SHBA kanë dhënë një mesazh për Kosovën duke thënë se është koha që të zbatohen të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe të plotësohen vendet vakante në të.
“Institucionet e pavarura të drejtësisë në Kosovë janë jetike për demokracinë e saj. Është koha që të zbatohen të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe të plotësohen vendet e lira në Gjykatë”, thuhet në deklaratën e tyre.
Juristi Islam Krasniqi në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se kjo deklaratë e SHBA-së është e drejtë duke e ditur që ne nuk mund t'i pranojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Deklarata e SHBA-ve është e drejtë sepse akoma ne nuk mund t'i pranojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, dhe i konsiderojmë si vendime të gabueshme dhe të pabazuara apo të pathemeltë duke harruar se ne nuk jemi ata që mund të vlersojmë apo nuk jemi të thirrur për të komentuar vendimet e Kushtetuses por vetëm për t'i zbatuar, e që SHBA-të janë bazuar në aktgjykimin lidhur me tokat që i janë falur Manastirit të Deçanit”, ka thënë ai.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/November/20/auto_auto_auto_auto_islam1557734023156806697315805579241637441839.jpg)
Sipas tij, e tëra kjo ka ndodhë se politika e mbrapsht nuk i ka lejuar që të plotësohen dhe kjo për SHBA-të është shqetësim.
“Në Gjykatën Kushtetuese ka shumë vende vakante të cilat kanë mbetur ashtu sepse politika e mbrapsht nuk i ka lejuar që të plotësohen dhe për SHBA-të si një mik dhe aleat kryesor i joni është shqetësim i madh sepse ata me çdo kusht janë munduar dhe po punojnë të na çojnë përpara për të ndërtuar dhe zhvilluar shtetin tone”, shprehet ai.
Në fund, deklaron se këto duhet t'i aprovojnë pa emocione, dhe t’i plotësojmë duke u bazuar në parimin e meritokracisë.
“Mos të harrojmë të cekim se mbi sistemin e drejtësisë në vendin tonë rëndojnë akuza për korrupsion dhe krim të organizuar duke u etiketuar si sistem i kapur nga politika edhe pse në shumë raste ndoshta ka qenë edhe i drejtë kur një pjesë e sistemit të drejtësisë është emëruar nga politika dhe i kanë sherbyer politikës duke u bazuar në përgjime të individëve të pushtetshëm të cilët kërcënonin për kërkesat e tyre. Andaj këto shqetësime duhet t'i aprovojnë pa emocione, dhe t’i plotësojmë duke u bazuar në parimin e meritokracisë”, përfundon juristi Islam Krasniqi.