Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari ka paralajmëruar protesta para Qeverisë së Kosovës. 4 dhjetori është data për protestën e paralajmëruar, kjo për shkak të mospërfilljes së kërkesave të Sindikatës shkruan "Bota sot".
Jashari thotë se kërkesat e SBASHK-ut janë legjitime dhe se po përgatiten për protestë.
“Udhëheqësit e Këshillave të Prindërve jemi duke i kontaktuar dhe me 4 dhjetor po përgatitemi që të kemi një protestë para Qeverisë. Në mënyrë simbolike pra, për t’i treguar opinionit se s’jemi për ta humbur mësimin, por me dëshirën më të madhe që edhe kryetarët e Këshillave të Prindërve të të gjitha komunave të na bashkohen, në mënyrë që bashkërisht të angazhohemi dhe të vijmë deri te dialogu dhe marrëveshja”, thotë Jashari.
Protesta me sindikalistët
Por, Jashari paralajëmron se nëse protesta e 4 dhjetorit nuk ndikon në ndryshimin e qëndrimeve të Qeverisë, atëherë do të organizohet një tjetër protestë më masive, më 18 dhjetor.
“Do t’i kemi të përfshirë kryetarët e të gjitha shoqatave sindikale nga e tërë Republika e Kosovës, duke përfshirë këtu shoqatat sindikale nëpër çerdhe, shoqatat sindikale të arsimit para universitar dhe shoqatat sindikale nga universiteti. Protesta e 18 dhjetorit do të jetë më masive, do të kemi edhe prindër, dhe uroj që të mos shkojmë as deri të protesta e 4 dhjetorit”, shtoi ai.
Dhe, krahas kësaj Jashari ‘kërcënoi’ edhe me greva mësimore, ku theksoi se orët dhe ditët e humbura nuk do të zëvendësohen.
Këto paralajmërime të Jasharit dhe SBASHK-ut janë të çuditshme, pasi dihet se një nga sektorët më të prekur nga pandemia Covid-19 është arsimi.
Prandaj, mund të dyshohet se këto protesta dhe greva të paralajmëruara mund të kenë një sfond politik apo personal të Jasharit.
Ahmeti: Mësimdhënësit nuk duhet të përdoren për qëllime politike
Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti në një prononcim për gazetën “Bota sot” thotë se protestat kanë garanci kushtetuese dhe ligjore, por duhet të kenë edhe arsyetim të bazuar.
Hidajet Ahmeti
Ai u shpreh dyshues në kërkesën e Jasharit të SBASHK-ut për protesta, duke theksuar problemet që pandemia e koronavirusit ia ka shkaktuar jo vetëm arsimit, por edhe fushave tjera.
“Protestat janë garanci kushtetuese ligjore, por brenda vetes duhet të kenë arsyetim. Kurse, në rastin e paralajmërimit nga kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari është për të dyshuar, pasi në këtë kohë pandemie kur ballafaqohemi me probleme të natyrave të ndryshme nuk ka as edhe një arsye të vetme për të protestuar”, deklaroi Ahmeti.
Në vazhdim, analisti politik vlerësoi se roli i mësimdhënësve nuk duhet të keqpërdoret për qëllime politike, madje kërkoi nga mësimdhënësit të distancohen dhe të mos lejojnë të përdoren për këto qëllime të ulëta.
“Duhet vlerësuar rolin e mësimdhënësit në vazhdimësi, por kjo kategori e vlerësuar për kontributin nuk duhet të keqpërdoret për asnjë qëllim, e aq më shumë për qëllime politike. Mësimdhënësit nuk duhet ta lejojnë veten të përdoren për qëllime të ulëta, por duhet vlerësuar e respektuar nga shoqëria e shtetit për kontributin e vazhdueshëm të tyre. Qeveria duhet të marrë seriozisht ligjin e pagave për sektorin publik, ku preken edhe mësimdhënësit, por jo përmes shantazhit e presionit nga kryetari i SBASHK-ut”, theksoi Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.
Mulliqi: SBASHK-u po bënë më shumë presion ndaj Qeverisë Kurti, se sa ndaj qeverive të kaluara
Ndërsa, analisti tjetër, Skënder Mulliqi e vlerëson si vendim jo të duhur të SBASHK-ut, organizimin e protestave dhe mbajtjen e grevave në arsim, tani.
Skënder Mulliqi
Ai thotë se shqyrtimi i Ligjit të Pagave duhet të bëhet në një kohë më të përshtatshme, dhe jo të bëhet presion mbi Qeverinë e Kosovës, përmes shantazheve.
“Paralajmërimi për greva në gjysmë vjetorin e dytë nga ana e kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, më duket se nuk është ide e qëlluar, kur dihet se sa shumë orë mësimore kanë humbur nxënësit qe një vit e më shumë, që kur është shfaqur pandemia. Mësimi online që është mbajtur ka qene vetëm mbajtje e një lloj kontinuiteti të procesit mësimor, asgjë më shumë. Shqyrtimi i Projektligjit të pagave ka mundësi të pritet të shqyrtohet për një kohë më të volitshme, e jo të tentohet të bëhet dialogu më qeverinë përmes formave të presioneve”, deklaroi Mulliqi.
Analisti potencoi se nuk është kundër që të bisedohet me sindikata, por që kjo të bëhet në mënyrë të duhur, pa hyrje në grevë apo mbajtje të protestave.
Madje, ai kërkoi nga mësimdhënësit që të përqendrohen në ngritjen e cilësisë në arsim dhe t’i lënë anash protestat dhe grevat, pasi dëmtojnë rëndë arsimin në vend.
“Unë nuk them se nuk duhet biseduar më sindikatat, por jo që të ngriten tensionet me hyrjen në grevë, kur po humbet tepër shumë në kohë, gati të pazëvendësueshme që nxënësit t’i plotësojnë orët dhe ditët e humbura mësimore. Thënë të drejtën arsimi nuk qëndron keq në paga në krahasim me resurset tjera. Sindikata e arsimit, mësimdhënësit dhe të gjithë punëtorët e arsimit, do të ishte e udhës që më shumë t’i kushtojnë kujdes rritjes së cilësisë në arsim, kur dihet për nivelin e dobët krejt pas luftën, se sa që po paraqesin kushte pikërisht tash. Por, edhe kjo punë mendoj se do të gjejë gatishmëri të rregullohet nga Ministria e Arsimit”, nënvizoi ai.
Tutje, Mulliqi vlerësoi se SBASHK-u po i bënë më shumë presion Qeverisë Kurti, se sa qeverive të kaluara.
Opozita a ka ‘gisht’?
Ai shpreson që opozita të mos ketë ‘gisht’ në këto protesta, me qëllim të shtimit të presionit ndaj Qeverisë së Kosovës.
“Ne e kuptojmë të gjithë se është rritur shumë kostoja e jetës në Kosovë, por që kjo gjendje e rregullimit te pagave duhet të bëhet edhe në sistemet e tjera, edhe në sektorin privat, ku pagat janë shumë të vogla. Sindikata ka pasur grevë lidhur me ndërrimin e koeficientit, por që Gjykata Kushtetuese e kishte kthyer në zero këtë ligj. Më duket se SBASHK-u po i bënë më shumë presion Qeverisë Kurti, se sa qeverive të kaluara, kur nuk kishim pandemi, e cila dihet se ka shkaktuar dëme të konsiderueshme ekonomike. Unë nuk dua të besoj se paralajmërimi për greva ka ndonjë prapavijë të caktuar politike, ku mund të këtë gisht opozita për t’ia shtuar edhe një problem më shumë Qeverisë Kurti, përmes grevave”, tha ndër të tjera analisti.
Krejt në fund, ai radhiti edhe disa nga pasojat që mund të sjellin protestat dhe grevat e paralajmëruar në arsim.
Po ashtu, Mulliqi një deklaratë të Jasharit e cilësoi si ultimatum ndaj Qeverisë, derisa nuk janë shfrytëzuar të gjitha rrugët e dialogimit dhe marrëveshjeve.
“Të kërkohet greva dhe protesta masive ende në kohë pandemia, është e pamenduar mirë për pasojat që mund të sjellin. Gjendja e pandemisë nuk ka kaluar dhe e cila Kosovës i solli edhe shumë humbje jetëra njerëzish e dëme të tjera”.
“’Unë e kam thënë publikisht se nëse kështu vazhdohet do ta kemi janarin, i cili do të na sjellë greva, të cilat kur fillojnë është vështirë të ndalen”, ka thënë Jashari. - Ky duket më shumë ultimatum kur ende nuk janë shteruar mundësit e dialogut të sindikatave dhe qeverisë. Kjo formulë me greva dhe protesta, nuk është formulë e mirë, karshi situatës aktuale politike, ekonomike, veçmas të gjendjes së pandemisë, por edhe të humbjes së pazëvendësueshme në procesin mësimor”, përmbylli Skënder Mulliqi për “Bota sot”.