Shtohet prezenca ruse në Kosovë – A po përgaditet një mini Krime në Ballkan nga Rusia e Serbia?

Politika

Shtohet prezenca ruse në Kosovë – A po përgaditet një mini Krime në Ballkan nga Rusia e Serbia?

Nga: N. Sh. Më: 16 nëntor 2021 Në ora: 15:25
Denis Vengerskii dhe Alexey Kryvosheev të shpallur nongrata nga Kosova

Shtetas e agjentë rusë, kohën e fundit po shihen mjaftë shpesh në Republikën e Kosovës.

Pas shpalljes non grata të dy diplomatëve rusë nga Kosova, Denis Vengerskii dhe Alexey Kryvosheev, pak ditë më parë ishte parë në Kosovë edhe një rus për të cilin u raportua në media.

Për këtë edhe Policia e Kosovës kishte reaguar.

Sipas Policisë bazuar në informacionet zyrtare të evidentuara në sistemin kufitar, të njëjtit me datë 23.10.2021 (në ora 14:46 dhe 14:50), përmes pikës kufitare në Merdare kanë lëshuar territorin e Republikës së Kosovës.

Tutje policia thekson se të njëjtit, nga data 23.10.2021, nuk kanë hyrë në Republikën e Kosovës, ndërsa personi i cili është publikuar dhe shfaqur në media përmes fotografive dhe videos, është person tjetër (V.L.) i njohur për institucionet e sigurisë në Kosovë, si punonjës në zyrën ruse në Kosovë.

Kurse, gjatë ditës së dejeshme Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndaluar edhe katër shtetas rusë për shkak të “kalimit të paautorizuar të kufirit, ose vijës kufitare”.

Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se shtetasit rusë janë ndaluar në afërsi të Leposaviçit derisa përmes një veture të dyshuar të llojit Opel Astra po tentonin të kalonin ilegalisht kufirin.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha tha dje se, të dyshuarit kishin përdorur rrugë alternative për të hyrë ilegalisht në Kosovë.

Ai nuk dha më shumë detaje për këtë rast, por tha se kjo tani është çështje e Prokurorisë e cila po e trajton rastin dhe ka dhënë urdhër që shtetasit rusë të dërgohen në mbajtje për 48 orë.

Në njoftimin e policisë thuhet se bëhet fjalë për dy burra dhe dy gra.

Në lidhje me ketë ngjarje ka reaguar edhe ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari

Ai thotë se lajmi për shtetasit rusë të arrestuar në veri duhet të na brengos.

Ai pyet se a po përgatisin Rusia e Serbia një mini Krime në Ballkan?

“Ky lajm duhet me na brengos shumë, të gjithë neve, pa marr parasysh orrientimin tonë politik, entik apo fetar. A po përgatisin rusët dhe serbët një mini Krime në Ballkan”, shprehet Miftari në një reagim të tij.

Ndryshe, më 22 tetor, Kosova kishte urdhëruar dëbimin e dy diplomatëve rusë, duke akuzuar Moskën për aktivitete “destabilizuese”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pati thënë se institucionet e vendit janë të vendosura në luftën kundër ndikimit qëllimkeq të Rusisë dhe “satelitëve të saj në rajon”, të cilët, sipas saj, synojnë rrënimin e arritjeve të Kosovës, Shteteve të Bashkuara, NATO-s, dhe Bashkimit Evropian.

Ambasada e Rusisë në Beograd në reagimin pati thënë se “asnjë vendim i Prishtinës nuk ka fuqi ligjore për Rusinë”.

“Ne nuk e njohim pavarësinë e Kosovës, prandaj nuk e njohim Qeverinë e tyre apo strukturat e tjera. Asnjë vendim i Prishtinës nuk ka fuqi ligjore për ne”, pati thënë Ambasada e Rusisë.

Rusia e kundërshton pavarësinë e Kosovës të shpallur më 2008.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat