Balotazhi u mbajt në 21 komuna në nivel vendi. Procesi i votimit është zhvilluar edhe në këtë raund në mënyrë të qetë, por me pjesëmarrje më të ulët të qytetarëve në zgjedhje krahasuar me raundin e parë të zgjedhjeve lokale, kanë deklaruar nga “Demokracia në Veprim”.
Mirëpo, ajo se çfarë mori vëmendje në balotazhin e 14 nëntorit është humbja e bastioneve të partive politike.
Në Gjilan që tashmë kryetari i saj u zgjodh Alban Hyseni nga LVV-ja duke rrëzuar Lufti Hazirin nga LDK-ja, pastaj në Mitrovicë u zgjodh Bedri Hamza duke lënë pas kandidatin Agim Bahtirin, pastaj është edhe Prizreni që tashmë u zgjodh kryetar i saj Shaqir Totaj, nga PDK-ja duke lënë pas vetës kandidatin Mytahir Haskuka nga radhët e LVV-së.
LDK-ja ka fituar 8 komuna, PDK-ja po ashtu ka fituar 8 komuna, AAK-ja 5, ndërkohë VV-ja vetëm 4.
Analistët politik në lidhje me këtë temë u shprehen se nuk kemi të bëjmë me rikthim të subjekteve politike, pasi në shumicën e komunave kanë fituar individët dhe jo subjektet politike.
Gjithashtu ata cekën që të gjitha partitë politike janë bërë së bashku për të mposhtur LVV-në.
Ahmeti: Të gjitha partitë politike u bënë bashkë kundër LVV
Në lidhje me rezultatet preliminare nga balotazhi i 14 nëntorit, në një prononcim për “Bota sot”, analisti politik, Hidajet Ahmeti është
shprehur që nuk ka asnjë befasi pasi të gjitha subjektet politike janë bërë bashkë kundër LVV-së.
Hidajet Ahmeti
“Zgjedhjet lokale nuk kanë sjellë befasi të mëdha, por disa nga subjektet politike kanë dit me nxjerrë kandidatin dhe programin më të
përshtatshëm për votuesit. Duhet të jemi të vetëdijshëm se zgjedhjet lokale dallojnë nga ato nacionale, por nuk mund të themi se kanë një shkëputje të madhe në mes vete”, u shpreh ai.
Analisti thotë se në rënien e rezultatit të LVV-së, ka ndikuar edhe një pjesë e mediave pasi kanë përcjell një propagandë të vazhdueshme.
“Balotazhi ka qenë i pafavorshëm për Lëvizjen Vetëvendosje, pasi janë bërë të gjitha subjektet politike për ta zbehur fuqinë politike dhe për ta relativizuar fitoren plebishitare në zgjedhjet nacionale. Një pjesë e mediave dhe shoqërisë civile ishin të orkestruar me një
propagandë të vazhdueshme kundër Vetëvendosjes, gjë që e cila ndikoi në masë të madhe në zbehjen e fuqisë reale të Vetëvendosjes”, tha Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.
Peçani: Në këto zgjedhje fituan individët, jo subjektet politike
Ndërsa analisti tjetër politik, Ruzhdi Peçani në një bashkëbisedim me “Bota sot”, në pika të shkurtra komentoi rezultatet që sollën partitë politike në balotazhin e 14 nëntorit.
Ruzhdi Peçani
Sipas tij këto zgjedhje arritën të tregojnë një menaxhim të duhur të KQZ-së dhe të vlerësohen në gjithë rajonin.
Analisti thotë që ndodhi balanca përmes ndëshkimit me vota që duhet të thuhet se është arritje demokratike.
“Në këto zgjedhje, zgjedhësit, qytetarët e Kosovës treguan një pjekuri qytetare dhe kulturë të lartë demokratike, gjatë gjithë procesit
zgjedhor. Nuk po mbetet pa marrë vlerësime edhe nga jashtë Kosovës. Nuk mund të mos përmendim edhe KQZ-ja për menaxhimin dhe mirëvajtjen e këtyre zgjedhjeve. Kosova me këto zgjedhje po vlerësohet si shembull për gjithë rajonin.
Në këto zgjedhje ndodhi balanca përmes ndëshkimit me vota që duhet të thuhet se është arritje demokratike. Pra, me këtë edhe balanca mes dy niveleve, pushtetit lokal dhe atij qendror. Kjo si produkt i rritjes së vetëdijes qytetare duke ndëshkuar ata që kishin zhgënjyer qytetarin në mandatet që kishin, rasti në Mitrovicë, Prizren dhe Gjilan”, u shpreh analisti.
Më tej, Peçani duke vazhduar fillon me fitoren e 7 komunave nga LDK-ja, gjithmonë duke mos qenë këto rezultatet përfundimtare pasi do të kemi edhe mbledhjen e votave nga diaspora dhe atyre me kusht.
Mirëpo sipas tij, fitorja e Prishtinës dhe humbja e Gjilanit, nuk mund të shihen si triumf për LDK-në.
