Pas humbjes se thellë të LDK-së në zgjedhjet që u zhvilluan më 14 shkurt, kreu i saj Isa Mustafa ka dhënë dorëheqjen. Ky i fundit ka dorëzuar dorëheqjen para strukturave të partisë.
LDK në zgjedhjet nacionale nuk kishte fituar në asnjë komunë, ndërsa ka humbur thellë edhe në komunat ku udhëhiqnin zyrtarët e këtij subjekti politik.
Ish-ministri Agim Veliu e ka pranuar humbjen në bastionin më të madh të LDK-së në Podujevë.
Ai tha se ky është vullnet i sovranit.
“Ne sapo i morëm të dhënat nga Komisionarët dhe Vëzhguesit tanë. Ne i kemi humb këto zgjedhje. Ky është vendimi i sovranit. Kur sovrani flet ne duhet të heshtim. Ne jemi në pritje të rezultatit final, sepse këto janë preliminare. Po ne e kemi bërë punën tonë aq sa kemi mundur. Ky është vullneti i popullit”, pat deklaruar ai.
Dëshira e heshtur për rikthim
U duk sikur Mustafa dhe Veliu, si dhe njerëzit afër tyre vërtetë e pranuan humbjen e thellë zgjedhore, dhe se u pajtuan që të rrinin larg LDK-së, Mustafa pas dorëheqjes, dhe Veliu, pasi nuk mori asnjë pozitë në krye të LDK-së, pas zgjedhjes së Lumir Abdixhikut.
Por, pas rezultatit të fundit zgjedhor, një ringritje që e arriti LDK-ja, ish ‘ujqërit’ e vjetër po rrinë të gatshëm, për të marrë role.
Si duket u inkurajuan nga vizita e fundit e ish emisarit Grenell, dhe pavarësisht se vazhdojnë të publikohen akuza nga vetë mediat në Serbi, se ai paguhet nga ky shtet për të mbrojturat interesat e tyre, këta nuk e fshehin entuziazmin që ua krijon vizita e tij.
Lidhur me atë se a po tenton të kthehet grupi i vjetër në LDK, për “Bota sot”, kanë folur disa njohës të çështjeve politike.
“LDK duhet të ecë tutje”
Faton Mehmeti
Analisti politik, Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se gjithnjë do të ketë tendencë që ish struktura të partisë të kthehen në krye të saj, por tani këtyre i shtohet edhe Lutfi Haziri, i cili në fakt vazhdon të mbajë post të lart në krye të LDK-së, pavarësisht humbjes në garën për Gjilanin.
Ai thekson se e gjithë kjo varet nga Abxhidiku, por sipas Mehmetit, LDK-ja duhet të ec pra, sepse përndryshe rrezikon të mbetet parti minore.
“Natyrisht se ka tendenca dhe gjithnjë do të ketë nga grupi Isës së bashku me Agim Veliun, tani radhës i shtohet edhe Luta për tu rikthyer në LDK. Krejt varet nga kryetari Abdixhiku se sa do i jap hapësirë këtyre personave. Nëse kryetari Abdixhiku nuk iu jep hapësirë, natyrisht se këta persona nuk do të mund të gjejnë hapësira për të depërtuar deri në kryesi. LDK, nuk guxon të bëj hapa pas, ajo duhet të ec tutje, ndryshe rrezikon shumë për të mbetur parti minore. Një LDK e reformuar është e mirë për vendin, meqenëse LDK-ja është parti e parë dhe si e tillë duhet të jetë mësuese për të tjerat. Lumiri të bëj reforma, ndryshe antireformat do t’i bëj Isa me grupin e tij, të cilët po vëzhgojnë non stop për të parë vrimat nga ku do të mund të depërtojnë”, thotë Mehmeti.
“Nuk do të kenë jehonë pozitive”
Ndërsa analisti politik Leon Duhanaj ka deklaruar se LDK-ja tani veç se i ka bërë ndryshimet e duhura, ndërsa ish-liderët sipas tij, nuk duhet të përjashtohen nga proceset.
Leon Duhanaj
Ai shtoi se nuk do të ketë jehonë pozitive rikthimi në pozita udhëheqëse.
“Për mendimin tim, në LDK tashmë kanë ndodhur ndryshimet e duhura dhe nuk do të duhet të vihej në pyetje autoriteti i lidershipit të ri. Nëse flasim për akter-lider para këtyre, atëherë nuk mendoj që të tërë duhen përjashtuar nga proceset. Ata megjithatë janë anëtarë të barabartë të partisë dhe si të tillë janë legjitim në përpjekjet e tyre për të ushtruar ndikimin e tyre. Megjithatë, krejt çfarë mund të pretendohet si rikthim në pozita udhëheqëse, nuk besoj që do të kishin jehonë pozitive në subjekt”, ka potencuar Duhanaj.