Një nga temat më të përfolura në opinionin publik këtyre ditëve është zbulimi i një afere financiare ku besohet se ishin të përfshirë dy të dërguar të ish presidentit Trump.
Richard Grenell i dërguari për Kosovën dhe Matthew Palmer, i dërguar për Ballkanin, njëherit ish-zv.ndihmës sekretar i Shtetit për çështje të Ballkanit Perëndimor dhe Eurozisë, sipas raportimeve në mediat e Serbisë janë paguar për të lobuar në favor të interesave të Serbisë.
Sipas mediave serbe, përkatësisht gazetës “Nova”, Oda Ekonomike e Serbisë ka paguar 1.3 milionë dollarë në tri vitet e fundit për lobuesit në SHBA, dhe se ka mbetur ta paguajë edhe një këst prej gjysmë milioni dollarë deri në fund të vitit 2022, përcjellë “Bota sot”.
Emrat e tyre përmenden në raportin gjashtëmujor të “Yorktown Solutions”, i cili i është dorëzuar Ministrisë Amerikane të Drejtësisë.
Në dokument thuhet gjithashtu se Grenell dhe Palmer janë kontaktuar me e-mail dhe se tema ka të bëjë me çështjet ekonomike amerikano-serbe. Data e treguar pranë emrave të tyre është 10 dhjetor 2020. Në lidhje me këto raportime të fundit, të lartpërmendurit nuk kanë deklaruar asgjë, duke mos mohuar e as pohuar për këtë çështje. Duhet të kujtojmë që javë më parë analisti politik në Serbi, Dushan Janjiq, ka thënë se shteti serb e paguan për lobim ish-të dërguarin amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
“Grenell paguhet nga Serbia me 100 mijë dollarë në muaj, nuk e di pse kur shefi i tij nuk është më në pushtet”, raportohet të jetë shprehur Janjiq. Këtë deklarim të analistit serb, Grenell e kishte quajtur gënjeshtër.
Ajo ka shkruar në Twitter se “mohon kategorikisht gënjeshtrën brutale dhe të turpshme në faqen e parë të tabloidit Nova: se Matthew Palmer dhe Richard Grenel janë lobistë për Serbinë”, edhe pse kjo nuk thuhet askund në tekst. Autoritetet në Kosovë e kanë shmangur plotësisht shfaqjen e qëndrimeve në lidhje me këto zhvillime.
Madje edhe Vetëvendosje, e cila në vazhdimësi vitin e kaluar e ka akuzuar Grenellin për rrëzimin e Qeverisë Kurti 1, madje këtë e ka bërë edhe vetë Albin Kurti në seancën e Kuvendit kur diskutohej mocioni për shkarkimin e Qeverisë Kurti.
Pula: Palmer dhe Grenell kanë ndjekur gjithmonë anën e Serbisë
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur njohësi i çështjeve politike, Shqiprim Pula, i cili u shpreh se ky zbulim për Palmerin dhe Grenellin, vjen si rezultat i angazhimit të tyre që kanë mbrojtur në vazhdimësi interesat e Serbisë.
Shqiprim Pula
“Republika e Kosovës duke qenë e rrethuar nga fqinjë me qasje konfliktuoze, pretendime territoriale, politike e ekonomike, siç është rasti me Serbinë, atëherë, përfaqësuesit shtetëror të Republikës, duhet të avokojnë mbi temat tek homologët e tyre, por edhe përmes lobimit (Ref.; konferenca, forume, think-tank apo platforma online) që të arrihen dhe mbrohen interesat e shtetit të Kosovës, ashtu siç ndodh gjithandej rruzullit tokësor. Të apostrofuarit, zotëri Palmer dhe zotëri Grenell, si të angazhuar për veprim për interesa të Serbisë, sipas gazetës ‘Nova’, thjesht përbën një sekret publik, ngase edhe ashtu zotëri Palmer paraqiste një dozë mos-besimi me qasjen e tij jo neutrale karshi mosnjohjes së ndërsjellët, ndërmjet Kosovës e Serbisë, ndoshta edhe më gjerë në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh ai.