“Lidhja Demokratike doli e dyta përkah numri i komunave të fituara, pra fitoi 8 nga to. Fitorja e Prishtinës ishte një “Fitore e Pirros”
pas humbje që pësoi më 14 shkurt. Me të drejtë ishte ngazëllim i madh kjo fitore. Mendoj se nga pesha politike fitorja e Kryeqytetit, e bënë subjektin politik si fitues të këtyre zgjedhjeve lokale në Kosovë.
Humbja në Gjilan të ish kryetarit, kryetarit të Degës dhe nënkryetarit të partisë, patjetër se do jetë temë debati në LDK, ngase Lutfi
Haziri, jo se nuk arriti, por u ndëshkua më tepër për veprimet politike nacionale që njihet. Pra, një mesazh për politikanët – qytetari sot nuk harron dhe ndëshkon.
Kështu edhe LDK-ja nuk mund të thuhet se ka “rikthim të fuqishëm” pse e fitoi Prishtinën, duke humbur Gjilanin dhe në Prizren nuk po arrin ta kthejë namin që kishte dikur”, thekson Peçani.
Analisti më tej, përmend PDK-në e që sipas tij, në këto zgjedhje kanë fituar kandidatët si individ dhe jo PDK-ja si subjekt.
“Rasti në Mitrovicë ku fitoi që në raundin e parë Bedri Hamza, pra fitoi autoriteti dhe begraundi që mbanë ky – se fitoi PDK-ja do ishte
mashtrim për subjektin, gjithsesi se i përshkruhet. Rast konkret e kemi në Ferizaj, ku Agim Aliu votohet si individ, po si subjekt PDK
doli e treta në Ferizaj. Heq këtu edhe dy bastionet në Skënderaj dhe Drenas dhe ndonjë të fituar me “pazar””, potencon analisti.
Në bisedë e sipër, ai përmend edhe LVV-në, e cila fitoi vetëm katër komuna dhe kjo sipas tij vjen si pasojë e mos marrjes me seriozitet
dhe përkushtim nga ana e LVV-së.
“Me vetëm katër komuna të fituara mund të thuhet se LVV-ja pësoi humbje si parti e parë në pushtet në krahasim me suksesin që e korri më 14 shkurt. Po cilët do ishin faktorët apo shkaqet e kësaj rënie? E para LVV-ja u kaplua nga ngazëllimi i fitores së 14 shkurtit dhe superioritetit dhe një krenarie të tepruar. Thënë shkurt këto zgjedhje nuk u morën me seriozitetin dhe përkushtimin që kërkohej. LVV-ja si parti në pushtet, pas kësaj, duhet që Qeveria të rishikojë programin po edhe me një reformë të thellë”, tha Ruzhdi Peçani për “Bota sot”.
Rezultatet preliminare
Sipas rezultateve preliminare të shpallura nga KQZ: Komunën e Gjakovës e ka fituar Ardian Gjini i AAK-së me 20.254 vota ose 50.06 për qind të votave.
Në Gllogoc ka fituar Ramiz Lladrovci me 11.572 vota ose 54.14 për qind.
Në Gjilan ka fituar Alban Hyseni i VV-së me 21.374 vota ose 51.03 për qind.
Dragashin e ka fituar Shaban Shabani i LDK-ja.
Istogun e ka fituar Ilir Ferati me 9.503 vota ose 56.20 për qind.
Në Kaçanik ka fituar Besim Ilazi i PDK-së me 7.184 vota ose 53.20 për qind.
Në Klinë ka fituar Zenun Elezaj i AAK-së me 7866 vota.
Në Fushë-Kosovë ka fituar Burim Berisha me 7864 vota ose 66.04 për qind.
Në Kamenicë ka fituar Kadri Rahimaj me 8040 vota ose 53.11 për qind.
Në Obiliq ka fituar Xhafer Gashi me 6414 vota ose 61.41 për qind.
Rahovecin e ka marrë Smajl Latifi i AAK-së me 11.445 vota ose 63.32 për qind.
Në Podujevë ka fituar Shpejtim Bulliqi me 20.282 vota ose 51.84 për qind.
Në Prishtinë, Përparim Rama me 40.659 vota ose 51.07 për qind.
Në Prizren ka fituar Shaqir Totaj i PDK-së me 27.017 vota ose 51.01 për qind.
Në Shtime ka fituar Qemajl Aliu i VV-së me 6920 ose 50.71 për qind të votave.
Në Viti ka fituar Sokol Haliti me 8.684 vota ose 51.48 për qind.
Vushtrrinë e ka fituar Ferit Idrizi i PDK-së me 13.181 vota ose 53.13 për qind.
Në Malishevë ka fituar Ekrem Kastrati me 10.394 vota ose 53.19 për qind.
Junikun e ka marrë Ruzhdi Shehu me 1.199 vota ose 50.61 për qind.
Në Mamushë ka fituar Abdulhadi Krasniqi me 1580 vota ose 63.38 për qind.
Dhe në Kllokot ka fituar Vladan Bogdanoviq me 1021 vota ose 55.13 për qind.