Gjatë ditës së djeshme Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka emëruar gjeneralmajor Bashkim Jasharin komandant të ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në përputhje me kompetencat kushtetuese.
Bashkim Jashari është biri i Rifat Jasharit, nip i Adem e Hamëz Jasharit, heronjve të jashtëzakonshëm nga Prekazi i Skënderajit.
Emërimi është bërë siç parashihet në Ligjin për FSK-në, pas propozimit të ministrit të Mbrojtjes dhe rekomandimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës.
Para emërimit të komandantit të ri të FSK-së, Presidentja e Republikës së Kosovës, mbështetur në dispozitat ligjore, ka dekretuar lirimin nga detyra të komandantit të deritanishëm të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pas paraqitjes së dorëheqjes nga ana e tij.
Kujtojmë që në vitin 2015 Rama ishte emëruar komandant i FSK-së, nga presidentja e atëhershme Atifete Jahjaga.
Gëzimi dhe jehona për emërimin e tij, është shfaqur menjëherë, duke filluar nga vetë anëtarët e familjes Jashari.
Mehaj: Komandanti i FSK-së, gjeneral Jashari me objektiva të qarta për të ardhmen e FSK-së
Për marrjen e pozitës së re, atë e ka uruar edhe ministri Armend Mehaj.
Ai tha se ka nderin dhe privilegjin të bashkëpunojë me njërin nga bashkëluftëtarët dhe nipin e komandantëve legjendarë Adem dhe Hamëz Jashari.
“Nga ana ime, gjeneral Jasharin e sigurova se do të ketë mbështetjen, bashkëpunimin dhe koordinimin e plotë nga niveli im si Ministër dhe Ministrisë së Mbrojtjes në përgjithësi, në funksion të realizimit të vizionit të përbashkët për FSK-në”, shkruan ndër të tjera Mehaj.
E në lidhje me këtë emërim të Bashkim Jasharit, “Bota sot”, ka kontaktuar me anëtarin nga Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes dhe me ekspert të sigurisë së vendit.
Ata e shohin shumë të arsyeshëm emërimin e Jasharit duke theksuar që një emërim i tillë ishte i nevojshëm për vendin.
Bajqinovci: Emërimi i Bashkim Jasharit, privilegj për ushtrinë tonë
Në lidhje me këtë temë deputeti nga radhët e LVV-së dhe njëherazi anëtar në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Mefail Bajqinvoci në një bashkëbisedim me “Bota sot”, e vlerëson këtë emërim të komandantit Jashari, duke theksuar që është privilegj për Kosovën.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/December/01/auto_auto_auto_auto_mefail1607173104163398220316379206531638355591.jpg)
“Është privilegj që ushtria e Kosovës të ketë komandant epror nga familja e komandantit Legjendar Adem Jashari”, thotë deputeti.
Ai më tej, shton se Bashkim Jashari është nipi i komandantit legjendar Adem Jashari dhe natyrisht që kontributi i tij do të jetë i plotë për ushtrinë tonë.
“Pra, Bashkim Rifat Jashari, nipi i Komandantit Legjendar Adem Jashari, të emërohet Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, është një nga emërimet më të vlefshme për ushtrinë tonë”, u shpreh Mefail Bajqinovci për “Bota sot”.
Shala: Bashkim Jashari ta ketë mision fuqizimin e FSK-së
Ndërsa eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një prononcim për “Bota sot”, thotë që duhet të analizojmë rrjedhën e dorëheqjes së gjeneralit Rama dhe të shohim si ka ardhur deri tek ky vendim.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/December/01/auto_auto_drizan_shala16029385311638355610.jpg)
Ai cek që presidentja Osmani ka pasur tri opsione para vetës për komandant të FSK-së dhe që ka zgjedhur Bashkim Jasharin.
“Dorëheqja nga tani më ish gjeneral Rama duhet të analizohet se si ka rrjedh i gjithë procesi deri te marrja e një vendimi të tillë nga ana e tij. Ndërsa, në lidhje me emërimin e gjeneral Bashkimit në krye të FSK-së, kjo tregon që proceduralisht sipas rregullores së karrierës brenda forcës, Presidenca ka pasur tri opsione për të bërë përzgjedhje siç janë: Gjeneral major Bashkim Jashari, gjeneral major Enver Çikaqi, gjeneral major Gëzim Hazrolli”, thekson eksperti i sigurisë.
Në fund, ai shpreson që të përmbyllen me sukses të gjitha procedurat dhe për komandantin e ri të jetë një mision i shenjtë.
“Për pozitën e të parit të FSK-së, unë dua të besojë që në procedurë administrative do ta kemi mbështetjen e partnerit tonë strategjik dhe që proceset e filluara brenda planit të FSK-së të përmbyllen me suksese duke zhvilluar forcën në një forcë me standardet e NATO-s. Pra, ky duhet të jetë misioni i gjeneral major Bashkimit, komandantit të ri të FSK-së”, përfundoi Drizan Shala për “Bota sot”.
Jehonën e emërimit të Bashkim Jasharit, e përcolli i pari, kushëriri i tij, Bashkim Jashari.
Jashari: Emërimi i Bashkim Jasharit do të kontribuoj në udhëheqjen e shtetit tonë
Me anë të një postimi në profilin e tij në Facebook, Bekim Jashari thotë se Bashkimi ashtu si në luftë “krah balit Adem, babushit Hamëzes e babës Shaban, edhe sot në paqe do ta vazhdojë rrugën e tyre”.
“Gjenerali nga familja jonë, nipi i Komandantit Legjendar Adem Jashari, Bashkim Rifat Jashari, sot është emëruar Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, ushtrisë tonë të ndërtuar mbi rrugën e trasuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Bashkimi ashtu si në luftë krah balit Adem, babushit Hamëzes e babës Shaban, edhe sot në paqe do të vazhdoj rrugën e tyre, duke kontribuar në fuqizimin e ushtrisë sonë dhe integrimin e saj në mekanizmat ndërkombëtar. Ah sikur të ishte gjallë Komandanti Legjendar Adem Jashari, të të shihte duke udhëhequr ushtrinë e shtetit tonë, për të cilin luftoj deri në rënien heroike të tij, bashkë me familjen dhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar ai.