Në mëngjesin e 15 marsit 2005, presidentit historik Ibrahim Rugova iu bë një atentat me bombë.
Fatmirësisht këtij atentati i shpëtoi Rugova, ndonëse ky nuk ishte atentati i vetëm që iu bë atij, pasi presidenti ishte disa herë cak i sulmeve tinëzare.
E gjithë ngjarja kishte ndodhur derisa eskorta e presidentit Rugova po bënte rrugën e zakonshme nga rezidenca në Velani drejt ndërtesës së Kuvendit ku gjendet Zyra e Presidentit.
Fillimisht, rreth orës 08:20 ishte dëgjuar një shpërthim në rrugën “Ramiz Sadiku”, prapa Teatrit Kombëtar.
Pak minuta më pas, Rugova duhej të takohej në zyrën e tij me ish-Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana i cili kishte ardhur në Prishtinë për të biseduar me liderët politikë për situatën pas largimit të Haradinajt për në Hagë, dhe për gjetjen e një zgjidhje për qeverinë që do ta pasonte atë.
Në mëngjesin e 15 marsit 2005, presidentit historik Ibrahim Rugova iu bë një atentat me bombë.
Fatmirësisht këtij atentati i shpëtoi Rugova, ndonëse ky nuk ishte atentati i vetëm që iu bë atij, pasi presidenti ishte disa herë cak i sulmeve tinëzare.
E gjithë ngjarja kishte ndodhur derisa eskorta e presidentit Rugova po bënte rrugën e zakonshme nga rezidenca në Velani drejt ndërtesës së Kuvendit ku gjendet Zyra e Presidentit.
Fillimisht, rreth orës 08:20 ishte dëgjuar një shpërthim në rrugën “Ramiz Sadiku”, prapa Teatrit Kombëtar.
Pak minuta më pas, Rugova duhej të takohej në zyrën e tij me ish-Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana i cili kishte ardhur në Prishtinë për të biseduar me liderët politikë për situatën pas largimit të Haradinajt për në Hagë, dhe për gjetjen e një zgjidhje për qeverinë që do ta pasonte atë.
“Fal Zotit, shpëtova edhe njëherë”, këto ishin fjalët e ish-presidentit Ibrahim Rugova, pasi i kishte shpëtuar atentatit më 15 mars 2005.
Kanë kaluar më shumë se 16 vite dhe ky atentat është lënë në harrë dhe sulmuesit nuk u arritën të zbulohen asnjëherë.
Kjo, gjithsesi është një pikë e errët në sistemi e drejtësisë së Kosovës.
Madje, partia që do duhej të interesohej më shumë për zbardhjen e këtij sulmi, është LDK-ja, partia e themeluar nga i ndjeri, presidenti Rugova.
Po ashtu, tash e sa vite ende nuk u zbuluan edhe motivet e këtij atentati.
E lidhur me këtë atentat dhe hetimet me të, kanë folur për “Bota sot” Haki Latifi ish kryetar i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Zvicër dhe ish-deputeti i LDK-së, Fetah Rudi.
Latifi: UNMIK-u nuk i mori seriozisht kërcënimet ndaj presidentit Ibrahim Rugova
Së pari, Haki Latifi ish kryetar i degës së LDK-së në Zvicër kërkon që atentat ndaj presidentit Rugova të ndriçohen sa më parë.
Ai beson se ndriçimi i këtyre sulmeve nuk ka të bëjë vetëm me LDK-në, por edhe me besimin e qytetarëve ndaj shtetit dhe institucioneve të Kosovës.
“Për fat të keq ish Presidenti i ndjerë i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ishte shumëherë cak i atentateve. Një nga sulmet ishte edhe ai ndodhur në mars të vitit 2005, në momentin kur ai po shkonte drejt Presidencës së Kosovës.
Mendoj se ndriçimi i këtyre rasteve nuk ka të bëjë vetëm me LDK-në, por ka të bëjë me qytetarin dhe besimin e qytetarëve ndaj shtetit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës”, deklaroi Latifi.
