“Marrëveshjet sekrete të partive opozitare”/ Opinionisti flet për ‘pazaret’ që ndikuan në humbjen e LVV-së

Politika

“Marrëveshjet sekrete të partive opozitare”/ Opinionisti flet për ‘pazaret’ që ndikuan në humbjen e LVV-së

Nga: A.M. Më: 20 nëntor 2021 Në ora: 16:06
Kuvendi i Kosovës

Në zgjedhjet lokale në shumicën e komunave kishte befasi në rezultate, ku shumë komuna u përmbysen në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Mirëpo, i çuditshëm është fakti se si ndodhën këto përmbysje pa ndonjë koalicion parazgjedhor.

Prandaj, shumë njohës të çështjeve politike vlerësuan se këtë radhë kishte koalicione të fshehta dhe sekrete, kryesisht në mes partive opozitare.

Opinionisti Dedë Preqi në një prononcim për gazetën “Bota sot” i cilësoi befasuese rezultatet në zgjedhjet lokale.

Ai u shpreh se këto zgjedhje e kishin një sekret të veçantë, ku i vuri në pah të metat e demokracisë.

Image
Opinionisti Dedë Preqi

“Zgjedhjet lokale të këtij viti në Kosovë, mund ti quajmë befasuese në njërën anë, ndërsa në anën tjetër ato e kanë marrë vulën e rezultatit si do që të jenë, duke iu bindur natyrës së tyre dhe ai që e analizon dhe e shqyrton realitetin pa paragjykime, e pranon lehtësisht se tipari i tyre e kishte edhe një sekret të veçantë, të cilin sa do që mundohemi ta fshehim e kemi kot, sepse edhe demokracia i ka të metat e veta, që duhet shpeshherë të kalojmë nëpër urat dhe shtigjet e saj”, deklaroi ai.

Preqi u befasua nga rezultatet në komunat e Prizrenit dhe Prishtinës, ku Lëvizja Vetëvendosje printe në raundin e parë, ndërsa në raundin e dytë LVV i humbi që të dy komunat.

“Zgjedhjet lokale në Kosovë, në raundin e parë të 17 tetorit, pak komuna arritën të fitojnë pa balotazh, me ç’rast sipas Komisionit Zgjedhor, do të cilësohen si zgjedhje të mira, pa incidente të dalluara dhe në një atmosferë demokratike, ku morën pjesë 43% të qytetarëve, nën përcjelljen e 25 mijë vëzhguesve vendor dhe ndërkombëtarë.

Në raundin e dytë të 14 nëntorit të këtij viti, në balotazh ishin disa komuna të Kosovës, por ishte edhe një garë shumë interesante dhe e përfolur nga opinionet, sidomos ku bëhet fjalë për kryeqytetin e vendit Prishtinën, në balotazh në mes LVV dhe LDK, dhe për Prizrenin, në balotazh në mes LVV dhe PDK-së, ku rezultatet e raundit të parë në mes këtyre partive ishin të ngushta dhe të përafërme, por në realitet printe LVV, me një epërsi në të dyja komunat”, nënvizoi opinionisti.

Në vazhdim, ai vlerësoi se marrëveshjet sekrete nuk kanë ndryshuar ndërmjet partive politike, veçanërisht pazaret politike në mes PDK dhe LDK.

Preqi vlerësoi se të gjitha partitë opozitare u bënë bashkë me qëllim që ta përmbysin partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje.

“Nuk ka dyshim se koncepte të tilla dhe marrëveshjet sekrete nuk kanë ndryshuar trendet e tyre në Kosovë, sepse edhe më herët, në veçanti në mes PDK dhe LDK, kanë ekzistuar koalicione të fshehta, por edhe pazare të ndyeta në mes vete, sikur edhe tani, kur bëhen bashkë pothuaj të gjitha partitë opozitare, PDK, LDK, AAK dhe të tjerë, duke bërë marrëveshje të fshehta me të vetmin qëllim për ta përmbysur rezultatin e LVV, që nënkuptojmë si diçka të programuar në mes këtyre partive opozitare, sipas të cilit ka prapavija të dyshimta politike dhe ndërhyrje, nëse e marrim parasysh vullnetin e qytetarëve të cilët kanë votuar ndryshe dhe për ndryshime”, theksoi Preqi.

Krahas kësa, opinionisti konsideroi se LVV nuk arriti t’i reflektonte dhe t’i fitonte komunat në të cilat printe në raundin e parë zgjedhor.

Ai e përmendi edhe faktin se kryeministri Kurti e pranoi që i ka munguar qasja bashkëpunuese brenda partisë së tyre.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk reflektoi si duhet në këto zgjedhje, edhe pse printe në disa komuna, dhe në balotazh prej 12 komunave, vetëm 4 prej tyre i fitoj, që dikush do e quan edhe si votë ndëshkuese ndaj saj, e cila do të punonte më shumë për të bërë ndryshime pozitive, siç u ka ndodhur edhe partive të tjera më herët. Mirëpo, LVV, e ka pranuar edhe vetë se i ka munguar qasja bashkëpunuese brenda përbrenda partisë së vet, por edhe jashta me aleatët e saj, e cila është bazuar më shumë në parimin e saj të rezultatit dhe nivelit qendror, duke menduar se në këtë mënyrë do të menaxhohen edhe zgjedhjet lokale”, potencoi ai.

Tutje, Preqi tha se është befasuese se si verdikti i popullit i ndëshkoi disa kryetarë të cilët qeverisë mirë dhe nuk kishin ndonjë keqpërdorim, si në Skenderaj, Mitrovicë, Han Elezi.

“Është diçka befasuese edhe me verdiktin e popullit, i cili sikur i ndëshkoi disa kandidat të komunave pa të drejtë, sepse nuk është e vërtetë se në disa komuna është keq-qeverisur, apo ka pasur ndonjë keqpërdorim dhe keqmenaxhim me një ndërgjegje të keqe ndaj detyrave dhe kërkesave të qytetarëve, që vlenë për ta cekur komunën e Skënderajt, nën udhëheqjen e Bekim Jasharit, komunën e Mitrovicës, nën udhëheqjen e Agim Bahtirit, pastaj komunën e Hanit të Elezit, nën udhëheqjen e Rufki Sumës, që në këto të tri komunat fitoi PDK, pa balotazh”, tha ndër të tjera opinionisti.

Krejt në fund, tha se në këto zgjedhje nuk mund të besohet për mbarëvajtje të mirë të procesit zgjedhor në këto zgjedhje lokale.

Preqi deklaroi se qytetari i vendit është i ndarë në dy grupe, në njërën anë disa qytetar i besojnë vetëm partisë dhe liderit të tyre.

“Prandaj, lind dyshimi se, ajo që do të dalë në pah këtë herë në këto zgjedhje, nuk mundet aq lehtë të besohet edhe të jetë një siguri e gjithëmbarshme e mirëvajtjes të zgjedhjeve në fjalë, si dhe bindja e besimit qytetar, i cili e ka shpreh vullnetin e vet të plotë për ndryshime dhe mirëqenjen e vet qytetare në komunën ku jeton, por nuk mposhtet nga frika se ka një ndërhyrje të fshehtë të marrëveshjeve të grupeve ndërpartiake, pasi kemi plot shembuj të ndryshëm të kësaj natyre, që kanë mundur ta ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve në favor të tyre, me ç’rast qytetari i vendit është i ndarë në dy grupe, në njërën anë disa qytetar i besojnë vetëm partisë dhe liderit të tyre, nuk i intereson diçka tjetër, ndërsa ana tjetër e qytetarëve i beson partisë dhe liderit të tyre, por më shumë i beson ndryshimit të gjendjes dhe pozitivitetit të këtij vendi”, përmbylli Dedë Preqi, për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat