Gjatë ditës së djeshme është mbajtur balotazhi i partive politike nga zgjedhjet e 17 tetorit.
Me përfundimin e numërimit të votave, KQZ arriti të dal me rezultatet preliminare për komunat e vendit.
PDK në raundin e parë arriti të fitojë katër komuna, kurse në balotazh pesë. Gjithsej nëntë komuna.
E dyta është Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila arriti të fitojë shtatë komuna.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka marrë pesë, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje katër komuna.
Në lidhje me këto rezultate në një prononcim për “Bota sot”, ka folur juristi Blerim Burjani, i cili u shpreh se me këto rezultate mund të shohim një rikthim të partive të vjetra në skenën politike.
“Duket se po, rikthimi po ndodh, ky rezultat është tregues se partitë e vjetra nuk kanë alternativë, pra VV nuk duket të jetë alternativë por ishte eufori, kjo çfarë ka ndodh është tregues i qartë se vota nuk jepët për ata që nuk punojnë shumë”, u shpreh ai.
Juristi thotë se LDK ka gjetur kandidat të përgatitur për këtë arsyeje edhe arriti të fitoj Prishtinën.
“LDK gjeti një kandidat të përgatitur mirë dhe ringjalli shpresat e prishtinasve se do të rimëkëmbet qyteti, do të ketë një pamje tjetër mbi të gjitha normale”, thotë juristi.
Në fund, ai shton se partitë e vjetra në këtë balotazh janë kthyer fuqishëm pasi LVV nuk ka pasur kandidatë të serioz.
“Në shumë komuna u kthyen fuqitë e vjetra politike në Kosovë duke iu falënderuar VV-në me kandidatë anonim nuk fitohet, pra nuk patë seriozitet fare dhe humbi Prishtinën dhe shumë komuna tjera”, përfundoi Blerim Burjani për “Bota sot”.