Nuk ekziston as hija e përafërt zëvendësuese e Ibrahim Rugovës/ Kujtime në 77 vjetorin e lindjes së Presidentit Historik

Politika

Nuk ekziston as hija e përafërt zëvendësuese e Ibrahim Rugovës/ Kujtime në 77 vjetorin e lindjes së Presidentit Historik

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 2 dhjetor 2021 Në ora: 08:11
Presidenti historik dr. Ibrahim Rugova

Dy dhjetori shënon ditëlindjen e Presidentit Historik të Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova. Bëhet fjalë për një nga datat më emblematike për popullin e Kosovës.

Me Rugovën fillimisht lindi demokracia, më pas rezistenca ndaj armikut dhe falë veprës së tij, fituam lirinë dhe pavarësinë, të cilat i gëzojmë sot.

Një figurë si Ibrahim Rugova i mungon sot Kosovës, të cilën jo rrallëherë politikanët “ordinerë” kanë ditur ta fusin në “qorrsokak”.

E kush më mirë se ai i promovonte vlerat e demokracisë së mirëfilltë, duke mbajtur në qendër miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës?.

Andaj, dy dhjetori i vitit 1944 mund të konsiderohet si një datë e bekuar për shqiptarët e Kosovës, sepse në këtë datë lindi një prijës, që do të shërbente si udhërrëfyes për të ardhmen.

Gazeta “Bota sot” me rastin e 77 vjetorit të lindjes së Presidentit Rugova, ka zhvilluar disa biseda, me disa nga bashkëveprimtarët e Presidentit Rugova.

Ata kanë folur me ëndje e krenari për vlerat e tij të papërsëritshme në historinë shqiptare.

“Ati Themeltar i Pavarësisë së Kosovës”

Image
Zonja Melihate Tërmkolli në takim me Presidentin Rugova

Melihate Tërmkolli, ish deputete në Kuvendin e Kosovës, ishte njëra ndër bashkëpunëtoret më të ngushta të presidentit Rugova.

Ajo për gazetën “Bota sot” ka thënë se Presidenti Rugova ishte ndër njerëzit më të mëdhenj në historinë shqiptare.

Njeri i madh, i urtë, trim, intelektual, bashkues, burrështetas, atdhetar e prijës, ndër më të mëdhenjtë në historinë e shqiptarëve”, është shprehur ajo.

Për Melihate Tërmkollin, roli i Presidentit Rugova në arritjet e Kosovës është madhështor si kurrë më parë në histori.

“Me filozofinë e tij politike, me punën, urtinë dhe largpamësinë e tij është Ati Themeltar i Pavarësisë së Kosovës, themelues, bartës dhe prijës i procesit dhe projektit të lirisë e pavarësisë së Kosovës, arritja më e madhe e shqiptarëve bashkë me pavarësinë e Shqipërisë”, ka potencuar Tërmkolli për “Bota sot”.

Sipas saj, ndonëse janë bërë arritje të konsiderueshme, asnjëherë Kosova nuk është e njëjtë pa Presidentin Rugova.

“Personalizimi dhe pronësimi i shtetit si koncept dhe si realitet i politikës pas rugoviane e bën edhe më të madhe mungesën e tij. Jo, nuk ka zëvendësim për Presidentin Rugova. Ai ishte dhe mbetet unik, krejt i veçantë, në kohë dhe rrethana të veçanta në të cilat kaloi populli ynë. Edhe “mund” të imitohet, por jo të zëvendësohet. Përpjekja e ndonjërit si për imitim ashtu edhe për “zëvendësim” është jo-rugoviane. Ai ishte vetja!”, shprehet ish deputetja Tërmkolli.

Tërmkolli: Politikat pas- rugoviane, në esencë janë larg politikës së Presidentit Rugova

Por a po ndiqen politikat Rugoviane nga politikanë të sotëm, sipas Melihate Tërmkollit?

“Në thelb, jo. Politikat pas- rugoviane, në esencë janë larg politikës së Presidentit Rugova, “për një Kosovë të lirë e të pavarur, të zhvilluar ekonomikisht, perëndimore dhe në lidhje të përhershme me SHBA-të”, nënvizon ajo.

Sipas saj, liria e pavarësia rugoviane nuk është e personalizuar, e privatizuar, e grabitur.

“Shteti rugovian është qëllim dhe mjet për ruajtjen dhe forcimin e identitetit kombëtar evropian perëndimor, për zhvillim modern politik e ekonomik, arsimor e kulturor, për bashkim brenda e bashkëpunim me miqtë e aleatët në interes të popullit e shtetit. Sot, nuk po duket të ketë politikanë që punojnë shumë për këto vlera”, përfundon Tërmkolli.

Personaliteti i Presidentit Rugova ngjante me atë të profetit

Image
Haki Latifi dhe Presidenti Rugova

Ndërkaq, Haki Latifi ish kryetar i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Zvicër, vlerëson se ish Presidenti historik dhe themeluesi i shtetit të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, ishte një hap para të tjerëve ose para kohës.

“Ai besonte në traditën e popullit të vet dhe e ndërtonte modernitetin e tij përmes rikrijimit të shenjave kombëtare . Ishte i papërsëritshëm në aftësinë për të gjykuar jo vetëm momentin politik, por edhe vizionin për të ardhmen. I palëkundur nga vendosmëria për të përshkruar të ardhmen, si dhe në vizionin e tij për shtetin e ardhshëm të Dardanisë - Kosovës, shenjat e të cilit i shpaloste me pasion, ai jo rrallë u keqkuptua ose nuk u kuptua. Si rezultat besimi që krijoi te njerëzit qytetarët e Kosovës e shpëtoi nga çdo kundërshti. Kundërshtarët e tij gjenin tek ai modeluesin kryeneç të vizionit politik, por nuk arrinin t’ia kundërvinin asnjë model”, thekson ai.

Sipas Latifit, personaliteti i Presidentit Rugova prej një udhëheqësi dhe urtaku ngjante me atë të profetit, të cilin fati ua solli shqiptarëve, po ai fat a për fat të keq, ua mori atë ende pa e përmbushur projektin për pavarësinë e vendit të tij.

“Sidoqoftë, ai mbetet përjetësisht simbol i paqes dhe i pavarësisë së Kosovës, njeri i pakontestueshëm në vizionaritetin politik, kundërshtar ndër më të respektuarit që një rival politik mund ta ketë përballë, sfidues i historisë e i kulturës jo vetëm të popullit të vet, modelues i pashembullt në hartën politike evropiane, gjithsesi, njeri i letrave e i dijeve, i cili kapërcimin në politikë e bëri sikur ai të shënjonte përgjithnjë kthim nga vetvetja, njeri, pra, që e bart sikur kryqin shenjën e sakrificës për t’i promovuar vlerat e demokracisë universale”, shton Latifi.

Udhërrëfyes drejt vlerave dhe virtyteve me të larta njerëzore

Si bashkëpunëtor i Presidentit Rugova, Latifi thotë se ai ishte udhërrëfyes drejt vlerave dhe virtyteve me të larta njerëzore.

“Për ne që e njohëm nga afër dhe kishim bashkëpunuar, shëmbëlltyra e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova prej njeriu, udhëheqësi dhe intelektuali do të mbetët përherë udhërrëfyes drejt vlerave dhe virtyteve me të larta njerëzore të personifikuara në një njeri siç ishte Ai. Qëndrimi, sjellja, përgatitja e tij akademike, fjalët e pakta por më peshë dhe veprat e tij na kanë mbajtur të fortë dhe krenar edhe në vitet më të vështira të veprimtarisë politike për bërjen e shtetit të Kosovës dhe punës sonë nën okupimin serb”, potencon ai.

Haki Latifi po ashtu thotë se Presidenti Rugova me krijimtarinë e tij letrare dhe filozofia politike e tij ka hyrë tashmë në radhën e emrave më të mëdhenj të burrështetasve të kombit shqiptar.

“Ai mbetet lart i çmuar në rrethet intelektuale si në Prishtinë, në Tiranë, kudo në trojet shqiptare, por dhe më gjerë në qendrat politike të vendosjes jashtë vendit. Tradita kombëtare e shqiptarëve në idealitetin e Presidentit historik të dr. Rugovës e mbështet identitetin kolektiv të filozofisë së një urtaku. Një tip i ekzistencës kulturore qe krijuar qysh me Lidhjen e Prizrenit, dhe tradita e kultivimit të saj ka vazhduar deri më sot”, shton ish kreu i LDK-së në Zvicër.

Me këtë rast, Latifi përdori një fjali që mbretëresha britanike e kishte thënë në letrën e saj drejtuar kombit me rastin e vdekjes së Uinston Churchilit, të cilin ajo e përshkruan si „Udhëheqësi frymëzues që na forcoi dhe na mbështeti të gjithëve“.