Në vazhdim, ish kryetar i degës së LDK-së në Zvicër beson se përgjegjës për sigurinë e qytetarëve të Kosovës gjatë asaj kohe ishte UNMIK-u.
Madje, ai fajësoi UNMIK-un për mos zbardhjen e këtij rasti, duke vlerësuar se ata kanë pasur të gjitha të dhënat për këtë atentat, mirëpo nuk i kanë marrë seriozisht hetimet.
“Dihet se gjatë kësaj kohe siguria e qytetarëve të Kosovës ishte përgjegjësi e UNMIK-ut, ku për fat të keq nuk i ka marrë seriozisht kërcënimet dhe praktikisht i bie se nuk ka dashur të zbardh atentatin ndaj Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. UNMIK-u i ka pasur të gjitha të dhënat për Kosovën, pasi ishte e pamundur me gjithë atë personel, me një administratë disa mijëshe, të mos zbardh atentate që kanë ndodhë në dritën e diellit, po më duket pak e pamundur.
Njëherit përgjegjësi për mos zbardhjen e vrasjeve të pasluftës kanë të gjitha institucionet e Kosovës. Përderisa akoma janë me dhjetëra vrasje politike të pasluftës që po mbesin enigmë dhe të pasqaruara. Sepse, është e vërtetë që institucionet politike nuk i zbardhën rastet”, nënvizoi ai.
Më tej, Latifi theksoi se Kosova nuk është pronë e askujt dhe se trajtimi i krimeve, vrasjeve politike të luftës dhe pas luftës mes shqiptarëve, do të mbetet çështja e fundit që do të hetohet dhe gjykohet nga gjykata speciale me seli në Hagë.
“Ky vend nuk është pronë e askujt, por është e të gjithëve që e dhanë jetën për të dhe sakrifikuan djersë, gjak, gjymtyrë dhe gjithçka që patën. Ky vend është i nënave, motrave e vajzave, fëmijëve, e atyre që luftuan heroikisht, që u burgosën dhe u vranë mizorisht, që u helmuan në shkolla, që u masakruan dhe që pabesisht dhe në mënyrë tinëzare u vranë për interesa individuale-grupore.
Natyrisht se trajtimi i krimeve, vrasjeve politike të luftës dhe pas luftës mes shqiptarëve, do të mbetet çështja e fundit që do të hetohet dhe gjykohet nga Gjykata Speciale me seli në Hagë”, theksoi ish kryetar i degës së LDK-së në Zvicër.
Shërbimet e huaja
Krahas kësaj, Latifi komentoi edhe mbi rolin e gjykatës speciale për zbardhjen e vrasjeve të pasluftës në Kosovë.
Ai hodhi dyshime se brenda speciales është duke u luajtur një lojë e ndytë mes shërbimeve të huaja armiqësore të Kosovës.
“Gjykata speciale e ka mandatin që t’i hetojë edhe vrasjet politike të pasluftës. Kjo gjykatë ndoshta mund të zbardhë ndonjë vrasje që ka ndodhur gjatë dhe pas luftës, por nuk besoj se do të merret me çdo vrasje, të ndodhur në Kosovë, dhe familjarët bashkë me qytetarët e Kosovës presin me të drejtë zbardhjen e tyre nga drejtësia e Kosovës dhe nga specialja.
Ka mundësi që një lojë të ndytë kanë luajtur edhe shërbimet e huaja armiqësore të Kosovës të cilat përmes shqiptarëve, përmes ish-veprimtarëve të cilët dikur kanë qenë në një organizatë politike, me i përdor edhe me krijuar një situatë të konfliktit politik në mes të shqiptarëve. Ku qëllim kryesor kanë destabilizimin e shtetit të Kosovës. Të cilat kanë qenë jetësisht të interesuara që Kosovën me zhyt në një konflikt edhe më të thellë politik, mbase edhe në një konflikt që do të merrte përmasa të dhunës politike”, shpjegoi Latifi.