Duke komentuar përpjekjet që u bën në kohën sa ish-presidenti Thaçi ishte në detyrë, për “shkëmbim territori”, ai shprehet i shqetësuar pasi ishte çështje që cenonte interesat e Republikës së Kosovës. Mirëpo ai cek që drejtuesit institucional me ndihmën e aleatëve tanë, duhet të bëjnë çmos për ta parandaluar dëmtimin e interesave të Kosovës dhe qytetarëve të saj.
“Deklarimeve me togëfjalëshin ‘shkëmbim territori’, korrigjim territori’ apo ‘vendim i dhimbshëm’, i është kushtuar vëmendje e madhe nga faktorë politik brenda vendit sepse mund të tërhiqte të njëjtën paralele edhe në vendet e rajonit për shkak të brishtësisë politike dhe demografisë që kemi në rajonin tonë, por edhe nga faktori ndërkombëtar, specifikisht nga ShBA-ja, që mbikëqyrin ecurinë e shtetësisë së Kosovës. Ne, në vazhdimësi jemi kërcënuar nga fqinji ynë verior Serbia, mbi ndarjen e Kosovës, jo vetëm tek kufiri por edhe brenda saj, përmes themelimit të asociacionit me ato tipare, siç është nënshkruar në Bruksel. Kjo, sot, vazhdon të jetë shqetësim real politik jetësimi i një marrëveshje të tillë, shto këtu frymën kundërkushtetuese të saj sipas Gjykatës Kushtetuese, e cila do të defunksionalizonte aspektin unitar të Republikës. Prandaj, drejtuesit institucional me ndihmën e aleatëve tanë, duhet të bëjnë çmos për ta parandaluar dëmtimin e interesave të Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thekson Pula.
Në bisedë e sipër njohësi për çështje ndërkombëtare thotë se secili politikan që ka vepruar kundër interesit të shtetit është ndëshkuar me votën e popullit andaj sipas tij sistemi politik pluralist ndëshkon këto lloj sjelle të dëmshme për vendin.
“Të qenurit aktiv në politik të kërkon bashkëpunim dhe bashkëveprim politik, dhe e gjithë gama e veprimeve krijon një mbamendje qytetare dhe institucionale. Populli ka një shprehje: ‘pitja hahet por tepsia mbetet’, kështu që, drejtuesit institucional të Kosovës duhet ta kenë të ditur se shkruhet një historiografi mbi veprimtarinë e secilit në vendim-marrje. Duhet thënë se, liderë janë ata persona që moderojnë tema me interes kombëtar e shtetëror, përmes institucioneve që drejtojnë apo përfaqësojnë. Asnjëherë në historinë politike nuk janë konsideruar, e nuk konsiderohen as tash, kushdo qoftë, nga ata persona që për interesin e tyre vetjak abuzojnë me interesin kombëtar apo shpërdorojnë funksionin institucional për të dëmtuar interesin e vendit. Për këtë, sistemi politik pluralist, ofron mjete politike, siç është vota, që ndëshkon çdo lloj sjellje apo veprimi politik që mund të bie ndesh me interesin kombëtar e shtetëror”, thotë Shqiprim Pula për “Bota sot”.
Burjani: Dëmtimi i një shteti cilësohet vepër penale
Ndërsa juristi Blerim Burjani në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që këto marrëveshje që janë bërë më herët duhet të gjykohen për atë se çfarë kanë bërë pasi ajo ka dëmtuar vendin tonë.
Blerim Burjani
“Këtu mbeten shumë gjëra në nivel spekulativ, për shkak se nuk ka pas marrëveshje për asgjë. Ndoshta mund të ketë pas tentativë, mirëpo njerëzit nuk mund të gjykohen çka kanë pas ndërmend por çka kanë bërë, pra kjo tash nuk ka fare rëndësi”, potencoi juristi.
Ai në fund, shprehet se është më se e sigurt që të përmendurit janë të përfshirë në këtë proces dhe se nëse ka dëmtuar vendin pa pëlqimin e Kuvendit mund të cilësohet si vepër penale kundër vendit.
“Por, me rëndësi është që këta janë në këtë proces, pra kjo është e qartë në të gjitha aspektet politike dhe juridike. Pra, njerëzit nuk mund të bëjnë këtë pa pëlqim të Kuvendit apo kjo mund të ndodhë me referendum popullor, ndryshe cilësohet si vepër penale kundër shtetit”, përfundoi Blerim Burjani për “Bota sot”.