“Pikërisht ishte Presidenti Rugova që të gjithë neve veprimtarëve si brenda vendit dhe në mërgim në përgjithësi, na frymëzoi dhe forcoi me dijen dhe kurajën e tij për punuar, vepruar dhe për t’i thënë gjërat ashtu siç janë, pavarësisht kërcënimeve të shumta që i pati Ai dhe veprimtarët nga regjimi okopues serb i Millosheviçit”, shprehet ai.

Promovimi i bashkëpunimit midis shqiptarëve për të mirën e përbashkët

Por, cila do të ishte këshilla e Presidentit Rugova sipas Latifit, nëse ai do ishte gjallë?

“I ndjeri President Ibrahim Rugova, në këtë ditë përkujtimore të ditëlindjes së 77 të tij, do na këshillonte se në qoftë se dëshironi të më kujtoni mua dhe veprën time, atëherë ju lutem promovoni bashkëpunimin midis shqiptarëve për të mirën e përbashkët, duke venë mbi të gjitha interesin kombëtar mbi atë partiak dhe interesin publik mbi atë personal. Ai edhe pas shkuarjes në përjetësi, është duke lëshuar dritë përherë e më tepër, duke lulëzuar e duke dhënë fryte agimesh të reja e fatlume për Kosovën dhe për mbarë Kombin shqiptar”, thotë ai.

Për Haki Latifin, është për t’u vlerësuar që edhe kundërshtarët politik, liderët e partive politike që përfshijnë edhe të majtit, edhe ekstremin e majtë edhe liderët e të majtës qendër, kanë filluar të gjunjëzohen para varrit të tij Rugovës, sepse është gjunjëzim para veprës së tij, para filozofisë së tij politike dhe para kontributit të tij politik në shtet.

“Kujtimi për fjalët dhe veprat e tij jam i bindur thellë se do ta mbajnë të fortë dhe krenar përjetësisht familjen e tij, bashkëpunëtorët e ngushtë, qytetarët e Republikës së Kosovës por edhe të gjithë neve që e njohëm dhe punuam në realizimin e projektit kombëtar- bërjen e shtetit të Kosovës, në të cilën e gëzojmë sot”, thekson ai.

Haki Latifi, shton se mungesa e Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova po ndjehet si kurrë më parë në institucionet e Kosovës, tek qytetarët si dhe tek miqtë e Kosovës.

“Ai ishte Lideri me vizion dhe me guxim të jashtëzakonshëm po vazhdon të jetë i pazëvendësueshëm në politikën e Kosovës. Por, edhe në politikëbërjen e jashtëm, me shtetet mike që na ndihmuan në kohë të vështira në të cilën ishim të rrezikuar nga zhbërja si komb. E sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të cilat kurdoherë që fliste për Amerikën e përfundonte me fjalët, “Zoti e bekoftë Amerikën” dhe në “Miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara”, përfundon ai.

Zogaj: Nuk fliste kurrë keq për kundërshtarët më të paskrupullt që shpifnin dhe e shanin pa të drejtë!

Image
Skender Zogaj dhe bashkëveprimtarë të tjerë bashkë me Presidentin Rugova dhe Komandantin legjendar, Adem Jashari

Ish veprimtari i hershëm i LDK-së, Skënder Zogaj, ka treguar për gazetën “Bota sot” se si e kujton presidentin Rugova.

"Rugovën e kujtoj si një njeri të urtë e të mirësjellshëm, intelektual me edukatë kulturore të lartë, krijues i mprehtë dhe studiues me diapozon të gjerë njohurish superiore për standardet pararendëse të brezit të tij; fliste pak, qetë dhe thoshte shumë, i dëgjonte me vëmendje bashkëbiseduesit dhe kishte mbamendje të fuqishme; mbante mend emrat dhe pas shume vitesh dhe evokonte në detaje bisedat me ta. Nuk fliste kurrë keq për kundërshtarët më të paskrupullt që shpifnin dhe e shanin pa të drejtë! Ka punuar shumë në evitimin e konfrontimeve e brendshme politike dhe ka parandaluar me urtësi e mençuri të gjitha rastet e mundshme për eskalime dhune qytetare”, thotë Zogaj.

Skënder Zogaj thekson se Kosovës sot i mungon më shumë se gjithçka Presidenti Rugova, sepse gjithçka do të ishte ndryshe.

“Pa asnjë dilemë, kahera Kosova do të ishte plotësisht e lirë dhe e pavarur, e integruar në BE dhe strukturat Euro-atlantike, shtet me stabilitet dhe i mirëfilltë ligjor, me arritje më të mira zhvillimore dhe pozicion krejtësisht tjetër kombëtar gjithëshqiptar! Unë jam i bindur se, Kosova dhe Shqipëria do ta kishin realizuar kahera fazën e parë të bashkimit kombëtar, ndërsa dialogu me Serbinë tash do të zhvillohej paqësisht për autonominë e shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, shprehet ai.

Rugova i papërsëritshëm

Zogaj thotë se një figurë si Rugova nuk e ka zëvendësim.

“Por, nuk qe e thënë, Presidenti Rugova na mungon dhe, për fat të keq nuk ekziston as hija zëvendësuese e përafërt e tij! Kjo është normale, sepse, personalitet epokale si Rugova, Skënderbeu, Adem Jashari, Nëna Terezë, janë të papërsëritshëm”, përfundon ai.

Edhe armiqtë iu përkulën

Image
Rexhep Shahu në takim me Presidentin Rugova

Ndërkaq, Rexhep Shahu, publicist dhe ish gazetarë-reporter i luftës në Kosovë, thotë se Presidenti Rugova është i pranishëm në gjithë jetën e Kosovës, në frymën e saj, në çdo hap që hedhin njerëzit dhe shoqëria në Kosovë.

"Çdo lëvizje që maten dhe që bëjnë njerëzit vetë pyesin vetën në heshtje, çfarëdo të thoshte presidenti. Është i pranishëm në gjithë frymëmarrjen e Kosovës. Edhe armiqtë iu përkulën. Ai ka firmën në çdo arritje të Kosovës ai është arkitekti i çdo arritje politike, i lirisë e pavarësisë, i miqësive të mëdha të Kosovës”, thekson Shahu.

“Presidenti Rugova tashmë është në rolin e shenjtit, ai është shndërruar gradualisht në shenjt, ashtu e shohin dhe e konsiderojnë njerëzit normal të botës shqiptare por dhe më gjerë, si shenjt”, shton ai.

Shahu për takimin me Rugovën: Përjetova emocione të forta

Shahu për gazetën “Bota sot” shpalosi edhe disa kujtime nga takimi me presidentin Rugova.

“Unë vetëm njëherë e kam takuar. Dhe mbetet e pashlyeshme e pazhbëshme mbresa dhe impresioni që me dhuroi. I dhashë në presidencë librin tim "Misioni për paqen", libër me intervista me personalitete të huaja e shqiptare që kanë qëndruar në rajonin e Kukësit në vitet 1998-1999. U ngrit në këmbë dhe u shpreh me seriozitet: Në emrin tim e të popullit të Kosovës të falënderoj për kontributin mediatik për çështjen tone kombëtare. Përjetova emocione të forta. Rrija duke e parë, isha në krah te tij. Fotografët e njerëzit që ishin përballë, bënin shenje e thirrje me zë të ultë të shikoja nga ata, të shihja përpara. Unë shihja nga presidenti, e shihja në fytyre, isha i mahnitur prej tij dhe prej nderimit që më bëri”, rrëfen ai.

Shahu tregon se si vet presidenti Rugova e kishte sugjeruar të shikonte fotografët, me ç’rast do të realizoheshin fotografitë më të bukura.

“Derisa u detyrua vet ai e me tha, duke më shtrënguar dorën si ndonjë udhëheqësi të madh, Rexhë, shih përpara. Atëherë unë pashe përpara nga fotografet dhe ato qaste më janë bërë fotot më të bukura, që për fat të keq nuk i kam të gjitha as ato më të bukurat. Me futi në dhomën e kristaleve. Ishte një mahnitje ajo dhome, ajo pasuri që ka Kosova”, tregon ai.

Rexhep Shahu, thekson se Presidenti Rugova do të mungojë gjithmonë, pasi nuk e ka askush urtësinë, dijen, maturinë e përulësinë e tij.

“Nuk e ka askush dinjitetin e krenarinë e tij. Kosova kjo që është, është në shumë mënyra krijese e tij. Çdo ditë që kalon presidenti Rugova bëhet shenjt, përmbush dimensionet e shenjtit të Kosovës”, përfundon Rexhep Shahu.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat