Kryetar i ri i Prishtinës nga raundi i dytë i zgjedhjeve u bë Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ai fitoi me një rezultat shumë të ngushtë nga Arben Vitia i Lëvizjes Vetëvendosje.
Rama i mori gjithsej 40,659 vota. Ndërsa Vitia mori 1,701 vota më pak, apo 38,958 në total.
Lidhur me fitoren e Ramës, analisti politik Islam Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se rahatia e VV-së bëri që të fitojë Rama, madje sipas tij, fushata e Vitisë ishte e vogël.
Krasniqi thekson se LVV duhet të bëjë reforma brenda saj, dhe t’i mbaj premtimet e korruptuara, sepse grupet klanore janë prekur nga interesit dhe të gjithë u bashkuan dhe e rrëzuan LVV-në.
“Rahatia dhe komoditeti i z. Vitia po ashtu edhe i VV-së e solli në krye të Prishtinës z. Rama, sepse fushata e z. Vitia ishe e vogël duke besuar së është puna e kryer ashtu siç kishte ndodhur me z. Mustafa kur thoshte se me duar në gjepa e fitojë Prishtinën. VV-ja duhet të punojë dhe të bëjë edhe reforma brenda saj, sepse grupeve klanore ju kanë prekur interesi dhe të gjithë u bashkuan për të rrezuar VV-në në zgjedhjet lokale. VV-ja duhet t'i mbajë premtimet të korruptuarit t’i dërgojë para sistemit të drejtësisë, sepse po ata investuan në përmbysjen e rezultateve në Prishtinë”, tha ai.
Tutje ai theksoi se Rama nuk do të mund të përmbush as dhjetë për qind të programit të tij, duke e pasur parasysh që projektet e tij janë shumë të kushtueshme.
“Kryetari i ri premtimet e dhëna në fushatë nuk mundet t'i realizojë, as dhjetë për qind të programit të tij nuk mund të përmbush, sepse projektet e tij janë shumë të kushtueshme dhe nuk ka mjete për të mbuluar, kur e dimë së rreth shtatëdhjetë për qind e buxheti shkon në paga të punëtorëve, dhe me çka do t'i realizojë të gjitha ato projekte”, ka përfunduar Krasniqi.