Krejt në fund, ai thotë se fjalën e fundit e kanë organet e drejtësisë, mirëpo zbardhja e këtyre atentateve dhe gjetja e porositësit do të ishte sukses për shtetin e Kosovës.
“Zbardhja e këtyre rasteve të atentateve, që do të na shpinte tek porositësi. Kjo do të ishte sukses për shtetin e Kosovës dhe institucionet e tij.
Ky proces është i ndjeshëm dhe është mirë që t’iu lihet organeve të drejtësisë ta thonë epilogun e fundit, pasi në këtë mënyrë vetëm po ua shtojnë dhembjen familjarëve të të vrarëve.
Atdheu nuk është asgjë tjetër veçse dashuri për njeriun e dashuri për vendin!”, përmbylli Haki Latifi për “Bota sot”.
Rudi: Mbështetja për Rugovën i pengonte forcat apo më mirë them komandantët e luftës
Ndërsa, ish-deputeti i LDK-së, Fetah Rudi, i cili edhe sot vuan drejtpërdrejt pasojat e dhunës politike, duke mbetur i paralizuar në një atentat, në prononcimin e tij për “Bota sot” e theksoi faktin se presidenti Rugova ka qenë vazhdimisht cak i atentateve të shumta.
Madje, ai vlerëson se këto atentate erdhën si pasojë e përkrahjes dhe mbështetjes së madhe që populli ia dha Rugovës, prandaj edhe kjo gjë i pengonte komandantët e luftës.
“Presidenti historik ishte vazhdimisht cak i shumë atentateve, jo vetëm i një atentati. Po atentatet ndaj presidentit Rugova ndodhën në kohën e lirisë, në kohën kur Rugova po merrte mbështetjen e fuqishme të popullit. Kjo mbështetje për Rugovën i pengonte forcat apo më mirë them komandantët e luftës, të cilët përmes segmenteve të tyre filluan atentatet dhe vrasjet ndaj anëtarëve të LDK-së dhe ndaj bashkëpunëtorëve të Rugovës”, deklaroi ai.
Rudi shpjegoi se LDK-ja disa herë ka kërkuar të zbardhen të gjitha vrasjet politike që kanë ndodhur gjatë luftës e pas luftës, por një gjë të tillë sipas tij, nuk e lejuan të ndodhte, ‘komandantët’.
“Jo vetëm atentati ndaj Presidentit Rugova, po edhe vrasjet që nuk janë të pakta dhe dihen, nuk janë zbardhur sepse ka dështuar UNMIK-u, EULEX-i dhe drejtësia kosovare, ngase më të fuqishëm ishin komandantët. Edhe pse LDK-ja disa herë ka kërkuar të zbardhen të gjitha vrasjet politike që kanë ndodhur gjatë luftës e pas lufte e që dihen të gjitha, por institucionet e drejtësisë kanë dështuar apo nuk kanë guxuar me u marrë me to dhe zbardhjen e tyre. Po, besoj që gjykata speciale do t’i zbulojë vrasjet politike që kanë ndodhur në Kosovë dhe atentatet ndaj Rugovës”, theksoi ish-deputeti i LDK-së.
Në fund, ai tha se motivi kryesor nga i cili erdhën atentatet ndaj presidentit Rugova, ishte përkrahja masive e qytetarëve për këtë të fundit.
“Po motivet për atentate ndaj Rugovës dihen të gjitha, se presidenti Rugova ishte një personalitet që e donte populli i tij, dhe të gjithë ishin rreshtuar përkrah tij, gjë e cila u pengoi kundërshtarëve të tij politikë. Rugova për ditë e më shumë merrte mbështetjen nga vendorët dhe ndërkombëtarët, pasi Rugova ishte i bindur që Pavarësia e Republikës së Kosovës nuk ka alternativë tjetër”, përfundoi Fetah Rudi për “Bota sot”.