“I futën këta djem në kurth!”/ Analisti i del në mbrojtje grupit “Kumanova” – ja kë po mundohet ta shpëtojë Deliu-Kodra

Politika

“I futën këta djem në kurth!”/ Analisti i del në mbrojtje grupit “Kumanova” – ja kë po mundohet ta shpëtojë Deliu-Kodra

Nga: A.M. Më: 19 nëntor 2021 Në ora: 22:26
Grupi Kumanova

Sot është zhvilluar një debat i fortë në Kuvendin e Kosovës.

Debati u bë në mes deputetes së PDK-së, Blerta Deliu-Kodra dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

I gjithë diskutimi filloi në momentin kur Deliu-Kodra e përmendi faktin se kunati i ministres Haxhiu, Muahmet Krasniqi është i akuzuar për terrorizëm në Maqedoninë e Veriut.

Kujtojmë se Krasniqi ka qenë pjesëtar i UÇK-së dhe tani ai është i dënuar me burgim të përjetshëm për pjesëmarrjen në konfliktin e armatosur me grupin e Kumanovës.

E lidhur me këtë situatë të krijuar në Kuvend, në një prononcim për gazetën “Bota sot” foli njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri.

Fillimisht, ai tha se deputetja Kodra-Deliu është dashur ta argumentoj akuzën për terrorizëm dhe të argumentojë me fakte.

Image
Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri.

“Në fakt, asnjë Qeveri nuk duhet të ketë ministra të cilët, në çfarëdo mënyre mund të kenë lidhje me njerëz të dyshuar, apo edhe që mund të kenë kryer krime, mirëpo për ato që deklaroi deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, se kunati i Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, është i akuzuar për terrorizëm në Maqedoninë e Veriut, ajo duhet të shërbehet me argumente dhe të ofrojë fakte, për ta bindur opinionin me ato që pretendon”, deklaroi analisti.

Sipas tij, Muhamet Krasniqi nuk është terrorist,por pjesëmarrës i konfliktit të armatosur në Kumanovë, të cilët i dërguan me mashtrim partitë e inkriminuara, në krye me ish-presidentin Hashim Thaçi.

“Në fakt me 11 maj të këtij viti u mbushën plot 6 vjet, nga konflikti i armatosur në vendin e quajtur "Lagja e Trimave në Kumanovë" pjesëmarrës i të cilit ishte edhe Muhamet Krasniqi, apo komandant “Malisheva”, që siç thotë Blerta Deli-Kodra, është kunati i Albulena Haxhiut. Ai vërtetë është dënuar me burgim të përjetshëm, jo si terrorist, por si pjesëmarrës i konfliktit të armatosur me grupin e Kumanovës, që njëjtë si atë, edhe anëtarët e tjerë të grupit, në Kumanovë i dërguan me mashtrim, partitë e inkriminuara, me Hashim Thaçin në krye, në emër të ndihmës për bashkëkombësit tanë, të cilët i shtypte pa asnjë mëshirë ish kryeministri sllavo-maqedonas Nikolla Gruevski, i cili ka vite që ka ikur në ekzil në Hungari”, theksoi ai.

Në vazhdim, Qarri potencoi se duke u bazuar në këtë, mund të themi se Deliu-Kodra ka gabuar adresën e akuzave, pasi duhej t’i drejtohej Hashim Thaçit dhe kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti.

“Dhe duke ditur faktin se strumbullari i gjithë kësaj katrahure dhe historie të trishtë, ishte vet udhëheqësi i PDK-së dhe jo Albulena Haxhiu, Blerta Deliu ka gabuar shumë keq adresën e cila, me deklarata të tilla, do duhej ti drejtohej Hashim Thaçit dhe kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti, që inskenuan këtë akt tradhtie dhe futën këta djem në kurth duke i bërë mish për top, pa fajin e tyre”, potencoi analisti.

Tutje,ai tha se këto akuza ishin shprehur në formë shumë banale dhe të rëndë, Duke konsideruar se vetëm shteti maqedonas dhe Blerta Deliu-Kodra i kanë quajtur terroristë pjesëtarët e grupit “Kumanova”.

“Kështu që akuzat e shprehura në ketë formë kaq banale, vërtetë janë shumë të rënda, sidomos në rastet si ky, kur ende nuk dihet saktësisht, nëse ato janë të vërteta, pasi që duke njohur autorët dhe inskenuesit e këtij akti kaq makabër, asnjë shtet tjetër përveç FYROM-it, dhe Blerta Deliut ,deri më tani, Muhamet Krasniqin dhe anëtarët e tjerë të grupit, një pjesë e të cilëve, janë shprehur dyshime se me porosi të Thaçit dhe Ali Ahmetit, janë vrarë nga sllavo-maqedonasit edhe pas dorëzimit, atëherë e sot, asnjëherë nuk i kanë quajtur terrorist”, vlerësoi Qarri.

Krejt në fund, analisti tha se deputetja e PDK-së po synon të ndërroj kahjen e krimit të vërtetë, për të lehtësuar akuzat ndaj ish-kryetarit të saj, Hashim Thaçi.

“Prandaj duket se deputetja e PDK-së, me akuza të tilla, dëshiron t`ia ndërroj kahen krimit dhe kriminelëve të vërtetë, për t`ia lehtësuar sado pak malin me akuza ish kryetarit të saj, Hashim Thaçit i cili sipas aktpadisë së ngritur nga zyra e Prokurorit të Specializuar të publikuar edhe në media, Thaçi & Co janë arrestuar nga Gjykata Speciale, si pjesëtar të ndërmarrjes kriminale, për vrasjen e paligjshme të mese 103 personave, shumica prej tyre shqiptar, krime lufte, torturë, detyrim dhe krime kundër njerëzimit, e nëse njëmend vërtetohen aktakuzat ndaj tyre, pasojat do ti vuajnë jo vetëm autorët, por edhe vet Kosova, për disa breza”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat