Një nga vrasjet më tronditëse në Kosovë është ajo e politikanit të ri nga Rahoveci Elvis Pista, i cili u vra përkrah gruas së tij, me të shtëna nga pas në shpine, me një revole me shurdhues.
Ky rast është i vështirë për drejtësinë jo se nuk kanë indikacione për origjinën e porosisë së atentatit, por për shkak se besohet se në kryerjen e ekzekutimit janë të përfshirë politikanë të profilit të lartë, dhe këta duket se janë nga PDK-ja, si aludon motra e të ndjerit tashmë sa vjet.
“Me plot përgjegjësi e them që nuk janë intervistuar njerëzit e profileve të larta. Ata jo”, ka deklaruar Beatrisa Pista- Demiri.
As pas më shumë se shtatë vitesh, organet e hetuesisë nuk kanë arritur që t’i bien në gjurmë vrasësit apo vrasësve të ish-kandidatit për deputet nga radhët e Partisë Demokratikë të Kosovës, Elvis Pistës.
Një nga vrasjet më tronditëse në Kosovë është ajo e politikanit të ri nga Rahoveci Elvis Pista, i cili u vra përkrah gruas së tij, me të shtëna nga pas në shpine, me një revole me shurdhues.
Ky rast është i vështirë për drejtësinë jo se nuk kanë indikacione për origjinën e porosisë së atentatit, por për shkak se besohet se në kryerjen e ekzekutimit janë të përfshirë politikanë të profilit të lartë, dhe këta duket se janë nga PDK-ja, si aludon motra e të ndjerit tashmë sa vjet.
“Me plot përgjegjësi e them që nuk janë intervistuar njerëzit e profileve të larta. Ata jo”, ka deklaruar Beatrisa Pista- Demiri.
As pas më shumë se shtatë vitesh, organet e hetuesisë nuk kanë arritur që t’i bien në gjurmë vrasësit apo vrasësve të ish-kandidatit për deputet nga radhët e Partisë Demokratikë të Kosovës, Elvis Pistës.
Ishte mesnata e 15 qershorit të vitit 2014, kur ish-kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Elvis Pista, u qëllua me armë zjarri në oborrin e një restoranti të quajtur “Jaha Petrol”, në Rahovec.
Pista atë natë po festonte ditëlindjen e bashkëshortes së tij, e cila në atë kohë ishte edhe shtatzënë. Bashkë me të kishin qenë edhe dy miq të familjes, të cilët kishin me vete edhe bashkëshortet e tyre.
Plagëve që mori nga pesë plumbat që u shkrepën në drejtim të tij, Pista nuk arriti t’u mbijetonte. Ai ndërroi jetë rrugës për në spitalin e Rahovecit.
Në ditët e para pas vrasjes, Prokuroria Themelore në Gjakovë kishte intervistuar gjithsej 84 persona në cilësinë e dëshmitarëve dhe të dyshuarve, përfshirë edhe gruan dhe shokët që ishin bashkë me të atë natë, për të zbardhur këtë rast, por pa rezultat.
Kanë kaluar më shumë se shtatë vite nga dita e vrasjes. Por, edhe pas kaq shumë vitesh, vrasja e tij vazhdon që të mbetet ende mister, meqenëse organet e hetuesisë nuk kanë arritur ende që t’i bien në gjurmë vrasësit apo vrasësve të Pistës.
Nëna: Dikush po dëshiron që të mos zbardhet ky rast
Ndërkohë, familjarët të Pistës kanë drejtuar gishtin tek strukturat shtetërore dhe njerëz nga drejtësia, me akuzën se po duan ta stopojnë zbardhjen e rastit.
Kohë më parë, nëna e Elvis Pistës, Hidija, ka treguar se kanë kërkuar që rasti të kaloj në Prokurorinë Speciale, mirëpo ka thënë se për këtë kërkesë nuk janë mirëpritur.
“Ju e dini që rasti trajtohet nga Prokuroria e Gjakovës. Me vajzën time, Beatrisën kemi qenë tek prokurori Ali Ukaj për të tërhequr lëndën dhe ta dërgojmë në Speciale, mirëpo nuk jemi mirëpritur për këtë”, ka treguar ajo.
Sipas saj, dikush po dëshiron që të mos zbardhet ky rast.
“Është shumë e qartë që këtë rast dikush ose disa po e stopojnë, duke filluar nga prokuroria e Gjakovës", ka deklaruar nëna e Elvisit për media para disa muajsh. Ndërsa, motra e saj në deklaratat e saj për media, kohë më parë nuk e përjashtoi mundësinë se është vrasje politike, por nuk e përjashton as faktin se mund të jetë shfrytëzuar momenti politik.
Krahas kësaj, për faktin se Pista ishte edhe anëtar dhe kandidat i PDK-së, asnjëherë nuk u raportua se figura të larta të kësaj partie politike u intervistuan në lidhje me këtë rast.
Gazeta “Bota sot” ka kontaktuar me zëdhënësin e Prokurorisë Speciale të Kosovës në lidhje me rastin Pista, por që nuk kemi marrë përgjigje.
Kelmendi: Janë shumë raste të pazbardhura, edhe të gazetarëve
Ndërsa, njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi në një prononcim për “Bota sot” tha se në Kosovë janë kryer dhe po kryhen vrasje të shumta, por që këto raste kriminale nuk po arrijnë të zbardhen.
“Në Kosovë janë kryer dhe po kryhen shumë krime makabre. Kemi vrasje të atdhetarëve të shumtë, të veprimtarëve politikë, të anëtarëve të partive politike dhe qytetarë të shumtë. Shumë raste kriminale nuk janë zbardhur.
Shkaqet e vrasjeve janë të ndryshme, mendohet se kanë karakter politikë, ka edhe raste ekonomike e financiare dhe hakmarrje”, deklaroi ai.
Mirëpo, Kelmendi vlerëson e shumica e vrasjeve vijnë nga Beogradi, të cilat kanë qëllim të krijimit të konflikteve brenda Kosovës
Madje, ai thotë se nuk është vetëm rasti Pista, i cili ka ngecur dhe hetimet nuk kanë avancuar, duke përmendur edhe vrasjet e Qerim Kelmendit, Xhemail Mustafës dhe vrasjet e gazetarëve.
“Natyrisht se nuk përjashtohen as vrasjet që vijnë nga Beogradi si formë e presionit dhe e krijimit të konflikteve të brendshme. Vetë fakti se ka rrjedhshmëri të ndryshme që pista e hetimeve shkon deri jashtë shtetit, si në Serbi, është vështirë të zbardhen rastet kriminale.
Këtu nuk është vetëm rasti Pista, por kemi rastet tjera, si vrasja para një viti të Qerim Kelmendit, vrasja e Xhemail Mustafës, vrasjet e gazetarëve etj. Rasti i fundit është vrasja makabre në Gllogjan”, theksoi njohësi i çështjeve kushtetuese.
Në vazhdim, ai thotë se mungesa e zgjidhjeve të rasteve, vjen si rrjedhojë e vështirësisë në mbledhjen e informative dhe zhvendosjes së tyre në Serbi.
“Vrasjet e tilla janë të rënda, ato kanë krijuar çrregullime dhe hetimi i tyre është i vështirë. Kjo, për faktin se organet e Kosovës ende nuk kanë dhënë informata dhe nuk po dihen ekzekutorët.
Kuptohet se koha është mjeti që ec, koha nuk pyet për dëshirë dhe rastet, me kalimin e kohës vihen edhe rastet e tilla në harresë. Kështu po ndodh me mijëra raste kriminale dhe gjenocidale të kryera në Kosovë nga shteti kriminal serb. Po ky shtet po vazhdon me organizimin e krimeve të ndryshme në Kosovë”, nënvizoi Kelmendi.
Në fund, ai deklaroi se shteti serb po punon për destabilizimin në Kosovë, ku shumica e vrasësve po shkojnë në Serbi dhe hetimet e rasteve po stagnojnë.
“Serbia po punon për destabilizim të Republikës. Po duket kështu se vdekjet në Kosovë janë të lira. Nuk ka më lirë se vrasjet dhe mos zbardhjet e tyre. E ato nuk po zbardhen, sepse shkojnë jashtë shtetit, në Serbi etj.
Fakti i mos nxjerrjes para drejtësisë të kriminelëve serbë dhe të tjerëve tregon çmimin e lirë të qytetarëve nga Kosova.
Të shpresojmë se organet e Kosovës do të arrijnë të zbardhin rastet. Kjo është e mirë, sepse dalin kriminelët në dritë dhe nuk mbetemi me dyshime”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.
Krasniqi: Rasti i Pistës ka mbetur në errësirë
Avokati Islam Krasniqi konsideron se vetting-u është i domosdoshëm për sistemin e drejtësisë.
Kjo sepse për shkak të ndërhyrjes së politikës në drejtësi, shumë vrasje kanë mbetur enigmë.
“Sistemi i drejtësisë ka nevojë për vetting, për tu pastruar nga politika, apo nga individ të fuqishëm, të cilët e kontrollojnë sistemin e drejtësisë, pasi që kemi disa vrasje, të cilat kanë mbetur enigma sot e atëherë, duke mos pasur mundësi të zbardhet e vërteta”, deklaron ai në një prononcim për “Bota sot”.
Sa i përket rastit Pista, Krasniqi vlerëson se Prokuroria Speciale e Kosovës ka faj në zvarritjen e hetimeve.
“Rasti i ish-kandidatit për deputet të PDK-së, Elvis Pista i vrarë para shtatë viteve ka mbetur në errësirë, duke mos u zbardhur me vetëdije apo mungesë provash. Nuk ka qenë faji te Prokuroria Themelore në Gjakovë, e cila e ka pasur rastin për një kohë, por te Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, sepse ata është dashur të merren me rastin dhe ta zbardhin këtë enigmë, pasi që familjarët e tij akoma kërkojnë dhe presin drejtësinë që ta thotë fjalën e fundit”, potencoi analisti.
Sipas tij edhe në shumë vende të tjera nuk vendosen autorët e krimeve në bakën e të akuzuarve.
Megjithatë, Krasniqi beson se institucionet e Kosovës nuk punojnë në këtë drejtim dhe lëndët i mbulon pluhuri dhe provat zhduken pa ndonjë arsye.
“Nuk jemi të vetmit që s’mund t’i vendosim akterët e krimit në bankën e të akuzuarve, sepse kjo ndodhë edhe në vendet më të zhvilluara, por ne edhe nuk punojmë në këtë drejtim. I lëmë lëndët në sirtarë, ku i mbulon pluhuri, zhduken provat pa ndonjë arsye, e që vettingu duhet të bëhet në mënyrë urgjente, që secili të paguhet apo të marrë shpërblimin për punën e kryer, e jo të harrohen apo të lihen familjarët të presin në mëshirën e Zotit”, përmbylli Islami Krasniqi për “Bota sot”.
Elvis Pista, ish-kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, konsiderohej si njëri ndër biznesmenët më të suksesshëm nga Rahoveci.
Për një kohë, ai kishte punuar edhe në Post-Telekomin e Kosovës. Në zgjedhjet e 8 qershorit të vitit 2014, saktësisht një javë para se të vritej, ai kishte dalë si personi i dytë më i votuar në Rahovec nga partia e tij.