Javën e kaluar, Gjykata Speciale në Hagë refuzoi garancinë që kishte bërë Policia e Kosovës për lirimin me kusht të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Gjykata Speciale arsyeton vendimin duke theksuar se ekziston mundësia e ndërhyrjes në procesin gjyqësor, në Kosovë, pas akuzave se dy agjentë të Agjencisë Kosovare e Inteligjencës (AKI) u paraqitën si dëshmitarë për të dhënë dëshmi të fabrikuara, shkruan gazeta “Bota sot”.
Në arsyetim renditen edhe lidhjet e kundërshtarëve politikë të ish-presidentit Hashim Thaçi me organizatat terroriste, sjellja e liderëve të shoqatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë deklaratat e Faton Klinakut, në verën e kaluar, dhe krimet e supozuara se janë bërë mes Gucatit dhe Haradinajt, të gjitha këto tregojnë qartë se kjo klimë vazhdon.
Në dokument jepen edhe arsye të tjera si pasiguria dhe frika e dëshmitarëve të rastit.
“Dëshmitarët nuk kanë nevojë të lëndohen fizikisht për t’u frikësuar; edhe perspektiva e lirimit të të akuzuarve në Kosovë krijon frikë dhe pasiguri te dëshmitarët në këtë rast”, thuhet në dokument.
Kërkesa e mbrojtjes
Nga ana tjetër, mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, e cila kryesohet nga avokati amerikan Gregory Kehoe ka thënë se për lirimin e tij është ofruar garanci nga më shumë se një shtet.
Kehoe ka thënë në një kërkesë drejtuar Hagës se dy fuqi anëtare të NATO-s janë garantuese dhe ka kërkuar që Thaçit t’i mundësohet lirimi në njërën nga këto shtete.
“Mbrojtja dhe vendet e treta e kërkojnë lirimin e përkohshëm të Thaçit, ose në mënyrë alternative, të urdhërojë lirimin e përkohshëm të Thaçt në njërën prej këtyre dy vendeve të treta”, thuhet në dokumentin e mbrojtjes së Thaçit dërguar Gjykatësit të Procedurës Paraprake.
Kehoe ka thënë se nuk ka rrezik që ish-presidenti i Kosovës të ikë apo që të bëjë përpjekje për të penguar procedurat e gjykatës, dhe gjithashtu thekson se s’ka ndonjë rrezik që Hashim Thaçi “të kryejë ndonjë vepër tjetër penale”.
Gashi: Shqipëria do të ofronte garanci për të gjithë ish-krerët e akuzuar
Por, cilat mund të jenë këto dy shtete që kanë ofruar garanci për lirimin e Thaçit?
Tomë Gashi
Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, avokati Tomë Gashi ka deklaruar se vendi i tretë mund të jetë secili shtet që ka një lloj bashkëpunimi me gjykatën speciale apo së paku që e pranon gjykatën speciale si institucion i drejtësisë.
Sipas tij, ky shtet duhet të ketë kapacitete për të garantuar sigurinë e atyre për të cilët i dërgon garanci të tek gjykata speciale.
“Sigurisht që duhet që iniciativa duhet të rrjedhë nga avokatet mbrojtës”, tregon ai.
Gashi thotë se Shqipëria do të ofronte garancion për lirimin e të gjithë ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Unë mendoj që Shqipëria pa mëdyshje do të ofronte garancionet e nevojshme për të gjithë pjesëtarët e UÇK-së që të mbrohen me masa më të buta se paraburgimi. Ndërsa, sa i përket shteteve të tjera ka spekulime të ndryshme”, potencon Gashi.
Megjithatë, ai thotë se edhe ofrimi i garancioneve të tilla nuk do të siguronte në mënyrë automatike lirimin e tyre nga paraburgimi.
Haziri: Shqipëria s`ka kredibilitet ndërkombëtar
Nexhat Haziri
Ndryshe nga avokati Gashi mendon gazetari Nexhat Haziri, pasi sipas tij, asnjë organizim ndërkombëtar nuk e konsideron Shqipërinë si vend kredibil me sundim të rendit dhe ligjit, aq sa për t`ia besuar mbajtjen në arrest shtëpiak të një personi me profil të lartë politik siç është ish-presidenti Thaçi.
“Po filloj nga kjo pyetja e fundit se a mund të jetë Shqipëria që po garanton për ish presidentin Thaçi që ai të lirohet nga Haga dhe të marrë masën e arrestit shtëpiak. Natyrisht se jo, edhe po të ishte Shqipëria, do të ishte vetëm një formalitet sa për të thënë se e bëmë.
Nga asnjë organizëm ndërkombëtar, siç është edhe gjykata speciale në Hagë, ani pse thuhet se është gjykatë e Kosovës dhe së është formuar nga Kuvendi i Kosovës, nuk e konsideron Shqipërinë si vend kredibil e të besueshëm sa i përket sigurisë dhe sundimit të rendit dhe ligjit, për t’ia besuar mbajtjen në arrest shtëpiak një të akuzuari të këtij niveli siç është ish-presidenti Thaçi dhe të tjerët që janë të arrestuar nga gjykata speciale”, shprehet Haziri.
Haziri: Franca garantoi lirimin me kusht të Thaçit
Për këtë arsye, Haziri mendon se vendi që ka garantuar lirimin e Thaçit është Franca.
“Shteti që ka ofruar këtë garanci dhe që po shqyrtohet seriozisht nga Gjykata Speciale është Franca për shkak edhe të lidhjeve që ka pasur ish-presidenti Thaçi me këtë shtet, sidomos në periudhën e Konferencës së Rambujesë në vitin 1999 në tentim për ta gjetur marrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë, por edhe në vazhdimësi të karrierës së tij politike”, potencon ai.
Andaj, Haziri thekson se nëse Franca përdor fuqinë e saj lobuese për të marrë përkrahjen edhe të Uashingtonit dhe të disa shteteve me ndikim në BE, gjasat janë që ish-presidentit Thaçi t’i ndryshohet masa e paraburgimit dhe ai të kalojë në arrest shtëpiak dhe të vendoset në Francë.
“Sipas disa informacioneve, Franca si dëshmi në kërkesën e garantimit të saj për ish-presidentin Thaçi, ka paraqitur edhe rastin e ndalimit dhe arrestimin e Ramush Haradinajt në vitin 2017”, përfundoi ai.
Kujtojmë se, muaj më parë edhe Qeveria e Kosovës, kishte deklaruar se Kosova nuk mund të shërbejë si garantues për lirimin me kusht të ish-krerëve të UÇK-së.
Kjo pasi, garancia nuk kërkohet as nga shteti amë, në këtë rast Kosova, e as nga Kryeministri i shtetit amë nga i cili vjen i akuzuari dhe të cilit shtet i takon gjykata speciale me juridiksion.