Faktorë vendosës ishin edhe dështimet e mëdha nëpër komuna të partive politike, përgatitja e kandidatëve dhe vlerat konkrete të tyre për të zgjidhur çështjet lokale të qytetarëve...
“Albini bëri gabim që emëroi z.Vitia ministër të Shëndetësisë për herën e dytë, përderisa kishte synime që ta bënte kryetar të Prishtinës”, thotë Mehmeti.
Pas numërimit të 100 për qind të fletëvotimeve në Prishtinë, Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka fituar kundër kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitia. Sipas rezultateve zyrtare të KQZ-së, Përparim Rama nga LDK-ja ka marrë 51,07 për qind ose 40.658 vota. Arben Vitia nga LVV-ja ka marrë 48,93 për qind ose 38.958 vota.
Po ashtu ka përfunduar edhe numërimi i votave nga diaspora për Prishtinën. Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 122 vota, ndërsa Përparim Rama nga LDK-ja ka marrë vetëm 15.
Lidhur me fitoren e Përparim Ramës nga LDK-ja, për gazetën “Bota sot”, kanë folur edhe disa njohës të çështjeve politike.
“Çfarë e solli këtë rezultat?”
Analisti politik Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”, ka theksuar se Kurti ka bërë gabim që e emëroi Vitinë ministër, duke e pasur parasysh që synimi i tij ishte të bëhej kryetar i Prishtinës.
Faton Mehmeti
Sipas tij, Vitia do të duhej ta ruante reputacionin që e kishte në qeverinë Kurti 1, dhe jo të bëhej ministër.
“E kam thënë edhe më parë, Albini bëri gabim që emëroi z.Vitia ministër të Shëndetësisë për herën e dytë, përderisa kishte synime që ta bënte kryetar të Prishtinës. Është mençuri të dish të marrësh vendime të mençura në kohën e duhur. Arben Vitia sa ishte ministër në Qeverinë Kurti kishte shumë reputacion, të cilin duhej ta ruante, jo të bëhej ministër prapë, kjo gjë i ka kushtuar, sidomos rritja e rasteve me covid, me vendime të gabuara të Qeverisë”, tha ai.
Më tej është shprehur se arsyeja e dështimit të Vitisë ishte se në debat me Ramën ishte inferior, ndërsa si arsye tjetër Mehmeti thekson se është mobilizimi i të gjithëve kundër LVV-së.
“Dështimi i tij lidhet edhe me faktin se në debat me Ramën ishte inferior, dhe e treta arsye mund të themi është mobilizimi i të gjithëve kundër VV-së. Të gjitha këto kanë sjell këtë rezultat, e të cilin pak kush ka mund ta mendonte pak javë më herët. Arben Vita është "viktimë ", dhe të gjithë kundër tij. Lumiri, nuk ka pse krenohet me këtë, pasi nuk është fitore e pastër, pra njerëzit nuk i kanë besuar LDK-së, por kanë ndëshkuar VV-në”, shtoi Mehmeti.
“Vota u dha për kandidatin që dha zgjidhje”
Juristi Muhamet Kelmendi, ka potencuar se në krahasim me zgjedhjet e kaluara, tani qytetarët kanë bërë një ndryshim të dukshëm, madje ai thekson se me këtë qytetarët kanë filluar të analizojnë vlerat e programit politik.
Muhamet Kelmendi
“Vota në Kosovë dënoi grupet e interesit dhe lidhjet informate. Shikuar në bazë të raundit të parë dhe të dytë të votimit për pushtet lokal del se me votat e dhëna bënë qytetarët e Kosovës një ndryshim të dukshëm në shprehjen e vullnetit. Votuesit dënuan grupet e interesit, individët dhe klikat në pushtet qendror dhe lokal. Rezultatet treguan se qytetarët kanë filluar të analizojnë dhe të shprehin vullnetin për vlerat e programit politik - zgjedhor dhe për kandidat që nuk veprojnë nën ndikimin e politikës së partisë. Nëpër komuna u votuan kandidatët që dhanë zgjidhje kreative për çështjet aktuale të komunës. Vlerat e kandidatëve ishin baza e dhënies së votës”, tha ai.
Tutje ka përmendur disa nga faktorët që sipas tij, përcaktuan rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Ai theksoi se janë rezultatet e punës si të opozitës dhe pozitës, puna konkrete nëpër komuna, si dhe përgatitja e kandidatëve dhe vlerat për të zgjidhur çështjet lokale të qytetarëve.
“Me zgjedhje u dënuan partitë politike që dolën nga zgjedhjet qendrore fituese. Kandidatët u votuan jo në bazë të partisë dhe udhëheqjes qendrore. Vota u dha për kandidatin që dha zgjidhje. Duket se janë disa faktor që përcaktuan rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për pushtet lokal. Këtu dua të theksoj disa elemente: 1. Rezultatet e punës në nivel qendror dhe lokal, si të pozitës, ashtu edhe të opozitës në dhënien e votës ndaj kandidatëve. 2. Puna konkrete e deritanishme nëpër komunat e Kosovës e pushtetarëve ( kryetareve) që dolën nga votat e vitit 2017. 3. Dështimet e mëdha nëpër komuna të partive politike. 4. Përgatitja e kandidatëve dhe vlerat konkrete të tyre për të zgjidhur çështjet lokale të qytetarëve dhe 5. Programet politike të kandidatëve për pushtet”, shtoi ai.
Kelmendi theksoi tutje se në bazë të këtyre fakteve u dha vota, dhe u dha konkretisht për kandidatin dhe vlerat e tij, si dhe për programin politik.
Sipas tij për këtë arsye LVV-ja pati humbje të mëdha, ndërsa PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja dolën me rezultate të pritshme.
“Në bazë të këtyre fakteve u dha vota. Votuesit nuk ranë nën ndikimin e partive politike. Nuk u pa ndikimi i VV-së, i PDK-së, i LDK-së, i AAK-së etj. Natyrisht se partitë ndikuan. Të gjithë kryetarët ishin në terren. Mirëpo, votuesit nuk i dëgjuan. Për votuesit nuk ishte për bazament vullneti nga zgjedhjet e përgjithshme. Vota u dha konkretisht për dy çështje. Së pari për kandidatin dhe vlerat e tij, si dhe së dyti, për programin politik. Kështu u dënua kryesisht VV-ja. Ajo humbi mbi 50% të votuesve. Programet konkrete politike të partive nuk u mbështeten. VV-ja ka patur humbje të madhe të elektoratit nga zgjedhjet qendrore. U humb Prishtina, Mitrovica dhe Prizreni, si modele të VV-së. Ndërsa, partitë tjera, si PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, dolën me rezultate të pritshme”, tha Kelmendi.
Juristi më tej ka potencuar se rezultatet e tilla janë goditje edhe e pushtetit qendror, sipas Kelmendit, mos puna në Kuvend ishte edhe një fakt i dhënies së votës. Votimi ishte pa urrejtje, klane Ai shtoi se rezultatet janë varur edhe nga lidhjet e kandidatëve të partive politike në mes tyre në komuna.
“Prishtina u kthye tek LDK-ja, ndërsa Mitrovica e Prizreni tek PDK-ja. U humb nga LDK-ja Gjilani dhe Vitia. Rezultatet e tilla mendohet se janë goditje edhe e pushtetit qendror. U goditen idetë politike, puna dhe aktiviteti në nivel qendror. Mos puna në Kuvend ishte edhe një fakt i dhënies së votës. Mirëpo, kështu u goditen edhe partitë opozitare. Faktet analitike të zgjedhjeve tregojnë se rezultati u varë edhe nga lidhjet e kandidatëve dhe të partive politike në mes veti nëpër komunat e Kosovës. Votat e partive përcaktuan edhe fituesin. Këtu kishte një bllokim ndaj LVV-së. Kësaj nuk ia dhanë votën në balotazh votuesit e opozitës në nivel qendror”, potencoi Kelmendi.
Tutje ai ka deklaruar se raportet në mes LVV-së, PDK-së, LDK-së dhe AAK-ja e dënuan LVV-në, andaj kështu edhe është baza kryesore e votimit. Sipas Kelmendit, te qytetarët nuk ndikuan klanet dhe lidhjet politike.
“Raportet midis LVV-së dhe PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, në qendër e dënuan LVV-në. Por, dënimi më i madh në zgjedhje ishte vetë LVV-ja. Kryetarët e tri komunave model të LVV-së (shih: Prishtinën, Mitrovicën dhe Prizrenin) dështuan në pushtet lokal. Këtu është baza kryesore e votimit. Votat dhanë një zgjidhje shumë adekuate për Republikën. Te qytetarët nuk ishte euforia dhe urrejtja. Nuk ndikuan shumë klanet dhe lidhjet politike. Votuesi votoj kryesisht kandidatin dhe programin zgjedhor, vlerat që u shpalosën në fushatë”, ka përfunduar Muhamet Kelmendi.