.

Ai shton se Përparim Ramën e votuan si një njeri suksesi që do të ndikojë të ndërtojë qytetarin e lirë e dinjitoz të Prishtinës.

“Përparim Ramën e LDK-së e votuan njerëzit, besoj, jo si arkitekt që di të bëjë vizatime e skica, por si një njeri suksesi që do të ndikojë të ndërtojë qytetarin e lirë e dinjitoz të Prishtinës”, ka deklaruar Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat