Kaloi një javë nga mbajtja e procesit të balotazhit, që ishte një “dush i ftohtë” për partitë politike në Kosovë.
Përgjatë javës që kaloi arritëm të shohim gjëra të ndryshme në politikë. Që nga gëzimi për fitore, dëshpërimi për humbje e ankesat rreth rezultatit. Madje, rezultati i zgjedhjeve lokale zgjoi rivalitetin ndërmjet partive politike në Kuvendin e Kosovës. Aty pamë debate të ashpra, deklarata e sulme ndër-personale ndërmjet qeverisë e opozitës.
Por, fakti që ankesat ishin minimale(hiq këtu rastin e Dragashit me votat e diasporës) do të thotë se kemi të bëjmë me një proces të drejtë dhe transparent të zgjedhjeve.
Kjo duhet të shërbejë si moment reflektimi për secilën parti politike në Kosovë. Ato duhet të jenë të vetëdijshme se niveli lokal ndërlidhet direkt me jetën e qytetarit. Një rrugë e prishur, një shkollë e munguar, një ambulancë e munguar lidhen me kushtet elementare të jetës. Andaj, kur vjen puna tek vota qytetarët mendohen mirë para se t`i japin besimin një partie të caktuar.
Qytetarët e Kosovës kanë ditur të vlerësojnë dhe të ndëshkojnë.
Marrim shembull Prishtinën një kandidat si Përparim Rama, tërësisht i ri në skenën politike të Kosovës arriti të fitojë besimin e qytetarëve brenda pak muajsh.
Kundër-kandidati Arben Vitia pranoi me një sjellje të kulturuar humbjen dhe uroi Përparim Ramën për fitoren.
Tani ka mbetur vetëm konsolidimi i kabinetit qeverisës të Komunës së Prishtinës, dhe ndryshimi me Përparim Ramën si kryetar të bëjë hapat fillestarë.
Në anën tjetër, një kandidat i vjetër si Lutfi Haziri humbi zgjedhjet në Gjilan.
Gjilanasit, i thanë mjaft qeverisjes së Lutfi Hazirit, duke i dhënë prioritet ndryshimit, që thënë të drejtën për gjithë ato vite nuk është se kishte ndodhur.
Ngjashëm ndodhi edhe në Prizren, Gjakovë, Kamenicë etj.
Pra, është sovrani ai që të ngritë dhe kur nuk i përmbush premtimet të vendos poshtë.
Ditë e më shumë shohim se qytetarët e Kosovës, të lodhur me premtime boshe, keqqeverisje e mos punë, duan të shohin ndryshimin e ëndërruar.