Spanja është një nga pesë vendet e BE-së, së bashku me Greqinë, Sllovakinë, Qipron dhe Rumaninë, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Madje ajo nuk na i njeh as pasaportat për dallim nga Greqia.
Pak ditë më parë vetë mediat spanjolle si “Objective” i dhanë jehonë të madhe, mundësisë së njohjes së Kosovës nga ky shtet.
Në shkrimin e publikuar nga kjo media, thuhet se qeveria e Pedro Sánchez po përgatit një kthesë historike në qëndrimin e Spanjës për Kosovën se po përgatit njoftimin që do të përfshijë njohjen e parë de facto të këtij territori ballkanik që nga Shpallja e pavarësisë në vitin 2008.
E sipas gazetës “Objektive”, burime diplomatike sigurojnë se mund të jetë hapja e një zyre tregtare apo kulturore në kryeqytetin e Kosovës, pa nënkuptuar njohjen e plotë, por nga Zyra për Informim Diplomatik (OID) kanë thënë se këto opsione nuk janë në tavolinë për momentin dhe se të tjera gjëra janë duke u studiuar.
Ka kohë po ashtu që është përfolur një njohje e mundshme edhe nga Greqia, por që as ky vend fqinjë me Shqipërinë, nuk na ka njohur.
Por, njohja nga Spanja, si njëri prej vendeve me ekonominë më të madhe të BE-së, do të mund ta ndihmonte Kosovën shumë edhe në procesin e ngecur të liberalizimit të vizave.
Një ndikim i mundshëm në Spanjën katolike, shihet se mund të ndodhë edhe nga raportet me SHBA-në, pasi vetëm për herë të dytë ka në krye të shtetit një katolik, presidentin Joe Biden, pas të parit president Xhon Kenedi.
Pavarësisht këtij pikëtakimi, që mund të mos sjellë rezultat, ambasadori i ri SHBA-ve Jeffrey Hovenier, ka premtuar para Senatit amerikan se do të angazhohet fuqishëm që brenda mandatit të tij, të arrihet njohja e Kosovës nga pesë shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën.
Ai po ashtu ka premtuar se do të angazhohet fuqishëm, edhe për realizimin e përcaktimit të presidentit Biden, që dialogu Kosovë-Serbi të përfundojë me njohjen reciproke.
Basha: Njohja e Kosovës nga Spanja, vetëm çka e ndihmon etablimin e një politike konsistente të BE-së në raport me Kosovën
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëkohësisht anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme, Dimal Basha në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se si përfaqësues vazhdojmë të bëjmë thirrje për njohjen e Kosovës.
Dimal Basha
Sipas tij, njohja nga Spanja vetëm çka e ndihmon etablimin e një politike konsistente të BE-së në raport me Kosovën dhe sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
“Nuk dua të paragjykoj nëse ka të vërtetë në burimin e informacioneve, megjithatë ne si përfaqësues vazhdojmë duke thirr në njohjen e Kosovës nga ana e Spanjës, marrë parasysh që tanimë shumica e vendeve anëtare të BE-së e ka bërë këtë, përfshirë këtu aleatë tjerë perëndimor, dhe prandaj njohja e Spanjës vetëm çka e ndihmon etablimin e një politike konsistente të BE-së në raport me Kosovën dhe sigurinë dhe stabilitetin në rajon”, thotë deputeti i LVV-së Dimal Basha.
Peçani: Ka indikacione për njohje nga Spanja
Analisti Ruzhdi Peçani ka thënë se ka indikacione për një lëvizje pozitive të Spanjës ndaj Kosovës, duke nisur nga fakti kur më 6 tetor Sanchez ishte presidenti i parë spanjoll që u ul në një samit ballë për ballë me një lider shtetëror të Kosovës.
Ruzhdi Peçani
“Rasti kur deputeti i partisë PNV në parlamentin spanjoll, Aitor Esteban, i kërkoi Sanchezit javën e kaluar që Spanja ta njohë Kosovën si shtet: “Njiheni Kosovën. Ne jemi përballur edhe në futboll”, këmbënguli Esteban para kreut të ekzekutivit spanjoll në seancën plenare, në të cilën u diskutua samiti i fundit BE-Ballkani Perëndimor që u mbajt në Slloveni më 6 tetor. Sanchez ishte presidenti i parë spanjoll që u ul në një samit ballë për ballë me një lider shtetëror të Kosovës, kryeministrin Albin Kurti pavarësisht faktit se nuk kishte flamuj apo simbole”, thotë ai.
Ai gjithashtu e sheh pozitive për Kosovën harmonizimin e politikës së jashtme spanjolle me SHBA-në e po ashtu duke cituar edhe deputeten gjermane Viola Von Cramon e cila ka thënë se “qeveria aktuale spanjolle, për dallim nga të kaluarat, paksa qëndron më fleksibile kur është në pyetje pjesëmarrja në takimet bashkë me përfaqësuesit e Kosovës”.
“Edhe pritjet e SHBA-së qëndrojnë në atë se si në perspektivë Madridi do të relativizoj qëndrimin ndaj Kosovës. Derisa deputetja gjermane e të Gjelbërve dhe raportuesja për Kosovën, Viola Von Cramon kishte thënë se, “sipas informatave që kemi, qeveria aktuale spanjolle, për dallim nga të kaluarat, paksa qëndron më fleksibile kur është në pyetje pjesëmarrja në takimet bashkë me përfaqësuesit e Kosovës”, ka thënë tutje analisti.
Sa i përket për shtetet e tjera të cilat nuk e njohin Kosovën, ai shton se, ky lajm është inkurajues edhe pse njohja nga Spanja varet nga një marrëveshje e arritur mes Kosovës dhe Serbisë.
“Spanja qëndronte ndër shtetet më dogmatike, që nuk njohin Kosovën, kështu ky lajm është inkurajues dhe një sinjal trimërues për të tjerat shtete mosnjohëse. Se do të ndodh një njohje e plotë nga Spanja tani nuk duhet pritur, por se zhvillimet në kahun e duhur qëndrojnë inkurajuese. Spanja është një shtet respektiv, vendimi i saj do të varet edhe nga detajet që do ndodhin nga një marrëveshje e arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo që na bën optimistë është se qeveria socialiste spanjolle është më “pragmatike”, lidhur me këtë, për dallim nga establishmenti i qendrës së djathtë. Nga dialogu, është vështirë të thuhet se do të prodhohet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, së paku ndoshta nga fundi i vitit 2022”, shpjegon analisti.
Ai mendon se njohja mund të ndodhë edhe për shkak se mund të ketë një ofensivë diplomatike të BE-së dhe SHBA-së duke u bërë presion shteteve mos njohëse të Kosovës, për ta njohur atë.
“Mund të paragjykojmë se, kjo mund të jetë një ofensivë diplomatike e BE-së dhe SHBA-së, duke u bërë presion shteteve mos–njohëse të Kosovës. Së paku ta bëjnë me hapjen e zyrave, siç bëri Greqia dhe tani ta bënte Spanja dhe të fitohej garancia se këto shtete do të jepnin konsensusin për futjen e Kosovës në NATO. Të kuptojmë më mirë. Marrim paramendimin tjetër kur BE-ja do të thoshte, se nuk na intereson po edhe Serbia nuk do njoh Kosovën – nëse pesë shtetet do e njohin sikur SHBA-ja. Ky nuk do ishte problem, së paku jo serioz. Po, përse? Ngase Kosova do të mund të bëhej anëtare e NATO-s dhe BE-ja, dhe bllokimi për në OKB nuk do të kishte fare rëndësi”, përfundon analisti Ruzhdi Peçani për “Bota sot”.